“Dua të shënoj gol me vlerë pikësh”, Karrica: Vora në limitin e mbijetesës, s’na lejohen gabimet
Futbolli vorak është vënë nën diktatin e një faze deçizive, ku në 4 javët e mbetura, do të luhen ndeshje vendimtare për të realizuar objektivat dhe qëllimet e një sezoni. E sapo vjen fundi i kampionatit, aq më shumë po bien dhe “kambanat e alarmit” për shpëtimin e skuadrës.

E gjithçka kjo luftë do të përfshijë 4 beteja të forta e të vështira, ku në të gjitha, nuk mbetet më kohë për gabime. Kësisoj gjatë kësaj jave e gjithë puna e stafit teknik, dhe të vetë lojtarëve, po përqendrohen vetëm te takimi i radhës, që do të luajnë kundër Egnatias në Rrogozhinë. Është një ndeshje, që vendos shumë për fatet e një sezoni e kurrsesi kjo nuk duhet humbur, ndaj dhe stafi po përgatit me përgjegjësi të plotë të gjithë lojtarët që ndodhen në dispozicion të skuadrës.
Sytë janë drejtuar edhe tek sulmuesi që këtë sezon, Vora ja kishte nevojën më shumë se kushdo tjetër, por që një dëmtim në fillimin e fazës së dytë i ndërpreu hovin e 4 golave të tij, të shënuar që në fazën e parë, duke e shkëputur atë për 21 javë rresht nga kampionati. E ai është 25-vjeçari gjakovar, Bernard Karrica, ku rikuperimi tij përfundoi javën, duke u rikthyer në fushë në ndeshjen kundër Vllaznisë.
Duke u aktivizuar gjithsej në 10 ndeshje gjatë këtij sezoni, ai kërkon të kompensojë mungesën e tij në fushë, me gola vendimtarë në 4 ndeshjet e mbetura, duke nisur që nga takimi i kësaj jave, ku ka projektuar golin e kërkon që ai të ketë vlera pikësh.
Si ndihet Karrica tani pas rikuperimit?
Për momentin ndihem mirë, kam pasur shumë vështirësi gjatë këtij sezoni dhe më vjen shumë keq, që më ndodhi kështu në sezonin e parë të shtetit amë. Kam kaluar dëmtimin dhe tani jam vënë në dispozicion të skuadrës.
Keni shënuar 4 gola që në fillim të sezonit, a do të vijoni sërish detyrat e nisura?
Ashtu si në çdo skuadër secili lojtar ka detyrat e veta edhe unë si sulmues i majtë kam detyrimin për të shënuar gol. E nis mbarë arrita të kryesoja listën e golashënuesve në fazën e parë, ku shënova 4 gola, por dëmtimi më ndërpreu detyrimet e mia. Tani me formën e arritur pas rikuperimit kërkoj më shumë nga vetja që të bëj gjithçka e të shënoj përsëri. Por këtë herë kërkoj, që golat e mi të kenë vlera pikësh, sepse kjo është më e rëndësishme se sa të shënosh dy ose më shumë gola, e të mos marrësh pikë.
Vora është në limitet e mbijetesës, çfarë mund të ndihmojë Karrica në këtë skuadër?
Vora ndodhet në këto limite pasi ka pasur një kampionat mjaft të vështirë dhe në çdo ndeshje ka qenë e cunguar në formacion nga mungesa dëmtimesh, nga përvoja e parë si debutuese në kampionatin e superiores si dhe shpesh herë fati nuk e ka ndihmuar. Çfarë do të bëja unë në këto momente? Unë do të përpiqem të jap kontributin tim maksimal, në shënimin e golave apo edhe në ndikimin e shokëve të mi për të dalë te goli. Tashmë nuk kemi nevojë për spektakël në lojë, por duhet të jemi sa më konçiz që golat tanë të kenë vlera në pikë.
Janë 4 përballje deri në fund, a shpëton Vora?
Që kur nisëm kampionatin objektivi ynë primar ishte mbijetesa. E tashmë jemi në limitet e kufirit të saj. Mundësitë që Vora të shpëtojë janë plotësisht të mundshme nëse do të kemi një garë të drejtë, për të mos ndodhur si javën e kaluar. Megjithatë çdo gjë për mbijetesën tonë rival na mbetet vetëm Vora. Nëse ne do të marrim këto 4 ndeshje një e nga një për të arritur maksimumin, ne do të mund të ja dalim të shpëtojmë sezonin pa shkuar as në “play out”.
A i frikësoheni kalendarit, pasi ju duhet të ndesheni me skuadrat e zonës “play off”, që edhe ata janë të etura për pikë si dhe ju?
Kampionati ka hyrë në një fazë mjaft delikate ku të gjitha skuadrat duan të marrin maksimumin e ndeshjes. Nuk mund të konsideroj asnjë skuadër si më të dobëtën, pasi të gjitha ndeshjet e mbetura janë finale dhe në të gjitha ne hyjmë që të mos dalim pa pikë në asnjë prej tyre. Por fillimisht le ti marrim një e nga një. Le të përqendrohemi te radha, ndeshja kundër Egnatias. Në këtë ndeshje e gjitha lufta jonë do të jetë, që nga kjo përballje të luftojmë për të marrë maksimumin e fundit të mos dalim pa pikë nga Rrogozhina.
A. DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













