EKSKLUZIVE/ “Dinamo duhet marrë shembull”, Sina analizon derbin: Presidenti ka dhënë për Tiranën, por vjen një moment që robi e kupton vetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2025 | 17:07

EKSKLUZIVE/ “Dinamo duhet marrë shembull”, Sina analizon derbin: Presidenti ka dhënë për Tiranën, por vjen një moment që robi e kupton vetë

Elvis Sina e sheh Dinamon si klubin që duhet marrë shembull në kampionatin shqiptar, e sa i përket Tiranës, klubin te i cili u rrit dhe fitoi gjithçka, Sina ndjen keqardhje për situatën që është krijuar.Untitled-8Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi Sina analizoi gjendjen e dy skuadrave, duke dhënë edhe këshilla për Tiranën në mënyrë që të kalojë këtë situatë të vështirë. Ai u ndal te derbi i së mërkurës, ku është i bindur se diferencat janë të mëdha, ndërkohë që nuk i kursen elozhet për mënyrën se si Dinamo është duke punuar.

Elvis, keni luajtur për Tiranën por edhe Dinamon. Si e kujton?
Me Tiranën kam luajtur gjatë gjithë jetës time dhe natyrisht që është një periudhë e mrekullueshme, të paktën nga ana sportive, nga çdo anë ka qenë perfekt. Se Dinamo pastaj ishte një vit, që edhe te Dinamo kam kaluar moment vërtet, në mënyrë fantastike. Ishte klub që edhe pse luaja me Tiranën, kur shkova te Dinamo dhe pashë menaxhimin ndryshe të gjërave, ishte me kushte dhe dhoma zhveshje që Tirana nuk i kishte. Ishin gjëra që Dinamo i kishte plus në krahasim me klubet e tjera, dhomë të zhveshjes, palestra aty, rrobat laheshin aty, domethënë ishin gjëra që klubet tjera nuk i kishin dhe as Tirana. Bëje stërvitje dhe ikje në shtëpi, ndërsa aty rrije, haje drekën dhe ishte tamam një klub. Megjithatë sido që të jetë, njeriu përshtatet dhe për mua kanë qenë kohë të paharrueshme.

Ndërkohë, vazhdojnë ju njohin si Sina i Tiranës. Si ndihesh?
Shiko, ai klub mua më ka personifikuar në kuptimin që mbiemrin tim ai klub e ka rrit. Domethënë me djersën, me punën time, me seriozitet Kam arrit deri aty sa që të më kujtojnë mbiemrin si shenjë të mirë dhe më vjen mirë që e kam arritur këtu.

Nesër do të luhet derbi Dinamo-Tirana. Si e parashikon?
Shiko, do të flas pa doreza sepse sigurisht është derbi, ndeshje e bukur dhe mund të pritet çdo gjë. Sigurisht që nuk është derbi si Tirana-Partizani, ky është derbi më i butë. Por gjithsesi është i dobishëm. Por megjithatë nëse sheh ekipet dhe bën një krahasim, për Tiranën them që më vjen keq. Nuk e shoh as në të mirë të futbollit, as klubit, as shtetit që një ekip si Tirana që vështirë se mund të arrijnë të tjerët se çfarë ka arritur Tirana, të arrijë në këtë gjendje skandaloze. Keq më vjen. Edhe atë që ka sot president dhe që sigurisht njerëzit nuk kënaqen kurrë por ai ka dhënë për klubin, por vjen një moment që robi e kupton vetë. Ky klub duhet të bëjë më lart, me më shumë lek, seriozitet, me më shumë njerëz që e duan klubin dhe duhet të kuptosh që mund të bashkëpunosh me të tjerë. Duhet të kesh njerëz që japin në klub. Lekët janë të tij, por me njerëz të fortë duhet të flasësh sepse njerëz për kafe ka sa të duash, siç i ka tani vërdallë. Shpresoj të mos i ngeli emri i keq në klub. Nuk është gjithçka nëse fiton apo harxhon sepse edhe ky është biznes. E rëndësishme është emri sepse është vështirë që të largohet emri nga historia, si për mirë ashtu edhe për keq. Shpresoj ta kuptojë shpejt dhe të mos jetë vonë edhe pse vonë është në fakt sa të duash, por mund të ketë edhe më keq. Shpresoj ta kuptojë se me këtë lloj menaxhimi që po bëhet, klubi është katastrofë.

A e sheh të rrezikuar këtë sezon?
Sigurisht që po! Vetëm nëse do të ketë makinacione të ndryshme që mund ta shpëtojnë, sepse për mua, për mendimin tim, Tirana ka mbaruar punë. Gjithashtu janë gjitha kushtet dhe këtu flas për ato që kam lexuar sepse nuk i kam ndjekur ashtu si janë bërë gjërat, nuk më bëhet të ndjek. Nuk mund të bësh, merr një lojtar, largo një tjetër, pastaj largo këtë dhe merr një tjetër. Njerëzit nuk e dinë si i marrin, me menaxherë të ndryshme dhe nuk ka seriozitet. Ti kur merr një lojtar, duhet ta dish se kur vjen te Tirana duhet të jesh dikush, të bësh diçka për këtë fanellë. Këta marrin lojtarë dhe thonë “hajt se jemi në siklet dhe e zgjidhim këtë punë”, por nuk e dinë a kanë luajtur apo jo, janë të dëmtuar apo jo. Firmosin kontratën dhe vazhdojnë me gjyqe. Nëse lojtari firmos, ato lekë i ka të marra. Nëse merr lojtar, shihe kush është është siç e ka e gjithë bota sepse nuk jemi të parët. Ai e di vetë, siç e ka nisur është duke e bitisur.

Po Dinamon si e ke parë këtë sezon?
Shiko, Dinamo ka një staf të mrekullueshëm në kuptimin, duke filluar prej presidentit. Ka lënë këta njerëz aty që janë ose kanë qenë pjesë e klubit Dinamo. Po ti marrësh me radhë, si në klub, si në menaxhim, si në drejtim, si në akademi ka njerëz që kanë dhënë për Dinamon. Të gjithë janë ish-lojtarë apo figura dhe dinë të japin frymën që ka pasur. Nuk mund të vijë një nga Lushnja, dhe nuk kam gjë me Lushnjën por nuk mund të vijë një nga Saranda të japë frymën e Dinamos. Një nga Skrapari trajner te Tirana apo te akademia s’ka çfarë fryme dhe mentaliteti t’i japi lojtarit. Ai nuk ka fituar kurrë kupa dhe ashtu do të mësohet fëmija. Çfarë do t’i thotë? Kemi luftuar për mbijetesë. Dinamo ka një president serioz që thotë “po, po, jo jo”. Atë që thotë e bën dhe janë të paktë. Është fat që ai njeri është në kampionatin shqiptar. Pastaj ka marrë trajnerin më të mirë në Shqipëri që menaxhon situata dhe duhet të jesh psikolog për të bërë punë. Ai e bën në mënyrë perfektë. Janë bërë zinxhir dhe janë bërë, president, shef, trajner, drejtor akademie dhe janë të gjithë me njëri tjetrin. Ka pengesa patjetër por kalohen duke qenë bashkë. Fushat i ka të mrekullueshme, rrogat i ka paguar. Njerëzit janë të kënaqur dhe janë rehat në çdo aspekt. Lojtari paguhet për stërvitje dhe lojë dhe janë të qetë për të dhënë më të mirën dhe prandaj janë aty. Tirana ka 1 mijë probleme dhe vazhdon të jetë aty. Shfaqen në fushën e lojës sepse futbolli i ka të gjitha rezultatet, edhe nëse humb përpiqesh. Dinamo është në rregull dhe mendoj se ekip si Dinamo, duhet të merret shembull. Teuta po punon në mënyrë perfektë dhe po më habit qëndrimi i njerëzve që kanë marrë Durrësin, po bëjnë fushën dhe hotelin. Janë duke bërë gjëra të mëdha. Të paktën shpresoj që të mërkurën të shohim ndeshje të bukur.

Nga eksperienca që ke, çfarë mendon se duhet bërë ndryshe nga Dinamo për të fituar titullin kampion, objektiv i klubit këtë sezon?
Objektivi i klubit është sigurisht për Dinamon sepse është klub me kushte të plotësuara dhe presidenti ka plotësuar gjithçka. Ka lojtarë të mirëpaguar dhe i krijuar për titull. Duhet të jenë më cinikë dhe më të egër në fushën e lojës në kuptimin e mirë. Çdo ekip që luan futboll, shkon për të marrë 3 pikë por duhet ta tregosh në fushë dhe tregohet duke “treguar dhëmbët”. Që këtu fillon e gjithë gjëja, sepse nuk shkohet duke luajtur hajt ta mbarojmë, por duke sakrifikuar nga dita e parë e javës. Janë shumë komponentë që funksionojnë mirë dhe nëse ti gabon, nuk ta fal tjetri.

A mendon se Dinamo e ka kualitetin për titull?
Patjetër që po. Viti mbaron tani për të marrë pushimet dhe nis merkatoja për të marrë lojtarët. Mendoj se klubi nëse sheh nevojë për rikuperime, i bën rrugës. Ka akademi që punon mirë, ka lojtarë që mund t’i rrisë, por edhe mund të marrë lojtarë që rrisin nivelin. Kampion s’dilet me 11 vetë por me 22. Janë shumë gjëra rrugës, përfshirë dëmtimet. Vetë akademia dhe lojtarët që pretendojnë, duhet të jenë pranë skuadrës dhe t’i japin drejtim mentalitetit për të dalë kampion.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL