Debutuesit mbulojnë mungesat, ja Partizani i 2025-ës
Partizani dhe Vora do të kenë një test të vërtetë ditën e diel. Më 24 gusht, ora 20:00, të dyja skuadrat do të matin forcat. Për Vorën është sfidë historike, pasi për herë të parë luajnë në Superiore.
Ndeshje e veçantë do të jetë edhe për Partizanin, ndërsa vjen debutimi i trajnerit Mladen Milinkoviç. Një ndeshje e gjitha për t’u shijuar në “Arena e Demave”. Dhe pikërisht përballja mes këtyre dy skuadrave do të mbyllë javën e parë të Superiores. Duke parë situatën aktuale në kampin e kuq, “Panorama Sport” ka ndërtuar një formacion. Sigurisht është vetëm i mundshëm dhe nuk përjashtohet mundësia për të pasur disa ndryshime deri të dielën. Milinkoviç ka treguar në karrierën e tij se preferon skemën 4-2-3- 1. Dhe te Partizani me shumë gjasa do i qëndrojë besnik.
MBROJTJA- Për të ndërtuar mbrojtjen e Partizanit është më e lehtë se me repartet e tjera. Kjo pasi Martinez,Preka dhe Sembene janë lojtarët që kanë fituar minuta në pozicionet respektive. Kështu nuk pritet të ketë lëvizje. Dilema e vetme mund të jetë në krahun e majtë të mbrojtjes. Për shkak se Buxhelaj nuk ka qenë në çdo seancë stërvitore, Atanaskoski pritet të mbajë peshë kryesore. Mbrojtësi nga Maqedonia e Veriut është ka eksperiencën e duhur për të bërë mirë.
MESFUSHA- Dilemat në mesfushë janë të shumta. Te Partizani ekziston mundësia që Rouen Hjumen të debutojë. 24-vjeçari e ka marrë veten nga udhëtimi i gjatë, për këtë pritet t’i besohet menjëherë fanella e titullarit. Nga mesfushori i kombëtares së Afrikës së Jugut pritet shumë në këtë edicion. Krah tij me shumë gjasa do qëndrojnë Mehmeti dhe Ismaili. Dyshja e shqiptarëve nga Kosova do të merrte përgjegjësi të mëdha në këtë fillim kampionati.
SULMI– Dilemat më të mëdha në sulm janë për qendrën. Diego Kontreras është stërvitur vazhdimisht prej më shumë se dy javësh. Kështu nuk mund të përjashtohet mundësia që kolumbiani ta nisë si titullar. Bintsuka është bashkuar tashmë me skuadrën, ndërsa po ashtu qëndron si opsion për të fituar minuta. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Skukën, që la pas tërheqjen e pësuar në fillimin e gushtit. Isgandarli dhe Garsia në krahët e repartit ofensiv shfaqen si alternativa, të cilët akoma duhet të tregojnë veten.
MUNGESAT- Kote nuk ia del për javën e parë të Superiores. Malaj, Skuka dhe Shanaj janë bashkuar së fundmi me pjesën tjetër të skuadrës. Kjo është arsyeja përse mund ta nisin në stol. Nondi nuk do të llogaritet në vazhdim, për shkak të dëmtimit të rëndë që pësoi si Keko. Ogunleje qëndron në kamp me Nigerinë U20 ku vazhdojnë përgatitjet për Botërorin U-20. Jata akoma nuk është pajisur me vizë nga shteti i Gambias. Kjo është arsyeja përse Partizani nuk është akoma në maksimumin e tij.
DEBUTIMET- Hjumen dhe Kontreras presin mundësinë e tyre në një ndeshje zyrtare. Nëse Hjumen do e ketë me siguri, për Kontreras asgjë nuk mund të garantohet. Një element shumë i rëndësishëm për ekipin B, që do të ndihmonte edhe te skuadra e Milinkoviç. Me interes pritet të shihet dhe Viktor Da Silva. Ky i fundit ka punuar për të fituar formën e duhur fizike. Në titullin e fundit kampion, dy vite më parë, ishte ndër lojtarët me kontributin më të madh.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













