Egnatia, sa shumë dilema për formacionin e së enjtes. A do të ndryshojë rreshtim Edlir Tetova?
Egnatia është gati të përballet me një tjetër sfidë të rëndësishme në aventurën e saj europiane. Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve dhe përballjes së ashpër ndaj Breidablikut në Islandë, këtë radhë skuadra rrogozhinase do të udhëtojë drejt Bjellorusisë, ku do të luajë ndaj Dinamos së Minskut në turin e dytë të Konferencë Ligë.
Kjo ndeshje ka një rëndësi vendimtare për fatin e mëtejshëm të ekipit në Europë dhe objektivi është i qartë: të mbetet gjithçka e hapur për kthimin në Rrogozhinë. Mund të thuhet se kjo përballje është më shumë se një ndeshje për Egnatian. Është një test i karakterit dhe i pjekurisë europiane. Janë pikërisht ndeshje të tilla që tregojnë nëse një skuadër është rritur vërtet dhe nëse është gati për të bërë hapin e madh përtej kufijve kombëtarë. Në këtë sfidë nuk kërkohet vetëm një rezultat pozitiv, por edhe një reaksion psikologjik, një angazhim kolektiv dhe një shpirt gare, që do ta mbajë Egnatian në lojë dhe do t’u japë tifozëve shpresën se e ardhmja europiane nuk është thjesht një ëndërr.
TETOVA MES DILEMASH – Disfata e rëndë 5-0 në Islandë ka lënë gjurmë të thella jo vetëm në rezultatin total, por edhe në gjendjen shpirtërore dhe besimin e skuadrës. Tetova është vënë përballë një momenti kritik, ku çdo zgjedhje duhet peshuar me kujdes maksimal. Skuadra nuk dha as reagimin minimal të pritshëm pas eliminimit dhe trajneri ndodhet sot në një udhëkryq: t’i qëndrojë besnik formulës ekzistuese apo të rrezikojë me ndryshime Shumë lojtarë nuk ishin në nivelin e duhur ndaj islandezëve, por alternativat në stol nuk janë të shumta, ndërsa dëmtimet dhe gjendja fizike e disa lojtarëve e kufizojnë akoma më shumë manovrën e Tetovës. Me pak fjalë, tekniku durrsak do të përpiqet që ndryshimet t’i bëjë me të njëjtët lojtarë, duke gjetur ndoshta skemën apo pozicionin ideal të atyre që do të hedhë në fushën e lojës.
OBJEKTIVI NË MINSK – Edhe pse vetë trajneri nuk ka dhënë sinjale të qarta për mënyrën si do ta rreshtojë ekipin, një gjë është e sigurt: Egnatia do të hyjë në fushë me qëllimin për të mos humbur dhe për të ruajtur shanset për kthimin në shtëpi. Me shumë mundësi do të shihet një sistem më i kujdesshëm, me një mbrojtje të ngjeshur dhe mesfushorë që ndihmojnë në mbylljen e hapësirave. Në Rrogozhinë e kanë të qartë se kjo ndeshje nuk është për spektakël, por për menaxhim rezultati. Edhe një humbje minimale në Minsk do të vlerësohej si një rezultat i pranueshëm, nëse në kthim Egnatia arrin të reagojë, siç ka bërë në të shkuarën në Rrogozhinë. Ndaj Dinamos, gjithçka do të bëhet me këtë synim: të luhet 90 minuta me kokën te kthimi. Edhe një gol i shënuar jashtë fushe mund të jetë jetik për t’i dhënë tjetër qasje ndeshjes së kthimit dhe për të entuziazmuar tifozët që kanë qenë gjithmonë një aset për Egnatian.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













