Edhe dy vite kontratë, Bilibashi gjen “parajsën” te Laçi
Mishel Bilibashi, mesfushori i kurbinasve që u transferua nga Dinamo te bardhezinjtë verën e shkuar, ka folur për suksesin e arritur nga ekipi i tij në këtë sezon futbollistik, kur kurbinasit fituan Kupën e Shqipërisë. Sipas Bilibashit, çelësi i suksesit është harmonia në grup, puna tejet profesionale e stafit teknik, si dhe korrektësia e drejtuesve për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave. Mesfushori shtatshkurtër do të vijojë të qëndrojë në Laç pasi është nën kontratë me kurbinasit edhe për dy vjet. “Ka më se një javë që e kemi fituar kupën dhe ka momente që nuk më besohet se ka ndodhur diçka e tillë. Kanë qenë vërtet emocionuese për të gjithë. Madje sa herë i kujtoj ato çaste, rrëqethem nga emocionet. Mund të them me plot gojën se ka qenë një sezon përrallor për mua. Por duhet që të gjithë të dinë se fitimi i kupës nga ne nuk ka qenë aspak një rastësi. Laçi ka zhvilluar sezone mjaft të mira prej katër vitesh që me rikthimin në Superiore e kjo nuk mund të jetë rastësi, por rezultat i një pune mjaft profesionale nga stafi teknik, rezultat i harmonisë që ekziston mes lojtarëve si dhe i korrektesës së presidentit Laska”, – u shpreh Bilibashi. Ndërsa për mbështetjen e tifozëve, ai tha: “Tifozët na kanë përkrahur maksimalisht, ndaj dhe një pjesë e suksesit shkon edhe për ta. Mund të na kenë vënë në presion për ta fituar kupën, por ia vlen të përjetosh emocione të tilla. Në fund ua shpërblyem dhe kjo na bën të ndihemi mjaft mirë, sepse ata janë pikërisht arsyeja pse ne të gjithë djersijmë për të fituar një ndeshje futbolli”, – përfundoi 24-vjeçari.
Vladimir Prenga













