Dhuna në futbollin e vajzave, tre persona shoqërohen në polici. Mbyllet ndeshja me më shumë kartona të kuq se gola
Futbolli i vajzave sjell jo pak herë skena të shëmtuara dhe sot është prodhuar një prej tyre. Teuta dhe Gramshi luajtën në aneksin e stadiumit “Niko Dovana” duke e mbyllur me fitoren 2-1 të vendësve, ndërsa loja u ndërpre pas dhunës që shpërtheu në pjesën e parë.

Ndeshja qëndroi e ndërprerë për 8 minuta. Acarimi nisi me Musajn dhe Kotarjan, që u ndëshkuan me karton të verdhë në fillimin e ndeshjes. Më pas gjyqtarja Emanuela Rusta i tregoi kartonin e kuq Leonora Dedgjonaj, që është kapitenja e Gramshit. Kjo për shkak se shkaktoi faull si lojtare e fundit.
Pas kësaj erdhi goli i Goros te Teuta. Dhuna përplasi lojtarët e të dyja skuadrave, ndërsa për qetësimin e situatës u nevojit ndërhyrja e policisë. Në pjesën e parë të dyja skuadrat mbeten me 9 lojtarë. Mikaela Metalla dhe Da Paiksao u larguan nga Teuta me karton të kuq, ndërsa Kenza Allaoui iu bashkua Dedgjonajt te Gramshi.
Në pjesën e dytë, Teuta shënoi një herë tjetër dhe Gramshi ngushtoi shifrat pa arritur të ndryshojë fatin e takimit. Policia shoqëroi tre persona pas sfidës, konkretisht dy vajza dhe një djalë që ishin të afërm të vajzave.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













