EKSKLUZIVE/ Canaj analizon situatën e bluve: Dinamo ka cilësi, por rrezikon vendin e katërt. Arbitri nuk zgjidh problemet… (E PLOTË)
Dinamo po kalon një moment të vështirë në kampionat, megjithëse ende e ruan vendin e katërt në klasifikim.

Skuadra e drejtuar nga Daja nuk ka fituar asnjë ndeshje në fazën e tretë të kampionatit dhe tashmë pozitat e saj në “Final 4” po lëkunden, pasi Partizani e ka barazuar me pikë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-trajneri i bluve Agim Canaj ka analizuar këtë moment të Dinamos. Ai është i bindur se kryeqytetasit kanë një skuadër shumë të mirë dhe se duhet ndryshuar kjo situatë, duke shtuar se gjykimi nuk ka ndikuar.
Profesor, a e keni ndjekur Dinamon? Si të është dukur këtë sezon?
Po, të them të drejtën, vetë situata e saj tregon që ka një krizë rezultatesh dhe ajo që unë vë re është që, në momentet më të mira të saj ndëshkohet, ashtu si dhe pëson gola shumë të lehtë dhe pastaj e ka shumë vështirë që të shënojë dhe të dominojë në lojë. Kështu që, do të thosha që diçka mungon aty. Shumë gjëra fliten nga jashtë, por unë nuk e di se çfarë ndodh. Por ajo që unë shoh në fushë, shoh që skuadra ka cilësi shumë të mëdha, por nuk po merr frytet e punës vetë dhe të cilësisë që ka dhe ky është problemi.
Këto probleme që shihen nga jashtë, mendon se janë nga merkatoja, afrime të gabuara apo nga gjëra të tjera?
Jo, nuk do ta quaja kështu. Dinamon e kam ndjekur. Siç kam thënë edhe herë tjetër, Dinamo është një skuadër që ka investuar jashtëzakonisht mirë gjatë tre-katër viteve të fundit. Ka pasur ndryshime trajnerësh, ka marrë shumë lojtarë të mirë, dhe ka një cilësi të lartë në lojtarë. Dinamo në momente të caktuara ka treguar një fytyrë tjetër, por ajo që i mungon është rezultati. Sot rezultati të jep pikët, ndonjëherë kur nuk luajnë mirë, por edhe kur luajnë mirë. Kurse Dinamo ka shtatë ndeshje që nuk po merr rezultate, dhe ky është problemi i saj. Po rrezikon totalisht gjithë këtë investim disavjeçar. Do të thosha se gjithçka ka qenë për të marrë kampionatin. Bëhet fjalë për një investim shumë të madh për të marrë titullin, sepse kupat apo gjërat e tjera mund të merren, por për një klub me investime të mëdha, rëndësia kryesore është marrja e kampionatit. Këtë vit unë mendoja që Dinamo do të ishte skuadra e parë, duke parë formën e skuadrave të tjera dhe mënyrën se si filluan kampionatin. Dinamo gjithmonë ka qenë në krahun e parë, por tashmë pozitat kanë ndryshuar, sepse nuk flasim më për katër skuadra, por për gjashtë. Partizani dhe Teuta i janë afruar shumë, janë barazuar me pikë, dhe Teuta ka vetëm tre pikë diferencë.
Te Dinamo shpeshherë problemet lidhen me gjykimin, me arbitrat. Si e ke parë këtë pjesën e gjykimit te Dinamo, por edhe për të gjithë…
Të them të drejtën, ankesat kanë qenë gjithmonë tek të gjitha skuadrat. Edhe këtë javë, po ashtu javën që kaloi, ka pasur ankesa të mëdha. Por unë nuk mendoj se problemet zgjidhen vetëm tek arbitri. Dinamo ka një potencial shumë të madh dhe një strategji të qartë. Ka mënyrë loje, organizim në nxjerrjen e topit, zhvillim të lojës, por ka edhe një mënyrë të njëjtë zhvillimi loje që ndonjëherë duhet të ndryshohet. Kjo varet nga stafi drejtues. Për mendimin tim, Dinamo duhet të jetë më pragmatike dhe të kërkojë rezultatin më shumë sesa lojën e bukur në çdo ndeshje. Pikët janë ato që kanë rëndësi, dhe duhet të arrish të marrësh atë që dëshiron. Ajo që i ka munguar Dinamos janë momentet delikate në lojë. Nuk mund të ankohesh për zhvillimin e lojës, por për rezultatin dhe kjo është shumë thelbësore në këto momente.
Duke pasur parasysh dy fazat e para dhe këtë fazën e tretë, dua një parashikim, ku e sheh Dinamon në fund të sezonit?
Të them të drejtën, për mua janë dy ndeshje shumë të rëndësishme këto me Vorën dhe me Partizanin direkt. Në situata të tilla, një skuadër që vuan prej shtatë ndeshjesh në kampionat duhet të tregojë fytyrën, aspektin psikologjik dhe forcën e grupit. Këto dy ndeshje janë vendimtare për ecurinë e saj: ose hyn në luftën për titull, ose vështirësitë do të jenë shumë të mëdha, sidomos duke pasur parasysh konkurrencën e fortë dhe fazën e katërt që mund të vijë. Si trajner, duke pasur përvojë me Dinamon dhe me skuadra të tjera superiore, i konsideroj këto dy ndeshje determinante. Partizani ka ndjekur një rrugëtim tjetër, Teuta ka ecur ndryshe, dhe vendi i katërt rrezikohet shumë, sepse tri skuadrat e tjera kanë një diferencë pikësh të konsiderueshme.
Ndërkohë, në Superiore po marrim dy ekipe që ti i ke drejtuar. Vllaznia e para, Flamurtari në fund. Si i sheh këto dy skuadra?
Vllaznia është një skuadër që po tregon futboll të mirë dhe ka marrë rezultate të shkëlqyera në këtë fillimviti. Edhe pse ndonjëherë ka pasur pengesa, si humbja ndaj Bylisit, ka krijuar një diferencë që mendoj se do ta rikthejë në lojën e saj. Ka potencial. Flamurtari ka ndryshuar diçka në lojë, veçanërisht në ndeshjen e fundit me Partizanin, por ajo që mbetet problem është mungesa e pikëve. Në këtë situatë, gjërat janë shumë të vështira. Tre skuadrat po luftojnë për vendin e tetë në klasifikim, që çon në “Play Out” dhe kjo e bën garën shumë të ngushtë.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













