Egnatia, “revolucion total” në çdo repart/ Klubi ka afruar lojtarë në të gjitha pikat e rëndësishme
Merkatoja verore në Rrogozhinë ka qenë ndër më aktivet në Superiore dhe pa dyshim më e veçanta për rrogozhinasit vitet e fundit. Nëntë lojtarë të rinj janë zyrtarizuar si afrime të skuadrës, duke krijuar një situatë ku ekipi duket thuajse i rindërtuar nga e para. Në fushë, kjo përkthehet në një formacion të tërë të ri, me përjashtim të portës që ka mbetur e pandryshuar.

Nga njëra anë ky investim është një tregues i ambicieve që klubi dhe drejtuesit kanë për sezonin e ri: të jenë konkurrues në çdo front dhe të synojnë rezultate më të larta. Por, ky revolucion nuk është pa kosto, trajneri Tetova ka tani një detyrë të vështirë përpara: të bashkojë në një skuadër funksionale lojtarë të vjetër dhe të rinj, të krijojë ekuilibra dhe të ndërtojë harmoninë që kërkon niveli i Superiores. Ekuilibra që i kanë munguar në dy javët e para.
MBROJTJA – Ndryshimet më të thella kanë ndodhur në repartin mbrojtës. Anio Poçi, Xheferson Oliveira, Guliem Haime dhe Altin Kryeziu janë emrat e rinj që i shtohen skuadrës, duke e bërë mbrojtjen një repart me fizionomi krejt tjetër. Afrimi i katër mbrojtësve në një merkato të vetme tregon qartë se drejtuesit e klubit kanë dashur të rrisin ndjeshëm konkurrencën dhe të forcojnë linjën e fundit të skuadrës. Tetova do të duhet të ndërtojë nga zero marrëveshjet e reja të këtij reparti, të testojë kombinimet më të mira dhe të gjejë formacionin ideal që garanton siguri dhe stabilitet. Në këtë proces, koha do të jetë faktor vendimtar.
Një mbrojtje e re kërkon ndeshje për të krijuar automatizma dhe për të kuptuar reagimet e ndërsjella në situata loje. Ky është një proces që nuk përshpejtohet dot vetëm me stërvitje. pasi prova e vërtetë bëhet në fushë.
MESFUSHA – Në mesfushë, afrimi i Flamur Ruçit është menduar si një shtesë cilësore në një repart që gjithmonë ka qenë kyç për lojën e Egnatias. Edhe pse vetëm një emër i ri është shtuar, rëndësia e këtij pozicioni është shumë e madhe. Mesfusha është ura që lidh mbrojtjen me sulmin, dhe çdo ndryshim këtu ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si ekipi funksionon. Tetova duhet të përcaktojë rolin e saktë të Ruçit, të gjejë mënyrën më të mirë për ta integruar atë në sistem dhe të krijojë balancën e duhur me lojtarët e tjerë.
SULMI – Pjesa më e madhe e afrimeve kanë ardhur në fazën ofensive. Ildi Gruda, Kastriot Selmani, Alesandro Albanese dhe Nikola Buriç i janë bashkuar skuadrës për të shtuar fuqi goditëse, shpejtësi dhe alternativa në sulm. Katër lojtarë të rinj në këtë repart do të thotë më shumë zgjedhje për trajnerin, por edhe më shumë dilema për formacionin titullar. Tetova duhet të gjejë kombinimet më efikase, të përcaktojë rolet e secilit lojtar dhe të krijojë një fazë ofensive që jo vetëm shënon gola, por edhe funksionon si një mekanizëm i mirëkoordinuar.
AFRIMET E EGNATIAS
1. Anio Poçi (Mbrojtës)
2. Xheferson Oliveira (Mbrojtës)
3. Guliem Haime (Mbrojtës)
4. Altin Kryeziu (Mbrojtës)
5. Flamur Ruçi (Mesfushor)
6. Ildi Gruda (Sulmues)
7. Kastriot Selmani (Sulmues)
8. Alesandro Albanese (Sulmues)
9. Nikola Buriç (Sulmues)
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













