E pëson Bregu, Dinamo me mungesa në transfertën e Ballshit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2026 | 8:48

E pëson Bregu, Dinamo me mungesa në transfertën e Ballshit

Dinamo do të përballet të hënën me Bylisin në transfertën e Ballshit, aty ku do të synojë që të marrë më të mirën nga kjo sfidë.

bregu

Këtë sezon, asnjëra nga skuadrat nuk ka arritur të marrë pikë të plota dhe të gjitha ndeshjet janë mbyllur në barazim, duke marrë të dyja ekipet nga vetëm 3 pikë në ndeshjet e zhvilluara mes tyre. Të hënën do të provohet që të merret fitorja e parë nfa të dyja ekipet për objektivat që kanë duke qenë se pozitat në klasifikim nuk janë më të mirat.

Dinamo kërkon “Final 4” dhe fitorja në Ballsh është detyrim për të mos lëshuar më shumë terren me skuadrat e vendeve të para. Nga ana tjetër, Bylisi është duke kërkuar të mbijetojë në Superiore dhe çdo pikë e marrë, është një hap pozitiv drejt qëndrimit për të paktën edhe një sezon, duke parë edhe faktin se Tirana shpesh herë po merr fitore dhe ka fituar shumë terren në fundin e tabelës.

GJENDJA E SKUADRËS- Daja do të detyrohet të udhëtojë në drejtim të Ballshit me disa mungesa të rëndësishme. I pari është Dejvi Bregu, i cili është padyshim lajmi më i keq në kampin blu. Golashënuesi më i mirë në skuadër, ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe do të mungojë.

Dy lojtarë të tjerë që kanë konfirmuar mungesat për sfidën ndaj Bylisit, janë Bernard Berisha dhe Klevi Qefalija. Të dy futbollistët, janë dëmtuar dhe do të jenë jashtë për këtë takim, teksa në kampin blu shpresojnë që të rikuperohen për sfidën e radhës ndaj Tiranës në derbin e kryeqytetit.

PANORAMASPORT.AL