“Dinamo meriton respekt, por jo pikë”, kapiteni Marku: “Nëndetësja” edhe këtë vit nuk fiton me Bylisin
Bylisi mbylli përgatitjet dje dhe skuadra mallakastriote ka qenë e fokusuar tërë javën te dueli që do të luajë sot me blutë në fushën e vet. Mallakastriotët vijnë këtë duel pas një disfate në Rrogozhinë, ndërsa synimi është rikthimi te fitorja. Josa do të jetë me skuadrën e javës së shkuar. Thuajse me kontingjent të plotë, ndërsa lojtarët janë optimistë dhe kanë besim se mund ta kalojnë me 3 pikë këtë duel shtëpie.

Aurel Marku është një nga lojtarët më të dalluar te Bylisi në dy sezonet e fundit, teksa po bën liderin në mbrojtje këtë kampionat dhe e sheh situatën në favorin e skuadrës së tij. Marku në një prononcim për “Panorama Sport”, thekson se:
“Dinamo meriton respekt për emrin që përfaqëson, ka në krye një trajner që e njeh mirë kampionatin, por në fushën tonë blutë nuk kanë fituar vjet dhe nuk do të fitojnë as sot. Jemi të motivuar dhe kemi punuar shume gjatë kësaj jave dhe tërë vëmendja ka qe ë kjo ndeshje, të cilën ne duhet qe ta fitojmë me çdo kusht sepse konsolidojmë pozitat në renditje.
Unë jam i bindur se nuk do të gabojmë me, sepse kemi pasur një formë të mirë, por duhet që të shfrytëzojmë rastet që na jepen para portës kundërshtare. E them këtë vazhduar edhe në ndeshjen e fundit në Rrogozhinë, ku në pjesën e parë ne duhet të shënonimm2-3 gola. Janë edhe gjashtë na ndeshje, 18 pikë në lojë dhe duhet që të grumbullojmë sa më shumë për të lënë pas rivalët tanë.
Kemi një kalendar shumë të vështirë, por besoj se kjo është në saj të formulës dhe të gjithë bëjnë llogari në këtë fazë delikate të garës. Ne duhet që të fokusohemi te kjo ndeshje, sepse fitorja na bën mirë edhe na mban të karikuar. Në fushën tonë nuk do të falim asnjë ekip, deri në fundin e garës, duke filluar që nga sot me Dinamon”, tha Aurel Marku që te Bylisi mban edhe shiritin e kapitenit dhe luan sezonin e tij të tretë, dhe te dytin si titullar.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













