Egnatia gati, zbulon skuadrën e Europës me 21 lojtarë
Egnatia është drejt fundit të përgatitjeve për sfidën historike në Ligën e Kampioneve, ku më 8 korrik, në orën 21:00, do të presë kampionët e Islandës, Breidablik, në stadiumin “Arena Egnatia”.
Kjo do të jetë ndeshja e parë zyrtare ndërkombëtare këtë sezon për klubin rrogozhinas në këtë kompeticion elitar dhe pritshmëritë janë të larta si nga skuadra, ashtu edhe nga tifozët. Në prag të këtij takimi të rëndësishëm, trajneri Edlir Tetova ka përzgjedhur 21 lojtarët që do të jenë në dispozicion për këtë sfidë. Lista përfshin pjesën më të madhe të titullarëve të sezonit të kaluar, por edhe prurjet e reja që janë afruar gjatë merkatos.
Ajo që bie në sy është prania e Ildi Grudës, një emër që ngjall diskutim, pasi për të ka ende një kontest mes Egnatias dhe Vllaznisë, kjo e fundit pretendon se lojtari është ende nën kontratë me të. Përballja me Breidablik është konsideruar e favorshme në letër për Egnatian. Skuadra islandeze vlerësohet më pak në treg dhe nuk ka eksperiencë të theksuar në arenën europiane, megjithatë stafi teknik nuk e nënvlerëson aspak sfidën. Fakti që luhet në shtëpi është një avantazh për rrogozhinasit, të cilët synojnë të marrin një rezultat pozitiv para ndeshjes së kthimit në Islandë.
Sakaq, është zbardhur edhe lista e lojtarëve të gatshëm për ndeshjen me Breidablik: Gruda, Aleksi, Alijev, Bakajoko, Dajsinani, Duka, Fangaj, Guindo, Kuka, Lushkja, Fernando, Ndreca, Poçi, Melo, Ruçi, Selmani, Sota, Ujka, Uotlai, Xhemajli dhe Jahaja. Grupi është thuajse i plotë, me shumë alternativa në të gjitha repartet. Atmosfera në kampin kampion është pozitive dhe të gjitha përgatitjet janë përqendruar te sfida e së martës mbrëma, e cila mund të shënojë një kapitull të ri për historinë e Egnatias në arenën ndërkombëtare.
ZYRTARIZIMET – Egnatia është përqendruar maksimalisht tek aventura e saj historike në Ligën e Kampioneve, ku do të përballet në turin e parë me skuadrën islandeze të Breidablik. Teksa përgatitjet intensive kanë hyrë në fazën përmbyllëse, klubi kampion i Shqipërisë ka nisur edhe procesin e formalizimit të afrimeve të reja që ishin pjesë e grumbullimit, por deri tani pa një prezantim zyrtar. Kështu, ditën e djeshme Egnatia ka zyrtarizuar dy lojtarë që ishin pjesë e fazës përgatitore: Anio Poçin dhe Flamur Ruçin. Të dy futbollistët janë prezantuar me kontrata afatgjata dhe konsiderohen investime të rëndësishme për të ardhmen.
Mesfushori Flamur Ruçi vjen nga Bylisi dhe ka firmosur një kontratë trevjeçare me skuadrën rrogozhinase. Ai është një lojtar i ri, por me përvojë të konsiderueshme në Superiore, dhe pritet të sjellë forcë fizike dhe balancë në repartin qendror të mesfushës, aty ku konkurrenca këtë sezon pritet të jetë më e fortë se kurrë. Nga ana tjetër, Anio Poçi është një mbrojtës që pritet të rrisë alternativat për teknikun Edlir Tetova në prapavijë. Poçi ka firmosur për dy sezonet e ardhshme dhe do të përpiqet të tregojë vlerat e tij në një skuadër që kërkon të përfaqësojë denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













