Dy rikthime, mungesa dhe ndryshime. Ja plani i Partizanit ndaj Egnatias
Partizani ka mbyllur dje stërvitjen për një nga ndeshjet më vendimtare të këtij sezoni, atë kundër Egnatias sot në 19:00 në “Arenën e Demave”. Në një pozitë kur katërshja është më në rrezik se kurrë dhe titulli duket shumë i vështirë, Kupa bëhet kryefjalë për Partizanin dhe merr rëndësi primare. Të kuqtë kanë fituar gjysmëfinalen e parë në Rrogozhinë me shifra minimale.

PROBLEMET – Në kushtet kur Atanaskoski ka pasur probleme sa i përket dëmtimeve dhe formës dhe nuk është ende në nivelin e tij të zakonshëm, Gega ka vendosur të mbështetet te Buxhelaj. Por i riu pritet të mungojë.
Në pushimin mes pjesëve vlonjati ka reklamuar një dëmtim dhe Gega vendosi ta zëvendësonte. I riu po kryen terapi dhe u përpoq të rikuperohet, por dëmtimi duket se ka qenë më serioz seç dukej. Lajmi i mirë është rikthimi i Domgjonit, i cili ka kaluar problemin që e pengoi të luante në ndeshjen e fundit. Kujtojmë se, përveç Buxhelajt, edhe Zeka është i dëmtuar.
RRESHTIMI – Lajmi i mirë është rikthimi i Albers Kekos. Lushnjari ishte i pezulluar në ndeshjen kundër Bylisit dhe mungesa e tij u ndje jo pak. Tashmë ai është në dispozicion të trajnerit Gega dhe gati për të kontribuar nga minuta e parë.
Nisur nga problemet, por edhe lajmet e mira, pritet që formacioni të ketë ndryshime në këtë ndeshje. Nëse Buxhelaj nuk ia del, pritet që Gega të detyrohet të aktivizojë një mes Atanaskoskit dhe Domgjonit, ndërsa në sulm i sigurt është rikthimi i Kekos. Ka dyshim edhe në portë, ku në ndeshjen e kaluar në Kupë luajti Alban Hoxha.

PANORAMASPORT.AL













