Dominim kampionësh/ Egnatia, ekipi që s’ka nevojë për yje
Egnatia ka nisur sezonin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme, duke treguar se titulli kampion do të jetë sërish objektivi i tyre primar. Jo më kot pas gjashtë javësh kanë në krye, edhe pse me pikë të barabarta me skuadrën e Vllaznisë. Gjithsesi, me kalimin e javëve në kampin rrogozhinas shpresojnë që ta kalojnë dhe të jenë të vetëm në krye.

Me këtë motiv, për të mos e lëshuar më vendin e parë, Egnatia do të hyjë në fushë edhe këtë fundjavë me ekipin e Dinamos. Rivali i tyre i drejtpërdrejtë, ndaj të cilëve një fitore ka vlerën e gjashtë pikëve dhe në Rrogozhinë nuk duan që t’u ikë kjo mundësi nga duart, edhe për faktin që do të luajnë në shtëpi. “Kartat” për momentin duken të gjitha në rregull në ekipin e drejtuar nga Edlir Tetova, ndaj nuk ka arsye pse të mos tentohet vetëm maksimumi i mundshëm në këtë përballje.
FORCA TE GRUPI – Në javët e para, skuadra e Tetovës ka lënë përshtypjen e një ekipi që nuk varet nga asnjë individ i vetëm, por funksionon si një organizëm i plotë, ku secili e njeh rolin dhe detyrën e vet në fushë. Në këtë fazë të kampionatit, nuk mund të thuhet se te kampionët ka një “yll” mbi të tjerët. Përkundrazi, Egnatia duket si një skuadër e ndërtuar mbi disiplinën, sakrificën dhe frymën e grupit. Tetova ka kompozuar një ekip të mbushur me punëtorë të fushës, lojtarë që vrapojnë, luftojnë dhe mbulojnë njëri-tjetrin pa bërë shumë zhurmë.
Në çdo ndeshje shfaqet e njëjta ide: ekuilibër në çdo repart dhe efikasitet në lojën kolektive. Pavarësisht se disa emra kanë spikatur me momente të veçanta, forca e Egnatias qëndron te fakti se suksesi është rezultat i punës së përbashkët, jo i ndonjë individi që e mbart skuadrën mbi shpinë. Në një kampionat ku shumë ekipe varen nga formën e një ose dy futbollistëve, Egnatia po dëshmon se stabiliteti dhe forca e grupit janë arma më e fuqishme për të qëndruar në majë. Dhe ky është ndoshta sekreti më i madh i Tetovës: një skuadër pa yje të mëdhenj, por me shumë lojtarë që ndriçojnë bashkë.
Bilanci i përballjeve të fundit mes Egnatias dhe Dinamos flet qartë në favor të skuadrës rrogozhinase. Në 12 ndeshjet e fundit në Superiore, që nga momenti kur Egnatia dhe Dinamo u ngjitën në elitë, kampionët kanë regjistruar 6 fitore, 5 barazime dhe vetëm 1 humbje ndaj bluve të kryeqytetit. Ky raport tregon qartë epërsinë e ekipit të Edlir Tetovës në përballjet direkte, si dhe stabilitetin që skuadra ka arritur në këto sezone.
Megjithatë, në kujtesën e rrogozhinasve mbetet ende e freskët finalja e Kupës së Shqipërisë e edicionit të kaluar, ku Dinamo triumfoi pas gjuajtjeve të penalltive. Ajo humbje i mohoi Egnatias një tjetër trofe historik, duke i dhënë sfidës së radhës një domethënie të veçantë në aspektin sportiv. Për këtë arsye, takimi i radhës është i pari që nga ajo mbrëmje dhe ka më shumë se vlera thjesht për tri pikë. Egnatia kërkon të konfirmojë epërsinë e saj në kampionat dhe të rikthejë “borxhin” ndaj Dinamos
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













