“Demat” sfidojnë “Tigrat”, duel deçiziv në Elbasan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2026 | 14:20

“Demat” sfidojnë “Tigrat”, duel deçiziv në Elbasan

Partizani udhëton ditën e sotme drejt Elbasanit, aty ku në orën 19:00 në “Elbasan Arena” përballet me skuadrën vendase në një duel që pritet të dhurojë shumë emocione e spektakël, e që po ashtu është shumë i rëndësishëm për të dyja skuadrat në këtë pikë të kampionatit. Si të kuqtë, ashtu edhe verdheblutë vijnë pas humbjeve respektive me Vllazninë dhe Dinamon, duke lëshuar disi terren sa i takon objektivave përkatëse.

elbasani-partizani

Te Partizani kërkojnë me çdo kusht që të ruajnë vendin e katërt dhe të kualifikohen për fazën e “Final Four”, ndërsa Elbasani pretendon titullin kampion dhe kërkon që të qëndrojë sa më pranë Vllaznisë dhe t’u bëjë presion shkodranëve. Sa i takon ndeshjes, në fushë do të zbresin dy skuadra që njëra-tjetrën e njohin mirë, pasi mes kampionatit dhe Kupës janë përballur plot pesë herë në këtë edicion. Bilanci flet për Elbasanin, që në Kupë i eliminoi kryeqytetasit në raundin çerekfinal, pavarësisht se kryeqytetasit triumfuan në ndeshjen e parë me shifrat 0- 1.

Kjo është edhe fitorja e vetme e Partizanit në këtë sezon me Elbasanin, teksa në kampionat Elbasani ka fituar në takimin e fazës së parë, ndërsa dy ndeshjet e tjera janë mbyllur në barazim. Skuka dhe Lajthia kanë rezultuar personazhet kryesorë në këto takime. Sulmuesi i dhuroi Partizanit fitoren në Kupë, ndërsa shënoi edhe në barazimin 2-2 në kampionat, ndërsa nga ana tjetër Lajthia është shndërruar në një makth për Partizanin, pasi i ka ndëshkuar “Demat” në barazimin 2-2 në kampionat, duke i shënuar të dy golat, ndërsa iu realizoi edhe një tjetër dygolësh në fitoren 1-3 të verdhebluve në Kupë. Kështu, te Partizani e dinë mirë nga vjen rreziku dhe do të tentojnë që këtë herë ta ndalojnë 27-vjeçarin që të shkojë sërish te rruga e rrjetës.

Sakaq, në radhët e Partizanit në këtë ndeshje do të mungojë David Atanaskoski. Një personazh i rëndësishëm për trajnerin Oltijon Kërnaja, megjithatë në krahun e majtë të mbrojtjes do të aktivizohet Paulo Buxhelaj, që gjithashtu ka treguar se di të bëjë mirë sa herë që është thirrur në apel. Ndërkaq, duhet theksuar se kryeqytetasit do të ndjejnë edhe mungesën në stol të teknikut Kërnaja, që u ndëshkua me karton të kuq ndaj Vllaznisë, e në këtë ndeshje udhëzimet do të mund t’i japë vetëm nga tribuna.

Sakaq, në radhët e kryeqytetasve dihet tashmë mungesa e Markut, Fadairos, ndërsa listës i është shtuar edhe Karlos Martinez, që së fundmi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pas dëmtimit në shpatull në ndeshjen me Vllazninë. Të gatshëm për Partizanin në këtë ndeshje pritet të jenë edhe Preka me Kekon, por sigurisht dyshja vjen me një minutazh të reduktuar pas dëmtimeve të gjata që i kanë shoqëruar në këtë sezon.

PANORAMASPORT.AL