Dinamo pret Vorën, Ilir Dajës i shtohet një tjetër mungesë
Dinamo do të përballet me Vorën ditën e nesërme në stadiumin “Air Albania”, aty ku natyrisht që do të synojë që të marrë më të mirën. Blutë duhet të lënë pas humbjen në shtëpi ndaj Egnatias dhe kalendari ua bën pak më të lehtë, duke qneë se do të luajnë sërish në shtëpi dhe ashtu si në ndeshjet e mëparshme, “nëndetësja” ka zgjedhur “Air Albanian” si stadiumin që do t’i presë.

Ndaj Vorës, Daja duhet të bëjë pa shërbimet e Klevi Qefalisë që ka plotësuar numrin e kartonëve por njëkohësisht ka humbur edhe shërbimet e Gudiabit. Mesfushori ka ndjerë një shqetësim në ditët e fundit dhe nuk do të jetë i gatshëm për sfidën e së premtes, duke shtuar jo pak hallet për Dajën, i cili tashmë duhet të bëjë pa dy mesfushorë që këtë sezon kanë bërë mirë.
Gjithsesi, stoli i jep opsione të shumta, pasi rikthimi i Ditës në qendër të mbrojtjes, mund t’i japë mundësi Beqjes që të luajë në mesfushë së bashku me Lorenco Vilën dhe Eridon Qardakun. Ky i fundit në petkun e një ish-i, ka nisur të përshtatet mjaft mirë me rolin e ri në fushë dhe ka shënuar dy gola në derbi, pavarësisht se tani po luan larg sulmit, repart të cilin e ka bërë në të shkuarën. Pjesa tjetër, është në gjendje optimale për trajnerin Daja, i cili ka ende futbollistë që ende nuk i ka aktivizuar, si Jonuzi apo edhe të tjerë që aktivizohen me të rinjtë e Dinamos dhe që kanë spikatur.
PANORAMASPORT.AL













