EKSKLUZIVE/ Barazim me pengje ndaj Vllaznisë, Soler: Tirana nuk sheh renditjen, tri pikët ia marrim Egnatias
Spanjolli i skuadrës së Tiranës, Jan Soler, është kthyer në një lojtar të rëndësishëm për bardheblutë, duke bërë një tjetër paraqitje pozitive në kampionat. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes me Vllazninë, mesfushori nuk i kënaqet barazimit, pasi sipas tij, bardheblutë meritonin më shumë.

Ai ka besim te mbijetesa në fund, ku sheh një skuadër në rritje nga ndeshja në ndeshje dhe pret fitoren ndaj Egnatias këtë javë. Soler vlerëson kampionatin shqiptar, ndërsa qytetin e Tiranës e konsideron si të mrekullueshëm, por pa rezultatet e duhura, nuk e ka shijuar dot ashtu siç duhet kryeqytetin shqiptar.
Vetëm barazim me Vllazninë. Sa ju kënaq ky rezultat? Natyrisht që nuk jam i lumtur, sepse me atë që dhamë në fushë, mendoj se meritonim fitoren. Pas ndeshjes me Laçin kemi luajtur edhe më mirë.
Tirana vijon të jetë në zonën e rrezikut. Sa besim keni se do t’ia dilni? Në këto momente mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës dhe nuk shohim renditjen. Ne e kemi treguar që mund të fitojmë çdo ndeshje.
Ndeshja e radhës është me kryesuesit e Egnatias. Si e prisni? Shpresoj që të jetë më e mirë sesa pjesa e dytë që bëmë kundër tyre. Sot mendoj se ekipi ynë është shumë më mirë taktikisht në krahasim me ndeshjen e fundit ndaj Egnatias. Ne do të luftojmë dhe të shpresojmë që të marrim një fitore.
Çfarë ka më pak Tirana në krahasim me ekipet e tjera që nuk ka marrë dot pikët? Të jem i sinqertë, ne e nisëm shumë mirë, kemi bërë lojëra të mira, edhe pse ishim një ekip i ri. Rezultatet nuk erdhën në fillim dhe kjo na kushtoi pak në mentalitet. Por, tani që jemi njohur pak më shumë dhe kemi më shumë eksperiencë me njëritjetrin, mund ta shihni ndryshimin dhe duket që ekipi përgjigjet shumë më mirë në fushë.
Si ju duket futbolli shqiptar në krahasim me kampionatet e tjera ku keni luajtur? Jam shumë i surprizuar për nivelin që kam gjetur këtu, jo vetëm me lojtarët e huaj që kanë ardhur këtu, por edhe shqiptarët. Ka shumë talente të rinj nga Shqipëria.
Cila është përshtypja juaj për Tiranën si qytet dhe Shqipërinë si vend? Tirana është e mrekullueshme, po ashtu edhe njerëzit që janë shumë miqësorë. Por, kur nuk ke rezultate, nuk është momenti më i mirë për të shijuar qytetin.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













