Dinamo pa busull, Daja me hijet e së shkuarës. “Nëndetësja” sheh vendin e katërt edhe më larg

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2026 | 8:31

Dinamo pa busull, Daja me hijet e së shkuarës. “Nëndetësja” sheh vendin e katërt edhe më larg

Dinamo e vitit 2026 po vazhdon të zhgënjejë javë pas jave dhe pak ditë pasi humbi vendin e saj në “Final 4”, rrezikon seriozisht që të largohet edhe më shumë e madje të humbasë edhe vendin e pestë në klasifikim duke qenë se diferenca me Teutën që e ndjek, tashmë është vetëm dy pikë.

Ilir Daja

Bregdetarët kanë një bilanc më të mirë në ndeshje direkte duke marrë 2 fitore dhe 2 barazime, pa i dhënë mundësi Dinamos që të provojë një rezultat pozitiv këtë sezon. Gjërat nuk po shkojnë mirë dhe tensioni në kampin blu tashmë po ndihet për shkak të situatës që është krijuar me rezultatet dhe me klasifikimin. Njëkohësisht, Dinamon e pret një kalendar shumë i vështirë, edhe pse ky sezon ka treguar se nuk ka skuadra të lehta.

Ndërkohë, për trajnerin Daja ky është një nga sezonet me të dobëta në historinë e tij si trajner dhe gjithmonë në rastet kur ka pasur statistika të tilla, Daja është larguar nga detyra si trajner, herë ka dhënë dorëheqje e herë është shkarkuar, megjithëse vlen të theksohet fakti se te Dinamo, kanë besim te trajneri dhe se janë të bindur se gjithçka do të ndryshojë dhe për momentin nuk bëhet fjalë për një largim të mundshëm.

STATISTIKAT E DAJËS- Ilir Daja ka ndërtuar gjatë viteve një karrierë të pasur në futbollin shqiptar dhe në Kosovë. Megjithatë, statistikat e sezoneve të fundit tregojnë se aventura e tij aktuale me Dinamon është ndër periudhat ku trajneri ka hasur më shumë vështirësi, sidomos për sa i përket numrit të humbjeve dhe renditjes në tabelë. Dinamo nën drejtimin e Dajës ka zhvilluar 28 ndeshje, duke regjistruar 10 fitore, 9 barazime dhe 9 humbje. Ky bilanc e vendos skuadrën në vendin e pestë të renditjes. Numri i humbjeve në këtë sezon është ndër më të lartët për Dajën në krahasim me disa nga periudhat më të suksesshme të tij në Shqipëri. Në sezonin 2024/25 me Dinamon, skuadra pati gjithashtu një numër të konsiderueshëm humbjesh, por arriti 7 në total edhe pse arriti të renditej në vendin e tretë pas 33 ndeshjesh me 13 fitore dhe 13 barazime. Megjithatë, sezoni aktual duket se po shkon në një drejtim më të vështirë për trajnerin e për skuadrën, si për nga rezultatet ashtu edhe për nga stabiliteti në renditje. Nëse bëhet një krahasim me periudhat kur Daja drejtonte skuadra të tjera në Shqipëri, diferencat bëhen edhe më të dukshme. Një shembull është periudha te Flamurtari në sezonin 2018/19, kur skuadra zhvilloi 36 ndeshje dhe regjistroi 12 humbje. Edhe pse numri i humbjeve ishte më i madh në total, duhet theksuar se kishte zhvilluar më shumë ndeshje dhe ekipi ruajti një stabilitet më të madh gjatë kampionatit. Po ashtu, në sezonin 2019/20 me Skënderbeun, Daja regjistroi 12 humbje në 36 ndeshje, duke e mbyllur sezonin në vendin e katërt.

RENDITJET- Statistikat tregojnë gjithashtu një element tjetër interesant në karrierën e Dajës pasi vendi i pestë në renditje është një pozicion që është shfaqur disa herë në rrugëtimin e tij si trajner. Përveç sezonit aktual me Dinamon, ai e ka përjetuar këtë renditje edhe në sezonin 2018/19 me Flamurtarin dhe më herët në sezonin 2021/22 me Partizanin, kur skuadra e kuqe përfundoi po në vendin e pestë pas 15 ndeshjesh në atë fazë të kampionatit. Megjithatë, në kontrast me këto periudha më të vështira në Shqipëri, suksesi i Dajës në Kosovë mbetet i padiskutueshëm. Me Ballkanin në Superligën e Kosovës, ai arriti të fitojë tituj radhazi kampion dhe të regjistrojë statistika shumë më të mira, me shumë më pak humbje dhe një dominim të qartë në kampionat. Në këtë kontekst, sezoni aktual me Dinamon duket se përbën një nga sfidat më të mëdha të trajnerit në vitet e fundit në futbollin shqiptar. Numri i humbjeve, paqëndrueshmëria në rezultate dhe rikthimi i vendit të pestë në renditje janë elementë që tregojnë se kjo është një nga periudhat më të komplikuara të Dajës në pankinë. Megjithatë, me eksperiencën e gjatë në futbollin shqiptar dhe sukseset e mëparshme, mbetet për t’u parë nëse trajneri do të arrijë ta ndryshojë rrjedhën e sezonit dhe ta rikthejë Dinamon në garën për “Final 4”, apo Kupa e Shqipërisë do të jetë objektivi që Dinamo do të synojë këtë sezon.

KALENDARI- Pas humbjes ndaj Teutës, Dinamo nuk ka shumë kohë për të pushuar duke qenë se në fundjavë, e pret një tjetër ndeshje e madhe. Të besuarit e Dajës do të udhëtojnë në drejtim të Shkodrës, aty ku do të jenë përballë me Vllazninë. Më pas, ekipi do të pushojë për shkak të Kombëtares dhe menjëherë pas rikthimit, do të luajë me Elbasanin në shtëpi, duke kaluar kështu dy sfida shumë të vështira. Pas Elbasanit, Dinamo do të udhëtojë në Ballsh për të sfiduar Bylisin, e më pas do të ketë derbin me Tiranën, para se të shkojë në Vlorë për të luajtur me Flamurtarin. Të gjitha skuadrat që Dinamo ka përballë në këtë moment, janë skuadra të cilat çdo pikë e kanë jetike.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL