EKSKLUZIVE/ “Do të kisha vazhduar edhe 1-2 vite të tjera”, Malota rrëfen karrierën: Ju tregoj triumfet dhe pengjet e mia (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2025 | 22:11

EKSKLUZIVE/ “Do të kisha vazhduar edhe 1-2 vite të tjera”, Malota rrëfen karrierën: Ju tregoj triumfet dhe pengjet e mia (E PLOTË)

Ai është një prej aty re futbollistëve që i ke gjithmonë në kujtesë, jo për fjalët, por për veprat. Renato Malota, mbrojtësi që e nisi nga poshtë dhe u ngjit majë më majë në futbollin shqiptar, ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist profesionist.

RENATO MALOTA

Një udhëtim që përfshin tituj kampionë, suksese europiane, ndjesi të forta dhe një figurë gjithmonë të respektuar në çdo dhomë zhveshjeje ku ka qenë pjesë. Nga sezoni i shpërthimit me Partizanin, te titulli kampion me Dinamon, sukseset europiane me Kukësin e Laçin, e deri te mbyllja madhështore me Egnatian, Malota ka qenë simbol i stabilitetit, karakterit dhe udhëheqjes. Ai largohet nga fusha me kokën lart, si kampion, pas trie viteve të arta në Rrogozhinë.

Në këtë intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Malota ndalet për herë të parë në ndjesitë e fundit të këtij kapitulli të rëndësishëm në jetën e tij, kujtimet më të bukura, figurat që e formësuan dhe planet për të ardhmen, duke u shfaqur sërish si një shembull për brezat që vijnë.

Renato, pas shumë viteve në futboll, ke vendosur të varësh këpucët. Si erdhi ky vendim dhe sa i vështirë ishte për ty personalisht?

Ishte një vendim shumë i vështirë, sepse kam një jetë që i jam përkushtuar me mish e me shpirt këtij sporti. Nuk erdhi nga dëshira ime, por nga një dëmtim që më ka penguar gjatë muajve të fundit. Kanë kaluar afro 5-6 muaj ku kam luajtur shumë pak dhe, pas konsultimeve me familjen, vendosa ta ndal karrierën time këtu.

A mendon se ishte momenti i duhur për t’u ndalur, apo kishe ende fuqi për të vazhduar edhe një sezon?

Po të mos ishte për dëmtimin, do të kisha vazhduar edhe 1-2 vite të tjera. Mendoj se rendimenti im ishte ende i kënaqshëm. E kam përjetuar keq, por e kuptoj që në një moment duhet ta pranosh realitetin dhe të vësh shëndetin para gjithçkaje.

Cilat janë kujtimet më të bukura që të kanë mbetur nga karriera jote si futbollist?

Kam shumë kujtime të bukura, por do të veçoja disa. Sezoni 2008 me Partizanin ishte i paharrueshëm. Ishim një ekip pa financa, por me tifozëri të jashtëzakonshme që na mbështeste me shpirt. Aty m’u hapën dyert në futbollin shqiptar.

Pastaj titulli kampion me Dinamon në 2009, trofeu im i parë. Kujtime të mëdha kam me Kukësin në 2013, kur kaluam tri ture në Europë, arritje historike për një klub shqiptar. Me Laçin po ashtu patëm sukses në Europë për tri vite radhazi. Dhe në fund, me Egnatian, ku fituam gjithçka në Shqipëri, tre vite të lavdishme që do të mbesin në memorien time përgjithmonë.

Cili ka qenë momenti më i vështirë që ke përjetuar në fushë?

Rënia nga kategoria me Vllazninë, ka qenë ndoshta më e rënda. U bashkova me ekipin në janar dhe bashkë me të gjithë bëmë të pamundurën për ta shpëtuar, por nuk ia dolëm. Megjithatë, jam krenar që nuk e braktisa. Luajta edhe në Kategorinë e Parë për Vllazninë, ndryshe nga shumë të tjerë që nuk pranuan të zbrisnin për atë fanellë, midis tyre edhe shkodranë.

Ke qenë kapiten dhe lider tek Egnatia në vitet më të rëndësishme të klubit. Si e përjetove këtë fazë të fundit të karrierës?

Për mua ishte një periudhë e jashtëzakonshme. Nuk e kisha menduar kurrë që do ta çonim Egnatian në këto nivele. Me mua nisi projekti. Kur të gjithë e refuzonin, unë vendosa të bëhesha pjesë, sepse besova te serioziteti i presidentit dhe te vizioni i klubit. Nuk e kisha imagjinuar këtë sukses, por jam jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar për mënyrën si më shkuan vitet e fundit dhe si e mbylla karrierën. Kjo falë të gjithëve, nga i pari tek i fundit tek ekipi i Egnatias.

Cili ka qenë titulli apo trofeu që të ka shijuar më shumë?

Pa dyshim, titulli i parë me Egnatian. Askush nuk e besonte se do të fitonim. Ishte një vit i vështirë, sidomos pas ndarjes tragjike nga jeta të kapitenit tonë, Rafael Duamena. Por e kaluam bashkë dhe në fund isha unë që ngrita trofeun si kapiten, një ndjesi që s’e harroj dot.

Në gjithë këto vite, ke pasur shumë trajnerë dhe bashkëlojtarë. Kush kanë qenë figurat që të kanë ndikuar më shumë si njeri dhe si profesionist?

Kam kaluar shumë trajnerë, por do të veçoja Shpëtim Duron, i cili më hapi dyert dhe më dha një shtysë të madhe në karrierë. Gjithashtu, profesor Ramadan Shehu, Sulejman Starova dhe së fundmi trajneri aktual i Egnatias, Edlir Tetova, një njeri me zemër të madhe dhe shumë i aftë në atë që bën. Kemi pasur gjithnjë respekton dhe mbështetjen e tij, çka e tregoi edhe koha me sukseset që patëm bashkë. Te bashkëlojtarët, do të veçoja Arjan Pishën dhe Luan Pinarin, që më mësuan si të luaja si qendërmbrojtës. Edhe Igli Allmuca e Juljan Brahja më kanë ndihmuar shumë. Kam pasur fatin të jem pranë njerëzve të duhur në kohët e duhura.

Pas lënies së futbollit të luajtur, a do të qëndrosh pranë këtij sporti? Ke ndonjë plan për të kaluar në trajnim, drejtim apo role të tjera?

Po, patjetër. Futbolli është jeta jonë dhe s’mund të rri larg. E kam me pasion dhe dëshirë. Nuk e shoh veten në trajnim, por më shumë në pjesën e menaxhimit dhe organizimit. Kam qenë gjithmonë afër lojtarëve dhe klubit dhe kjo gjë më tërheq. Të shohim çfarë do sjellë e ardhmja.

Nëse do të ktheheshe pas në kohë, a do të bëje diçka ndryshe në karrierën tënde?

Ndoshta jo shumë gjëra, por një peng e kam: nuk provova asnjëherë një kampionat të huaj. Në sezonin 2015-2016 pata një ofertë zyrtare nga një klub i Superligës belge, por nuk u konkretizua, pasi palët nuk u dakordësuan. E kam ende kontratën në shtëpi dhe e konsideroj si “pengun” tim të vetëm në futboll.

Diçka edhe për rrugëtimin e Egnatias në Europë, si e pret?

Mendoj se Egnatia këtë sezon ka të gjitha mundësitë për të arritur në fazën e grupeve. Nuk janë bërë gabimet e së kaluarës, grupi është ruajtur dhe përforcimet janë bërë aty ku duhej. Ka besim, përvojë dhe organizim.

Çfarë këshille do t’u jepje futbollistëve të rinj që sapo po nisin rrugëtimin e tyre?

Të mos fokusohen te paratë në fillim, por të punojnë shumë dhe të qëndrojnë me këmbë në tokë. Futbolli është i pabesë, në momentin më të mirë mund të të hedhë poshtë. Aktivizimi është thelbësor, shumë lojtarë preferojnë emrin e madh të klubit, por përfundojnë në tribunë. Duhet të zgjedhin ambientet ku mund të luajnë dhe të rriten.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL