EKSKLUZIVE/ “Duhet reagim i menjëhershëm”, ish-portieri i Elbasanit para Vllaznisë: Eliminimi me penallti nuk është fundi
“Ruleta” e penalltive i hoqi mundësinë Elbasanit të siguronte finalen e Kupës, ndërsa ishte Egnatia ajo që vazhdon rrugëtimin në këtë kompeticion. Një eliminim që lë shije të hidhur, por për ish-portierin dhe trajnerin e njohur të verdhebluve, Muharrem Dosti, skuadra duhet të qëndrojë me kokën lart. Në analizën e bërë për “Panorama Sport”, Dosti kërkon reagim nga skuadra, pasi nuk është fundi i botës të eliminohesh nga një ekip si Egnatia, që arrin për herë të katërt radhazi në finalen e këtij kompeticioni.

“Normalisht të vjen keq kur shkon deri në këtë pikë dhe eliminohesh nga penalltitë. Por edhe të arrish në gjysmëfinale nuk është pak. Sigurisht, më mirë do të ishte të kualifikoheshim dhe me pak fat mund t’ia dilnim. Kjo ndeshje kishte edhe emocione dhe mungoi ajo lirshmëri që kemi parë në ndeshjet e tjera. Edhe kjo është e kuptueshme, sepse ishte një përballje ku nuk lejoheshin gabime. U eliminuan me penallti, ndoshta edhe presioni bëri të vetën, por ky eliminim nuk është fundi i botës dhe skuadra duhet të qëndrojë me kokën lart”, u shpreh fillimisht ish-trajneri i Elbasanit.
VLLAZNIA – Në vijim, Dosti ndalet te ndeshja e radhës me Vllazninë, e cila sipas tij ka më shumë vlerë sesa eliminimi në kupë. Ai thekson se Elbasani ka treguar se në ndeshjet direkte ka një tjetër moral dhe beson te fitorja, ndonëse nuk e sheh si një duel vendimtar për fatet e kampionatit. “Kam besim se ekipi do të kthehet sërish te lojërat e tij të mira. Kemi një tifozeri të zjarrtë dhe gjej rastin t’u bëj thirrje ta mbështesin, pavarësisht mërzitjes nga eliminimi në kupë. Kampionati ka më shumë vlera sesa kupa. Me Vllazninë është ndeshje direkte dhe gjatë gjithë sezonit kemi qenë rivalë kokë më kokë. Këtë sezon, Elbasani ka treguar se në ndeshjet direkte ka dalë shpesh triumfator.
Luajmë në Elbasan dhe e shoh si një avantazh të lehtë, të cilin ekipi duhet ta shfrytëzojë për të dalë fitues”, u shpreh Dosti. Sa i përket faktit nëse kjo ndeshje është vendimtare, ai nuk e konsideron të tillë, duke theksuar se gara është ende e gjatë, sidomos me formulën “Final 4”. “Nuk është një finale dhe kampionati nuk mbyllet me këtë ndeshje. Duhet vlerësuar maksimalisht, pasi luhet me një rival për titullin kampion. Elbasani duhet ta trajtojë si një ndeshje radhe, sepse me këtë formulë kampionati, asgjë “ nuk vendoset pas këtyre 90 minutave”, përfundoi Dosti. Ndeshja mes Elbasanit dhe Vllaznisë do të luhet të hënën në orën 19:00 në “Elbasan Arena”. Në rast fitoreje, Elbasani do të parakalonte shkodranët në krye të renditjes.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













