Egnatia firon në fazën e tretë të Superiores, kampionët marrin 7 pikë më pak
Fitorja ndaj Teutës në ndeshjen e fundit të fazës së tretë i ka dhënë frymëmarrje Egnatias. Triumfi jo vetëm që mban gjallë shpresat e rrogozhinasve në garën për titull, por njëkohësisht krijon edhe një distancë më të sigurt nga zona e “Final 4”.
Megjithatë, pavarësisht këtij rezultati pozitiv, sezoni i kampionëve në fuqi është karakterizuar nga luhatje të theksuara. Analiza e tri fazave të deritanishme të kampionatit tregon qartë se performanca e Egnatias ka ardhur në rënie, sidomos në fazën e fundit. Për të arritur objektivin madhor, vendin e parë në fund të garës 36-javore, skuadra duhet të gjejë më shumë stabilitet dhe të rikthejë ritmin e fazave të para.
FAZA E PARË – Në fazën e parë të kampionatit, Egnatia dha sinjale për një sezon të suksesshëm, edhe pse nisjen nuk e ka pasur të mirë. Gjithsesi, rrogozhinasit e mbyllën këtë cikël me 18 pikë, një bilanc që i mbajti në kontakt të vazhdueshëm me kreun e renditjes. Skuadra tregoi ekuilibër në lojë dhe një organizim që i lejoi të mbledhin pikë të rëndësishme, duke ruajtur vazhdimësinë në rezultate. Ky ishte momenti kur kampionët dukeshin në rrugën e duhur për të qenë protagonistë kryesorë në luftën për titull.
FAZA E DYTË – Në fazën e dytë, Egnatia arriti madje të bëjë një hap të vogël përpara në aspektin e pikëve. Rrogozhinasit grumbulluan 19 pikë, një më shumë se në fazën e parë, duke konfirmuar se skuadra kishte potencialin për të mbajtur ritmin e kreut. Në këtë periudhë, ekipi shfaqi më shumë siguri dhe arriti të ruajë një mesatare të qëndrueshme rezultatesh. Me këtë ecuri, pretendimet për titull dukeshin plotësisht të justifikuara dhe Egnatia konsiderohej një nga favoritët kryesorë të kampionatit.
FAZA E TRETË – Megjithatë, faza e tretë ka qenë dukshëm më problematike. Egnatia ka arritur të mbledhë vetëm 12 pikë, një rënie e ndjeshme krahasuar me dy ciklet e para të sezonit. Kjo ulje në rendiment ka sjellë shqetësim në kampin rrogozhinas, pasi diferenca në performancë është e dukshme. Edhe pse fitorja e fundit ndaj Teutës shërbeu për të rikthyer qetësinë, ajo nuk e fsheh faktin se skuadra ka pasur vështirësi për të ruajtur vazhdimësinë. Nëse Egnatia synon seriozisht titullin dhe vendin e parë në fund të 36 javëve të kampionatit, atëherë duhet patjetër të rikthejë ritmin e fazave të para. Të paktën, objektivi minimal është që skuadra të arrijë sërish kuotën e 18-19 pikëve për fazë, një ritëm që e mban në garë reale për kreun. Fitorja ndaj Teutës mund të shërbejë si një pikë kthese psikologjike për ekipin. Por për të realizuar objektivat madhorë, kampionët duhet të gjejnë stabilitet, të shmangin luhatjet dhe të tregojnë vazhdimësi në rezultatet e javëve në vijim. Vetëm në këtë mënyrë rrogozhinasit mund të mbeten protagonistë deri në fund në garën për titull.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













