EKSKLUZIVE/ “Dinamo në minikrizë”, ish-trajneri Mehmeti: Titulli? Shënoni edhe Partizanin, të kuqtë favoritë në derbin ndaj Tiranës (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2026 | 20:13

EKSKLUZIVE/ “Dinamo në minikrizë”, ish-trajneri Mehmeti: Titulli? Shënoni edhe Partizanin, të kuqtë favoritë në derbin ndaj Tiranës (E PLOTË)

Në një analizë për “Panorama Sport”, ish-trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti theksoi se skuadra kryeqytetase nuk duhet përjashtuar në garën e titullit.

Dritan-Mehmeti-e1660039928102

Mehmeti, shprehet se të kuqtë kanë ndërhyrë mirë sa i takon merkatos së janarit duke shtuar alternativat, ndërsa shtoi se nëse skuadra i menaxhon mirë ndeshjet e radhës që cilësohen si shumë të rëndësishme, atëherë do të kishte shanset për të hyrë në “vallen” e titullit dhe për të tentuar renditjen mes katër më të mirave. Ndër të tjera, Mehmeti sheh Partizanin favorit në derbi ndaj Tiranës ndërsa foli edhe për Dinamon që sipas tij po kalon një minikrizë, edhe pse sipas tij, dinamovitët do ta kalojnë shpejt këtë situatë duke qenë se bëhet fjalë për një skuadër që në brendësinë e saj ka shumë kualitet sa i takon organikës së futbollistëve.

Si ju është dukur Partizani në këtë sezon, a e ka skuadra forcën për t’u renditur në katërshen e parë?

Mendoj se Partizani në këtë sezon ka kaluar një tranzicion duke pësuar shumë ndryshime si në drejtim edhe në staf, dhe vetë fakti që janë afruar dhe larguar shumë lojtarë ka bërë që të mos ketë pasur stabilitet si në rezultate, por edhe sa i përket lojës. Ky është një nga faktorët që Partizani nuk ka vazhdimësi. Sa i takon mundësisë për të arritur katërshen, i ka mundësitë pasi është afruar shumë, pesë pikë nga Dinamo nuk janë shumë. Me merkaton e janarit dhe ndryshimet që janë bërë mendoj që i ka të gjitha mundësitë duke arritur që të jenë të gjithë bashkë për të pasur sa më shumë qetësi dhe rritje të performancës së lojës dhe më tej rezultate.

Partizani ka përpara dy ndeshjet çerekfinale të Kupës me Elbasanin, cila është formula që sugjeroni për t’i eliminuar verdheblutë që janë shumë ekip kompakt në këtë sezon?

Duke ju referuar ndeshjeve çerekfinale me Elbasanin patjetër që duhet një këndvështrim tjetër, pasi bëhet fjalë për një specifikë ndryshe në ndeshjet e Kupës. Varet nga strategjia e stafit duke ju referuar faktit që Elbasani është një skuadër shumë e stabilizuar dhe e fortë, duhet patjetër që të studiohen mirë pikat e dobta dhe të forta të skuadrës së Elbasanit. Duke iu referuar 180 minutave dhe duhet përgatitur skuadra edhe në aspektin psikologjik, të rritet besimi se mund t’ia dalin edhe ta eliminojnë një kundërshtar që për mendimin tim është shumë i fortë dhe është në formën e tij më të mirë. Megjithatë, Partizani e ka forcën, por edhe grupin për t’u përballur ashtu siç i takon këtij klubi.

Në kampionat, Partizanin e pret derbi i kryeqytetit ndaj Tiranës. Bardheblutë kanë ndryshuar shumë pas merkatos së janarit, kë shihni favorit në këtë sfidë?

Sa i takon ndeshjes derbi me Tiranën, mendoj që Partizani është pak më tepër favorit, edhe pse derbi asnjëherë nuk ka favoritë, edhe pse derbi është i paparashikueshëm, edhe pse derbi ka treguar shpeshherë se jo gjithmonë fiton skuadra në formën më të mirë. Por, mendoj që kush do ta përgatisë më mirë psikologjikisht derbin dhe kush do të dijë të menaxhojë më mirë rotacionet, do të ketë më shumë shanse për të fituar. Sepse në mes janë edhe ndeshjet e Kupës këtë mesjave dhe këto janë të gjithë faktorë që ndikojnë në mbarëvajtjen e performancës së derbit. Me ndryshimet që ka bërë Tirana, besoj se nuk do të ndikojnë sepse edhe Tirana ka problemet e saj. Elementët që ka transferuar patjetër që ia kanë shtuar cilësinë, por Partizani ka një grup lojtarësh që kanë luajtur më shumë kohë me njëri-tjetrin dhe njihen.

Çfarë mendoni për merkaton e Partizanit, a ia kanë dalë drejtuesit të korrigjojnë problemet që u shfaqën në gjysmën e parë të sezonit?

Nëse i referohemi merkatos së Partizanit, atëherë mund të themi se bëhet fjalë për një tranzicion pasi ka pasur ndryshim edhe në stafin drejtues nëse marrim parasysh me startin e sezonit. Megjithatë, ndryshimet në janar i shoh pozitive duke nisur nga drejtimi dhe besoj se drejtuesit kanë ndërhyrë mirë në merkato për alternativat që kanë pasur, por do t’i sugjeroja të afronin edhe një qendërmbrojtës me eksperiencë pasi është një nga pozicionet që duhet të përforcohet. Partizani për momentin ka pasur probleme në atë pozicion, dhe nëse arrijnë të afrojnë një qendërmbrojtës me ekseperiencë dhe lider, atëherë Partizani do të ishte i kompletuar për mendimin tim.

Dinamo ende nuk ka fituar në kampionat për vitin 2026, çfarë nuk po shkon siç duhet me skuadrën e Dajës?

Dinamo nuk ka arritur rezultate gjatë janarit që i përkasin atij klubi dhe mendoj se po kalon një minikrizë, por është diçka që i ndodh të gjitha skuadrave gjatë kampionatit dhe besoj se Dinamo do të rikthehet shumë shpejt dhe kjo për vetë faktin që po t’i referohemi edhe ndeshjes së fundit, tregon se Dinamo e ka kualitetin, e ka skuadrën për të rivalizuar deri në fund. Kjo jo vetëm për kualitetin që ka brenda, por edhe për lojërat që ka zhvilluar këtë sezon dhe besoj se shumë shpejt skuadra do ta gjejë edhe formën e saj më të mirë. Besoj se i ka munguar vetëm finalizimi, edhe të gjitha skuadrave i ndodh kjo. Por, ka pasur ndryshime dhe këto janë faktorë që ndikojnë. Megjithatë, skuadra do të rritet dhe do të jetë një nga pretendentet për titullin në optikën time.

Kë shikon Mehmeti si skuadrën më të kompletuar për të fituar titullin në këtë sezon të Superiores?

Sa i takon çështjes së titullit, mendoj se janë në garë Vllaznia, Elbasani, Egnatia dhe Dinamo duke iu referuar edhe tabelës së klasifikimit. Por, unë do të shtoja në këtë listë edhe Partizanin, por vetëm nëse Partizani do të dijë të menaxhojë këtë moment kritik të kampionatit, duhet të marrë rezultatet dhe të rrisë performancën e më pas mund të bëhet pjesë e katërshes së parë.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL