Dodaj një iluzion, FIFA pengon Partizanin për ta kthyer në Superiore
Kevin Dodaj te Partizani? Ky opsion është i pamundur, për shkak të rregullores së FIFA-s. Sulmuesi i CSKA-së ndërkohë e ka rrugën të hapur te Vllaznia, pasi nëse do të jetë për huazim, shikohet si opsioni i vetëm i mundshëm.

Rregulli i FIFA-s e lejon një lojtar që të regjistrohet te tre klube në një sezon, por të aktivizohet në dy prej tyre. Dodaj luajti ndeshje zyrtare me Vllazninë në Europë dhe më pas te CSKA. Kështu edhe pse do mund të regjistrohej si i huazuar te ndonjë klub tjetër me përjashtim të Vllaznisë, sërish nuk do kishte mundësinë që të luante.
Ndryshe mund të thuhet për kuqeblutë ku mund të marrë minuta pa problem. Këto llogari janë vetëm për opsionin e huazimit. Dodaj mund të shitet kudo dhe të luajë pa problem, por vështirë që një klub shqiptar të përballojë koston. Vetë në Bullgari raportohet se Dodaj nuk është përshtatur në maksimum. Interesant është fakti, nëse do të ketë kthim te Vllaznia për pesë muajt e mbetur të sezonit.
DODAJ- Talenti i Kombëtares U-21 luajti vetëm dy ndeshje në korrik për Europën. Impakti për kualifikimin ishte i madh, pasi asistoi dhe shënoi gol. Më pas CSKA bleu kartonin e 20- vjeçarit. Në kampionatin bullgar është aktivituar në tetë javë ku vetëm dy prej tyre i nisi si titullar. Për të kjo ndalesë në karrierë vjen në një moment të papërshtatshëm, pasi kishte vrullin dhe kujtimet e shpërthimit te Vllaznia. Vetë kuqeblutë janë të bllokuar në merkato. Nëse Dodaj do të konsiderohet sërish një opsion, duhen zgjidhur çështjet në FIFA.
PARTIZANI- Te klubi i kuq nuk janë fshehur, duke treguar se ekipi duhet të përforcohet në krahët e sulmit. Dodaj u shfaq si një alternativë, por që dukshëm është e paarritshme. Opsione të tjera po studiohen gjatë kësaj kohe. Për më tepër që ndeshja e fundit për vitin 2025 do të luhet nesër. Fokusi më pas do të jetë te merkato ku duhen mbyllur gropat, për të vijuar më pas drejt arritjes së objektivave.
PANORAMASPORT.AL













