“Egnatian e shoh më lart dhe më të kompletuar”, ish-kampioni Hoti analizon shkodranët: Vllaznia ka probleme në portë dhe mbrojtje
Erjon Hoti, ish-kampioni i vendit me Vllazninë ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ish-mbrojtësi shkodran është ndalur tek nisja e kampionatit shqiptar, merkato e kuqebluve apo edhe dueli i parë i kampionatit kundër Egnatias. Ndër të tjera, Hoti ndalet edhe tek përmirësimet që duhet të bëjë skuadra apo edhe lojtarët që duhet të tentojë të afrojë në këto momente.

Hoti, nga larg, por si e analizoni Vllazninë në prag të kampionatit?
Të them të drejtën kam pasur pritshmëri të tjera nga merkato e Vllaznisë, por është ende shumë shpejt për të dhënë një mendim. Kjo pasi ekipi po formohet dhe po merr dalëngadalë formën përfundimtare. Megjithatë këto prurjet në momentet e fundit nuk janë aq pozitive dhe këtë e them jo për cilësinë e futbollistëve. Por, për kohën që ata do të kërkojnë të fitojnë formën e tyre maksimale dhe ambientimin me skuadrën dhe shokët.
Të jep optimizëm kjo skuadër shikuar në syrin e parë?
Siç e thashë është pak herët për ta “ndarë” nëse premton ky ekip apo jo. Ndoshta duhet të presim 4-5 javë nga nisja e kampionatit për një opinion më të detajuar. Por, një skuadër për të dalë kampion duhet të ketë potencial në të gjitha repartet, diçka që nuk e shoh momentalisht tek Vllaznia. Megjithatë ardhjet e reja mund ta përmirësojnë këtë fakt dhe për këtë duhet të presim e shohim.
Çfarë do të përmirësoje diçka sipas opinionit tënd?
Vend për përmirësim ka gjithmonë, madje edhe kur del kampion dhe jo më kur s’ke pasur paraqitje aq bindëse. Ndryshimi i parë dhe kryesor duhet në portë, ku skuadra në vend që të përmirësohet është dobësuar në opinionin tim. Edhe mbrojtja po ashtu ka kritikat e saj, sepse ka lënë për të dëshiruar në ndeshjet europiane apo edhe ato miqësore.
Duhet të ketë ndërhyrje ende në merkato për skuadrën?
Ndërhyrja e parë do të ishte në portë, ku të kërkohet një portier me eksperiencë dhe jo një portier “eja ta provojmë”. Vllaznia nuk besoj se ka kohë për prova dhe eksperimente, po ashtu do të theksoja se në mesfushë duhet një fantazist tipik. Trajneri Martini ka vendosur t’i besojë Kallakut në këtë pozicion, por ne nuk e dimë në çfarë gjendje fizike është ai. Në sulm po ashtu do të thosha afrimi i një sulmuesi driblues dhe të shpejtë do të ndihmonte shumë ekipin, një futbollist që do të luante krah Balajt, një tip Sinani siç ka qenë më parë.
U surprizuat nga ai largim i Krujës pak para nisjes së edicionit?
Përderisa çështja është zgjidhur me bashkëpunim mes dy palëve, klubit dhe lojtari besoj se s’ka pse të ketë aq bujë. Por, ama një lojtar si Kruja, me eksperiencën dhe cilësinë e tij do t’i shërbente shumë ekipit, megjithatë stafi e ka menduar ndryshe këtë pjesë.
Do të jenë dyshja Kallaku-Kastrati liderët dhe ata që do të udhëheqin Vllazninë?
Presim nga kjo dyshe, por nuk mendoj se do të arrijnë të bëjnë diferencën që në startin e kampionatit. Kjo pasi nga ana e të dyve do të duhet kohë të ambientohen dhe kapin ritmin e duhur. Uroj dhe shpresoj që ta gjejnë sa më parë formën e duhur dhe të jenë në gjendjen sa më optimale për të ndihmuar skuadrën. Pasi siç dihet janë një sforco ekonomike nga ana e klubit, ku do të jenë dy nga futbollistët më të mirë paguar dhe nga ana e tyre pritet të bëhet diferenca.
Kampionati hapet me Egnatian në Shkodër, si e analizon dhe parashikon?
Duke folur pa tifozllëk, Egnatian momentalisht e shoh më lart se Vllaznia dhe po ashtu më të kompletuar. Por, me zemër besoj se Vllaznia së bashku me tifozët në krah do të na dhurojë një fitore të bukur ditën e premte në “Loro Boriçi”. Do të ishte diçka shumë pozitive dhe që do të jepte një moral tjetër që ekipi ta niste sezonin me një fitore. Uroj me zemër që ky të jetë viti i duhur dhe skuadra të rikthejë titullin në Shkodër.
ENDRI ÇINARI – PANORAMASPORT.AL













