“Do të sjell Gallatasarajin në Vlorë”. Batuta mes presidentësh, Idrizi “tremb” Demin: Jo 5, por 10 milionë euro buxhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2025 | 22:22

“Do të sjell Gallatasarajin në Vlorë”. Batuta mes presidentësh, Idrizi “tremb” Demin: Jo 5, por 10 milionë euro buxhet

Sinan Idrizi konfirmon bashkëpunimin me klubin e njohur turk, Gallatasaraj. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, Idrizi theksoi se pritet që klubi të menaxhohet nga një menaxher i klubit turk. Por Idrizi kërkon edhe bashkëpunimin e Bashkisë së Vlorës dhe Këshillit Bashkiak për të mundësuar zgjidhjen e çështjes së fushave dhe terreneve, pasi drejtuesit e Gallatasarajit kërkojnë edhe infrastrukturë.

IDRIZI

“Do të sjell në Vlorë Gallatasarajin. Ata do të jenë menaxherët e Flamurtarit. Besoj se ata së shpejti do të vijnë këtu. Por unë tashmë dua që të gjej rastin t’i bëj edhe një thirrje Bashkisë së Vlorës dhe Këshillit Bashkiak për të mundësuar zgjidhjen e çështjes së terreneve sportive në Pyllin e Sodës. Ata do të vijnë, por duan ambiente. Siç e kam thënë, ka disa çështje pronësie dhe që i ka sekuestruar prokuroria. Nuk di se si do të zgjidhen”, shprehet Idrizi.

BUXHETI – Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, konfirmon edhe buxhetin milioner që ka sot Flamurtari. E ndërsa gazeta zbuloi se ai ishte 5 milionë euro, Idrizi thotë se është i gatshëm që të japë dyfishin e kësaj shume. Ai zbulon edhe një bisedë që ka pasur me presidentin e Partizanit, Gaz Demi. E ndërsa janë miq, administratori i vlonjatëve zbulon për gazetën edhe batutat që ka bërë me homologun e të kuqve. “Më tha Gaz Demi, ore, çfarë e ke këtë buxhet. Unë i thashë që nuk janë 5 milionë euro, por janë 10. Ata që nuk na duan, na e përgjysmojnë buxhetin. Kështu që mos u beso atyre. Ne kemi buxhet pa limit”, i ka thënë Idrizi homologut të tij, Demi.

DREJTORI POLLOZHANI – Sinan Idrizi konfirmon zyrtarisht se Artim Pollozhani do të jetë drejtori sportiv i klubit dhe Alfred Ferko sekretar i përgjithshëm. “Artim Pollozhani do të jetë drejtori sportiv i klubit, ndërsa Alfred Ferko sekretar i përgjithshëm”, tha Idrizi. I pyetur për Tefik Osmanin, Idrizi nuk ka preferuar të komentojë.

MERKATO – Administratori Sinan Idrizi deklaroi sërish për “Panorama Sport”, se nuk do të kursehet në merkato, ndërsa premton surpriza të mëdha. “Prisni dhe shihni. Do të kemi goditje, që nuk i keni parë dhe dëgjuar ndonjëherë”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL