Defekti vazhdon/ Elbasani, problemi është përgjumja në nisje të lojës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2025 | 21:54

Defekti vazhdon/ Elbasani, problemi është përgjumja në nisje të lojës

Elbasani vazhdon të vuajë nga një sëmundje e vjetër e këtij sezoni. Bëhet fjalë për golat në start, të cilët verdheblutë po i pësojnë me shumicë këtë vit, çka i ka kushtëzuar më pas edhe në rezultatin përfundimtar. Një përgjumje e elbasanasve që ka nisur kur trajner ishte Roberto Bordin, por ende nuk e ka gjetur “ilaçin” për këtë problem as Ivan Gvozdenoviç.

elbasani vllaznia

Rasti më i fundit ishte përballja ndaj Laçit, e cila nisi me një gol në minutën e pestë për kurbinasit dhe në fund elbasanasit dolën pa pikë. Mirëpo, ajo ndeshje ishte thjesht një fotokopje e shumë sfidave të kaluara që kanë nisur në të njëjtën formë.

Për këtë arsye, ndaj Tiranës ditën e nesërme do të jetë pikërisht starti i sfidës meraku më i madh i Gvozdenoviç, në mënyrë që të mos e nis ndeshjen në disavantazh, për të komplikuar më pas situatën përgjatë 90- të minutave. Pjesë me të cilën është marrë gjatë këtyre ditëve edhe serbi, duke kërkuar shumë kujdes nga të tijtë në minutat e para, të cilëve u janë bërë “ferr”.

NGËRÇI I STARTIT – “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim situatës me të cilën përballen verdheblutë në minutat e para dhe shifrat lënë vërtet për të dëshiruar. Më saktësisht, në harkun kohor nga minuta e parë deri në të 30-ën, elbasanasit kanë pësuar plot 10-të gola.

Një shifër vërtet e lartë, po te marrim parasysh se në total ka pësuar 27-të të tilla. Situata është akoma më alarm ante po të llogarisim se pesë prej këtyre golave janë pësuar brenda 15-të minutave të para, ndërsa tre prej tyre pa u mbushur ende dhjetë minuta lojë. Këto shifra tregojnë se verdheblutë janë në “gjumë” në nisje të ndeshjes.

PJESËT – Sa i përket më pas pjesëve të lojës, duket se ka një balancim mes tyre sa i përket golave të pësuar. Më konkretisht, nga 27-të rrjeta të pësuara, 14-të kanë ardhur në pjesën e parë dhe 13-të në të dytën. Gjithsesi, sërish tregohet se pjesën e parë verdheblutë kanë më shumë probabilitet që të pësojnë dhe golat e ardhur në start nuk janë më një rastësi, por një defekt që Gvozdenoviç do të përpiqet ta riparojë sa më parë.

PËRMBYSJET – Të pësosh gol i pari dhe për më tepër shumë shpejt, të bën ta nisësh ndeshjen në “malore” dhe të kthehet në një mision të pamundur më pas të fitosh. Praktikisht duhet që të përmbysësh ndeshjen, diçka që për verdheblutë nuk ka rezultuar e lehtë.

GOLAT E PESUAR

Ka ndodhur vetëm dy herë këtë sezon që elbasanasit të kenë dalë me tri pikë kur kanë pësuar të parët. Më konkretisht ndaj Bylisit fazën e dytë dhe së fundmi Teutës para pak ditësh, duke fituar me të njëjtin rezultat, 3-1. Në të gjitha ndeshjet e tjera janë mundur ose në rastin më të mirë kanë shkuar deri tek barazimi.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL