Deliallisi paralajmëron Laçin: Korabi nuk fal askënd në shtëpi
Java e 26-të e kampionatit e gjen Korabin përpara një sfide shumë të rëndësishme në fushën e vet, ku do të përballet me Laçin, skuadrën që po kalon një moment të jashtëzakonshëm me 11 fitore radhazi.

Dibranët vijnë në këtë takim pas një humbjeje të thellë në transfertën e Pogradecit dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm. Fitorja ndaj kurbinasve vlen fillimisht për t’u larguar nga zona e rrezikut, por edhe për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në zonën “play off”. Trajneri i Korabit, Alfred Deliallisi, e pranon se disfata në Pogradec ishte një goditje e fortë për skuadrën, megjithatë beson se ekipi ka forcën për të reaguar duke nisur që nga sfida e sotme.
“Edhe pse shënuam një gol të shpejtë në Pogradec, nuk ditëm ta administronim epërsinë. Kundërshtari ka meritën e vet, sepse pas golit na vuri nën presion dhe e përmbysi shpejt rezultatin. Ishte një humbje e padëshiruar për ne. Tani duhet të rikuperojmë pikët e humbura në ndeshjet e ardhshme, pasi sezoni është ende i gjatë”, u shpreh fillimisht Deliallisi.
Ai pranon se kalendari i Korabit është mjaft i vështirë, pasi skuadra do të përballet radhazi me ekipet kryesuese të kampionatit. Megjithatë, sipas tij, pikërisht ndeshjet në shtëpi do të jenë çelësi për arritjen e objektivave.
“Kemi një kalendar shumë të fortë, pasi na presin përballje me tre skuadrat kryesuese, që mund të quhen pa frikë gjigantët e kësaj kategorie. Humbjen me Pogradecin e kemi lënë pas dhe tani jemi plotësisht të fokusuar te sfida me Laçin. Logjikisht, në shtëpi nuk mund të falim askënd. Po e përgatisim skuadrën për të marrë maksimumin, sepse një fitore do të na afronte me objektivin tonë, që është të jemi mes gjashtë ekipeve të para. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, pasi Laçi ka treguar forcë dhe vazhdimësi, por ne do të bëjmë gjithçka për të marrë një rezultat pozitiv”, ka deklaruar trajneri i dibranëve.
Për Korabin, përballja me Laçin përfaqëson një mundësi të artë për reagim dhe për të treguar se skuadra është e aftë të përballojë edhe sfidat më të forta në këtë fazë vendimtare të kampionatit.
A.DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













