Dinamo e Ilir Dajës në alarm, në 52% të ndeshjeve nuk shënon
Sfida mes Dinamos dhe Elbasanit vjen si një duel interesant mes dy skuadrave me objektiva dhe forma të ndryshme këtë sezon në Superiore. Shifrat tregojnë qartë diferencat, por edhe elementët ku ndeshja mund të vendoset. Elbasani mban vendin e dytë me 53 pikë në 29 ndeshje, duke qenë një nga skuadrat më të qëndrueshme të kampionatit.

Me 14 fitore dhe vetëm 4 humbje, verdheblutë kanë ndërtuar një sezon solid, ku dallon sidomos vazhdimësia në rezultate dhe balanca në të dy fazat e lojës. Nga ana tjetër, Dinamo renditet në vendin e pestë me 40 pikë. Blu-të kanë qenë më të luhatshëm, me një bilanc të balancuar, 10 fitore, 10 barazime dhe 9 humbje. Një ekip që shpesh ka vuajtur për të kthyer ndeshjet në favor të tij, sidomos në momentet vendimtare. Diferenca më e madhe mes dy skuadrave qëndron te efikasiteti.
Elbasani ka një mesatare prej 1.83 pikësh për ndeshje, krahasuar me 1.38 të Dinamos. Gjithashtu, verdheblutë humbasin shumë pak dhe janë më të sigurt në administrimin e rezultateve. Në aspektin ofensiv, të dy ekipet nuk janë ndër më shpërthyesit, por Elbasani sërish ka një avantazh të lehtë me 35 gola të shënuar kundrejt 31 të Dinamos.
Megjithatë, ajo që bie më shumë në sy është diferenca te ndeshjet pa shënuar, Dinamo nuk ka gjetur rrugën e rrjetës në mbi gjysmën e ndeshjeve (51.72%), ndërsa Elbasani vetëm në 5 raste gjatë gjithë sezonit. Edhe mbrojtja është një pikë e fortë për të dy skuadrat. Dinamo ka pësuar 23 gola, ndërsa Elbasani 22, shifra që tregojnë se pritet një ndeshje e fortë dhe e mbyllur.
Kjo konfirmohet edhe nga statistikat e golave, shumica e ndeshjeve të të dy ekipeve kanë përfunduar nën 2.5 gola, duke lënë të kuptohet se detajet do të bëjnë diferencën. Një tjetër element në favor të Elbasanit është qëndrueshmëria në mbajtjen e portës së paprekur, me 13 “clean sheets” kundrejt 11 të Dinamos. Në letër, Elbasani hyn si favorit, por Dinamo ka treguar se di të jetë një kundërshtar i vështirë, sidomos në ndeshje të mbyllura dhe taktike. Përfundimi pritet të varet nga një episod, një gol, një gabim apo një moment individual.
PANORAMASPORT.AL













