EKSKLUZIVE/ Beqiri: Partizani me luhatje, Egnatia pengesë e madhe. Si janari vulosi rrugëtimin e “demave” (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2025 | 12:03

EKSKLUZIVE/ Beqiri: Partizani me luhatje, Egnatia pengesë e madhe. Si janari vulosi rrugëtimin e “demave” (E PLOTË)

Kemi hyrë në fazën më vendimtare të sezonit. Diskutohet titulli kampion në “Final 4” dhe Partizani synon finalen përballë Egnatias të hënën në “Arenën Kombëtare” në 20:00.beqiriNë një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport” para kësaj ndeshjeje, ka folur ish-kapiteni i të kuqve, Ardit Beqiri. Ai i bën një rezyme sezonit të “Demave”, teksa shton se ndaj Egnatias do të jetë shumë e vështirë.

Ardit, si e keni parë këtë sezon të Partizanit deri më tani?

Me luhatje të mëdha, sidomos duke krahasuar gjysmën e parë të sezonit me atë që është tani. Sezon pozitiv nuk i thua dot të them të drejtën, kur kemi parasysh edhe pritshmëritë e fillimit.

Sa rol kishin lëvizjet e janarit në këtë rrugëtim të Partizanit sivjet?

Janari nuk pati rol kyç, por ishte gjithçka. Aty u vendos thuajse gjithçka. Nuk mund të themi shumë për afrimet, sepse ata ndoshta nuk kanë pasur kohën e duhur. Nuk është momenti të bëjmë analizën e afrimeve. Mendoj se Partizani më së shumti u dëmtua më shumë nga largimet, sesa nga afrimet. Këto të fundit nuk kanë qenë të duhurat, por nuk mund t’i vësh gjithë peshën në momentin që ti “shkrin” thuajse gjysmën e ekipit.

Sa e rëndësishme ka qenë ardhja e Gegës në një moment kritik të sezonit?

Ishte pozitive ardhja e Gegës, por nuk mund të presësh të zgjidhë çdo gjë. Pajetër që Skënderi është njeri i afërt i klubit, e njeh ambientin. Ardhja e tij ka plot gjëra të mira, por nuk konsiderohet si shpëtimi i madh i sezonit. Do të ishte mirë nëse po dhe të gjithë atë presion, por mendoj se këtë pjesë nuk duhet t’ia rëndojmë Gegës. Nuk ka pasur kohën e duhur në dispozicion, po vazhdon me gjërat që i kanë lënë dhe po merr çfarë po mundet nga skuadra që ka në drejtim.

Mendoni se duhet të qëndrojë përtej këtij sezoni?

Patjetër që duhet të ketë një projekt afatgjatë, ku t’i lihet dorë e lirë, nëse duan vërtet. Gega e ka një titull në kurriz dhe ka treguar çfarë mund të bëjë kur e ka ekipin në drejtim që nga fillimi i sezonit.

Mendoni se formula ka ndikuar në këto lëvizje të Partizanit në merkato?

Unë në fakt e kam paralajmëruar këtë. Ti mund t’i mbash lojtarët e mirë, por formula nuk ta jep garancinë për të dalë kampion. Ti mund të udhëheqësh deri në fund të sezonit, por në fund të thonë se ka “anulim loje”, hajde se duhet të japësh edhe një test të fundit. Të heqim një paralele. Për shembull, në finalen e Kupës, për mua Dinamo ka ekip të mirë, por asnjëherë më të mirë se Egnatia. Megjithatë, ja si është puna e finales, ja mori Dinamo. Kështu që formula ndikon shumë në përbërjet e ekipeve. Logjika në këtë rast e çon Partizanin të shesë lojtarët dhe të sigurojë para të rëndësishme, sepse titullin nuk e ka të sigurt edhe nëse ka ekipin më të mirë. Të ndodh të të dëmtohet ndonjëri dhe ec e merre. Partizani ka luajtur me llogari, ka marrë paratë e sigurta dhe tani të dalë çfarë të dalë. Përderisa formula të rrezikon sezonin, pse duhet ta bëjë?

Si e prisni sfidën e Partizanit me Egnatian? Rrogozhinasit luajtën 120 minuta në Kupë…

Mendoj se Egnatia mund ta përballojë diçka të tillë. Unë dua të shoh nëse Egnatia do të arrijë ta ruajë ritmin e tanishëm edhe pas 2- 3 vitesh, nëse do t’i shesë apo jo lojtarët. Sa i përket gjysmëfinales, është shumë e vështirë për Partizanin dhe ajo çka e komplikon më shumë është fakti që duhet me patjetër ta fitojnë ndeshjen. Është si në Kupë, kur ti ke humbur ndeshjen e parë. E shoh shumë të vështirë për Partizanin, ndoshta edhe ata vetë e dinë se çfarë i pret. Kjo mund të jetë edhe pozitive, mund t’i ulë ngarkesën psikologjike.

Nëse Partizani nuk del kampion, është sezon i çuar dëm në aspektin sportiv?

Nga ana financiare drejtuesit i kanë bërë llogaritë që në janar. Ndërsa nga ana sportive po, sepse deri në gjysmën e kampionatit ishte në vendin e parë dhe arriti punë të diskutonte “Final 4” dhe të eliminohej nga Kupa. Nëse shkojnë në finale, ndoshta është më pak e dhimbshme, sepse gjithçka është 50-50.

I ndihmon fakti që gjysmëfinalja luhet në Tiranë?

Është avantazh, por tifozeria ndonjëherë të vendos edhe nën presion. Varet sesa i përgatitur është ekipi në aspektin psikologjik. Këtu mendoj se Gega do të luajë rol të madh, sepse është trajner që di t’i menaxhojë situata të tilla.

Mendoni se Partizani ka ndonjë lojtar me cilësinë për të zgjidhur këto ndeshje kaq vendimtare?

Deri më tani ka krijuar njëfarë përshtypjeje kjo dyshja mes Elekes dhe Bintsukës. Ndoshta një prej këtyre të dyve. Por kam parë që edhe Keko të zgjohet herë pas here në momente vendimtare. Shpresoj ta bëjë edhe këtë herë. Shpresoj që të tre të jenë në ditë të mirë, sepse vetëm kështu mund t’i japin ekipit një dorë të mirë drejt kualifikimit.

Po finalen gjysmëfinalen tjetër të Kupës mes Dinamos dhe Vllaznisë, si e prisni?

Dinamos i duhet fitorja me patjetër dhe kjo e komplikon pak. Mendoj se, meqenëse Vllaznia ka avantazhin e barazimit e shoh pak më favorite.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL