Deliallisi paralajmëron: Korabi s’ndalet, çdo ndeshje është finale për “play off”
Korabi ka shfrytëzuar ndërprerjen e kampionatit për të zhvilluar një test miqësor ndaj Vorës, skuadër e Superiores, në një përballje që i shërbeu shumë stafit teknik për të parë nga afër gjendjen reale të ekipit. Trajneri Alfred Deliallisi e vlerëson maksimalisht këtë provë, duke theksuar se grupi që ka në dispozicion është i fortë dhe i aftë për të realizuar objektivat e vendosura nga klubi.

Ky takim miqësor përkoi edhe me një moment personal për trajnerin, ditëlindjen e tij, por fokusi mbeti te skuadra dhe përgatitjet për ndeshjet vendimtare që e presin Korabin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Deliallisi u ndal fillimisht te rëndësia e testit ndaj Vorës. Korabi duket në një moment të mirë dhe me një trajner të vendosur për të mos lëshuar asnjë centimetër në garën për “play off”, duke e kthyer çdo ndeshje në një betejë vendimtare.
Sa u shërbeu testi me Vorën dhe a i përmbushi pritshmëritë tuaja para sfidës me Lushnjën?
Ky test ishte brenda pritshmërive tona. Donim të shikonim reagimin e skuadrës, sidomos pas ndeshjeve të fundit ndaj Laçit, Skënderbeut dhe Luftëtarit, ku ekipi ka treguar gjendje shumë të mirë dhe ka dhënë sinjale pozitive për arritjen e objektivave. Edhe ndeshja me Vorën ishte e një niveli të lartë, thuajse si në Superiore, një test luksi për ne. Lojtarët zbatuan në fushë detyrat që u dhamë dhe jam shumë i kënaqur nga paraqitja.
Pamë një paraqitje të mirë të të riut Alkollari. A është ky një sinjal për afrime cilësore në ekip?
Nuk dua të ndalem te emra të veçantë. Ashtu si Alkollari, edhe Alesio është një pjesë e rëndësishme e ekipit. Por mbi të gjitha jam i kënaqur me gjithë grupin. Nga lojtari i parë te i fundit, të gjithë treguan se kemi një skuadër të fortë dhe të bashkuar. Kjo na jep besim për të ecur përpara drejt objektivave tanë.
Në fundjavë përballeni me Lushnjën. Sa gati është Korabi për këtë sfidë?
Korabi hyn në çdo ndeshje për të fituar. Kontrata jonë me drejtuesit e klubit është e qartë,0 të renditemi në 6 vendet e para. Tani jemi më pranë se kurrë për ta arritur këtë objektiv. Deri në fund të sezonit kanë mbetur edhe 5 ndeshje dhe ne i konsiderojmë të gjitha si finale. Finalja e radhës është Lushnja dhe jemi maksimalisht të fokusuar për ta kaluar me sukses.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













