Egnatia në provë karakteri, vetëm fitorja vlen ndaj rivalit të preferuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2026 | 22:00

Egnatia në provë karakteri, vetëm fitorja vlen ndaj rivalit të preferuar

Egnatia po mbyll përgatitjet për sfidën e radhës ndaj Bylisit, e cila do të luhet këtë fundjavë në transfertë. Një përballje që në Rrogozhinë shihet si moment kyç për të ndryshuar rrjedhën e rezultateve, duke marrë parasysh se ndaj Vllaznisë dhe Elbasanit kampionët kanë marrë vetëm një pikë.

egnat

Për këtë arsye, kthesa konsiderohet e domosdoshme. Në kampin e Egnatias kjo ndeshje po trajtohet me seriozitet maksimal, pasi vlerësohet si pika ku skuadra duhet të reagojë dhe të rikthejë sigurinë në lojë. Gjendja e ekipit paraqitet pozitive, ndërsa gjatë javës skuadra ka punuar intensivisht në aspektin taktik, me synimin për të shmangur gabimet që kanë kushtuar në përballjet e fundit.

REAGIMI- Përballja me Bylisin vjen në një moment delikat për Egnatian, në një fazë të sezonit ku çdo hap i gabuar ka peshë të madhe. Pas dy ndeshjeve radhazi pa fitore – një situatë që përfaqëson kufirin maksimal të toleruar deri tani – skuadra përballet me një test me rëndësi të veçantë. Statistikat tregojnë se këtë sezon Egnatia nuk ka kaluar asnjëherë në një seri prej tre ndeshjesh pa fitore, duke ditur gjithmonë të reagojë në momentet kritike. Në dy rastet e mëparshme, kur rrogozhinasit kanë ardhur pas dy ndalesash, ndeshja pasuese ka sjellë reagim. Pikërisht kjo e bën duelin me Bylisin simbolik, ose vazhdon kjo prirje pozitive, ose skuadra përballet për herë të parë me një seri negative që mund të ndikojë ndjeshëm në vazhdimësi. Për këtë arsye, brenda grupit është krijuar bindja se kjo sfidë përfaqëson një provë të pastër karakteri.

PRESIONI- Edlir Tetova e di mirë se një tjetër ndeshje pa fitore nuk do të ishte thjesht një statistikë e pafavorshme, por një sinjal alarmi për aspektin psikologjik, renditjen dhe besimin e skuadrës. Kjo e vendos Egnatian nën presionin e detyrimit për rezultat, ku fitorja shihet si e vetmja rrugë për kthesën e shumëpritur. Për teknikun rrogozhinas, kjo nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat, por një duel ku peshohet karakteri i ekipit. Përballë Bylisit, Egnatia ka mundësinë të ndalë menjëherë çdo shenjë dobësie dhe të rikthehet te loja e saj e lirshme dhe e sigurt. Tri pikët do të sillnin qetësi, do të mbanin gjallë garën dhe do të qartësonin objektivat. Në të kundërt, një tjetër ndalesë do të hapte një kapitull të ri, të padëshiruar, që skuadra ka bërë gjithçka për ta shmangur. Në këtë sfidë, edhe menaxhimi emocional gjatë 90 minutave pritet të ketë rol vendimtar.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL