EKSKLUZIVE/ Delia analizon “nëndetësen” dhe skemën e re të Dajës: Dinamo e plotë, rikthehet në “Final 4” (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2026 | 14:56

EKSKLUZIVE/ Delia analizon “nëndetësen” dhe skemën e re të Dajës: Dinamo e plotë, rikthehet në “Final 4” (E PLOTË)

Dinamo e këtij sezoni ka pasur oshilacione të shumta dhe ish-mesfushori dinamovit, Bashkim Delia e sheh si një problem të madh që vjen nga reparti i sulmit.BASHKIM DELIA

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Delia që mban edhe titullin profesor i asociuar, shprehet se Dinamo ka një organikë të pasur duke e parë njëkohësisht si skuadrën që mund të luftojë për titullin dhe Kupën e Shqipërisë. Sa i përket vendosjes që po bën Daja, ai shprehet se Dinamo ka mbrojtjen më të mirë si individë, duke shtuar se ka pasur gabime individuale.

Z.Delia, Dinamon e ke ndjekur këtë sezon. Si të është dukur deri tani?

Po, e kam ndjekur. Domethënë, nga fillimi i janarit deri tani, nuk ka qenë një ekip shumë i qëndrueshëm në kampionat, përveç faktit që në të gjitha këto ndeshje, përveç atyre Kupës së Shqipërisë që fitoi me Tiranën, ndeshjet e tjera për mua kanë qenë me gabime, duke humbur edhe vendin e katërt ndaj Partizanit. Ajo ishte një nga ndeshjet më të rëndësishme për sa i përket vendit të katërt dhe vazhdimit për “Final Four”. Në këtë periudhë mendoj se ekipi e ka humbur sidomos forcën në sulm, sepse në organizimin e lojës e administron mirë ndeshjen, por në drejtim të sulmit ka jashtëzakonisht mangësi. Nuk po stabilizon dot dy qendrat që janë kryesore për ekipin e Dinamos. Edhe pse Dinamo bëri disa blerje të reja, nuk po arrin të realizojë shënimin e golit që duhet të vijë nga ai presion i brendshëm që krijohet. Loja administrohet mirë, por në finalizim ka shumë mangësi.

Po sezonin faktikisht e nisi mirë, sepse deri në janar ishte sulmi më i mirë në Shqipëri dhe Dinamo ishte mes vendit të dytë e të tretë. Ndërkohë, pas janarit gjithçka ndryshoi. Çfarë nuk po shkon?

Unë mendoj që Dinamo nuk ka stabilitet në drejtim të sulmit. Pavarësisht largimit të dy lojtarëve, Zabërgjës dhe Itodos, që kanë qenë ndër më të mirët sezonin e kaluar, ekipi nuk po stabilizon dot repartin ofensiv. Duke filluar nga Vila, Berisha, Mustafa dhe lojtari tjetër kryesor që është Bregu, Guindo që është qendërsulmues. Ata nuk po stabilizohen në drejtim të finalizimit. Është krijuar një ngërç psikologjik në Dinamo. Edhe Guinda, që ka qenë qendërsulmuesi kryesor, nuk është në atë formë që kishte në fazën e parë dhe të dytë të kampionatit. Nuk e di saktësisht arsyen, por është një nga problemet kryesore të ekipit. Edhe Bregu nuk po paraqitet në atë gjendje që ka qenë më përpara. Bregu është një lojtar me eksperiencë, teknik, që organizon sulmin e Dinamos dhe di të paraqitet para portës, të realizojë penallti, të shënojë gola dhe të shërbejë shokët e ekipit. Në këtë periudhë edhe vetë nuk po e kuptoj pse nuk po funksionon si më parë. Ekipi e administron lojën, e mban topin, e nis aksionin nga mbrojtja dhe organizon shumë mirë mesfushën, por nuk ka finalizimin e duhur. Unë mendoj që duhet të sulmohet më shumë. Megjithëse kanë dy sulmues kryesorë si Guindo dhe Mustafa, që janë lojtarë të mirë në lojën në ajër, duhet të forcohen shumë krahët. Pra, lojtarët anësorë dhe mbrojtësit duhet të dalin më shpesh nga krahët, në mënyrë që të krijojnë mundësi për finalizim në qendër për Guindon, Mustafën ose lojtarë të tjerë si Vila. Për mua duhet të ketë më shumë aksione nga krahët. Gjithashtu kanë ndikuar edhe disa dëmtime në ekipin e Dinamos, si në krahun e djathtë të mbrojtjes ashtu edhe në të majtin. Kanë ndikuar edhe dëmtime në mesfushë, me Qefalinë që ende nuk e ka marrë veten njëqind për qind, që të organizojë lojën dhe të godasë portën.

Daja njihet si trajner që nuk ndryshon shumë filozofinë e tij, por në këtë periudhë Dinamo ka kaluar në modulin me tre mbrojtës, ndërkohë Dinamo është edhe skuadër që pëson shpesh gola. A mendon se Dinamo e ka organikën për të luajtur me tre mbrojtës?

Si e sheh këtë ndryshim që Daja po i bën skuadrës? Unë mendoj se lojtarët e qendrës janë të mirë. Ekipi i Dinamos, bashkë me Vllazninë dhe Egnatian, janë ekipet që kanë pësuar më pak gola, rreth njëzet e një. Pra janë ekipe me mbrojtje solide, edhe pse në ndeshjet e fundit Dinamo ka pësuar disa gola. Sigurisht që ka pasur edhe gabime, si në ndeshjen me Partizanin, ku në disa momente të caktuara Partizani hyri tre herë në portë dhe shënoi tre gola. Ndërkohë ne administruam lojën për dhjetë e pesë minuta të pesëdhjetë e dy dhe nuk shënuam asnjë gol. Kjo tregon që kemi mangësi në sulm, edhe pse mbrojtja konsiderohet ndër më të fortat. Dy qendrat e mbrojtjes dhe lojtarët anësorë që dalin në sulm, si Ismaili ashtu edhe krahu i majtë, janë lojtarë të shpejtë që preferojnë më shumë të sulmojnë sesa të mbrojnë. Këtë e pamë edhe me Nezirin në ndeshjen me Tiranën, kur kaloi drejt portës kundërshtare dhe brenda zonës arriti të shënojë golin. Lojtarët anësorë bëjnë shumë mirë në dalje përpara, por duhet të kenë më shumë kujdes në momentet e tranzicionit, sidomos kur humbasim topin dhe kundërshtari kalon në kundërsulm. Në këto momente duhet të jemi shumë të pozicionuar mirë për të mbrojtur portën tonë. Fakti që kemi pësuar disa gola tregon se duhen bërë disa korrigjime në qendrën e mbrojtjes. Teikseira dhe Dita janë dy lojtarët e qendrës, por edhe Aliji ka pasur disa momente pasigurie, si në ndeshjen me Partizanin në një krosim nga krahu i djathtë, ku topi nuk duhet të kalonte te lojtari kundërshtar. Pra mendoj që ka disa mangësi dhe ekipi ndonjëherë kapet i papërgatitur në kundërsulmet e kundërshtarëve. Besoj që në ndeshjen me Teutën këto gjëra do të korrigjohen, dhe trajneri Daja i ka parasysh si në drejtim të mbrojtjes dhe organizimit në fushë, ashtu edhe në drejtim të sulmit. Ai duhet të gjejë lojtarët që janë më në formë dhe që mund të përgatisin më mirë ekipin për ndeshjen e ardhshme me Teutën.

Si e parashikon fundin e sezonit për Dinamon? A mendon se mund të rikthehet në “Final 4”, apo duhet të përqendrohet më shumë te Kupa?

Shiko, Dinamo është një ekip që gjithmonë synon dy fronte edhe Kupën e Shqipërisë edhe kampionatin. Edhe vitin e kaluar ka qenë në këtë situatë. Ka disa ekipe elitare si Dinamo, Vllaznia dhe Egnatia, që kohët e fundit po bën shumë mirë. Këto ekipe synojnë si kupën ashtu edhe kampionatin. Sigurisht është edhe Partizani, që është ngritur shumë në këtë fazë dhe ka treguar se është një nga ekipet më në formë, sidomos me ardhjen e disa lojtarëve të rinj që kanë bërë ndryshim në skuadër. Unë shikoj një luftë shumë të fortë sportive nga vendi i parë deri te vendi i gjashtë për katër vendet e “Final Four”. Por njëkohësisht shikoj edhe një luftë nga vendi i gjashtë deri në vendin e dhjetë, ku janë ekipe si Flamurtari, Tirana, Bylisi dhe Vlora, që përpiqen të shmangin situatat e vështira në tabelë. Sidomos Tirana, që është në vendet e fundit, e ka shumë të vështirë të dalë nga kjo situatë.Unë kam mendimin që Dinamo do ta kalojë me sukses ekipin e Teutës. Gjithashtu, edhe kur të shkojë në Shkodër, kam besim që mund të rikthehet përsëri në katër vendet e para për “Final Four”. Ekipi i ka të gjitha mundësitë, sepse tani duket se nuk ka më dëmtime dhe lojtarët janë në dispozicion. Mbetet që Ilir Daja të gjejë lojtarët që i përshtaten më mirë ndeshjeve të ardhshme dhe të përgatisë ekipin për të kaluar fazën e çerekfinaleve.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL