Dashuroi mbesën e një zyrtari komunist, e hoqën nga futbolli
NGA ABDULLA DUSHKU
Nëse futbolli shqiptar krenohet me emra të mëdhenj duke nisur nga Panajot Pano dhe shumë të tjerë, lezhjanët krenohen me Shaqir Xhabirin. Një nga protagonistët në evenimentet më kryesore të klubit lezhjan. Historia e tij është komike kur tregohet në ditët e sotme, por normale për periudhën e komunizmit. Është historia e një futbollisti, karriera e të cilit u ndërpre në mes, pasi mëkati i vetëm që bëri ishte se ra në dashuri me mbesën e një zyrtari të lartë në administratën e asaj periudhe
Familja dhe fëmijëria
Shaqir Xhabiri siç quhet nga lezhjanët ose Shaqir Idrizi siç quhet me gjendjen civile u lind në një nga shtëpitë tradicionale lezhjane. Lindi më 1 gusht 1955 në lagjen “Skënderbeg”, në një familje që përbëhej nga prindër që mundoheshin me mjaft sakrifica të rritnin 8 fëmijët e tyre, në atë regjim të vështirë për këdo. Shaqiri ishte fëmija e tyre e parë. Babai i Shaqirit ka qenë një njeri i nderuar në qytetin e Lezhës, duke punuar si përgjegjës në fabrikën e bukës. Xhabiri, babai i Shaqirit, është bërë i njohur në Lezhë, jo vetëm për punën e tij, por edhe për faktin se ka veshur fanellën e ekipit “Fitorja” siç quhej në atë kohë skuadra lezhjane. Një lojtar i gjatë, elegant dhe plot muskuloz, do të bëhej protagonist në shumë fitore. Ndër 8 fëmijët e familjes Xhabiri, fëmija e parë ishte Shaqiri. Prandaj, edhe debulesa e të atit ishte që i biri i tij të ndiqte rrugën e tij. Madje, prej famës që kishte i ati, të gjithë lezhjanët e thërrisnin Shaqir Xhabiri, pasi mbiemri i tyre ishte Idrizi.
Karriera
Që në moshën 13-vjeçare, ai aktivizohet me ekipin e lagjes, si një trashëgimi e lënë nga babai, me grupmoshat e asaj kohe dhe falë aftësive e zotësive të tij bie në sy të specialistëve të asaj kohe dhe një vit më vonë grumbullohet pranë ekipit të të rinjve të Besëlidhjes që në atë kohë drejtohej nga trajneri Qemal Veseli dhe Skënder Laçaj. Falë punës, pasionit, këmbënguljes dhe përkushtimit, që në atë moshë e kishte “peshkuar” trajneri mjeshtër i Besëlidhjes, Isuf Pelingu ose siç thirrej shkurt, Cufi. Rrallë ndodh që një 15-vjeçari t’i besohej aktivizimi në ekipin e të rriturve, pranë skuadrës së parë të Besëlidhjes. Sapo mbushi 16 vjeç, ai u afrua tek ekipi i parë. Madje, ka hyrë në histori si lojtari më i ri i aktivizuar në një aktivitet kombëtar siç ishte Kupa e Shqipërisë. Ka qenë ndeshja Besëlidhja-Flamurtari e zhvilluar në Vlorë, ndeshja debutuese e lojtarit që për memorien e Shaqirit është ende e freskët. Një ndeshje që u mbyll në barazim 2-2, duke mbetur më pas në formacionin e kësaj skuadre, ku vazhdimisht mbante në kurriz fanellën me numër 4. Ai shënoi 9 gola në 11 vitet e karrierës, që të gjithë me gjuajtje “predhë” duke shënuar njërin gol më të bukur se tjetri. Ai pati vlerësimin maksimal si një talent i ri që po shfaqej duke e justifikuar në çdo ndeshje aktivizimin e tij. Ai do t’i bashkohej një plejade futbollistësh të viteve më të arta të futbollit lezhjan, si Nikolin Lorenci, Salvador Kaçe, Vasil Bici, Fehmi Rama, Xhabir Gruda, Gjergj Filipi, Bedri Omuri etj. Së bashku me të, është edhe një listë e gjatë grupi lojtarësh, me të cilët përbëhej karriera e tij në ekipin e Besëlidhjes, ku Shaqir Xhabiri do të ishte një “kockë e fortë” në mbrojtje për çdo ekip të madh. Shaqir Xhabiri ka lënë gjurmë jo vetëm në stadiumin e Lezhës, por edhe në stadiumet ku ka luajtur dhe emri i tij nuk do të harrohet kurrë si një lojtar i talentuar.
Largimi nga futbolli
Futbolli është fat dhe nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet në fushë, atëherë një lojtar detyrohet të tërhiqet. Por, shkaku i tërheqjes së Shaqir Xhabirit nga futbolli është vërtet qesharak kur tregohet në kohët e sotme. Ai sapo kishte mbushur 25 vjeç dhe Besëlidhja ishte shpallur kampione e Kategorisë së Dytë dhe në sezonin pasardhës, 1981-1982, do të ngjitej në elitën e futbollit shqiptar (sot, Superiorja). Ekipi në atë kohë gjatë fazës përgatitore do të grumbullohej në Razëm (Shkodër) dhe për habinë e të gjithëve ndodh çudia. Shaqir Xhabiri nuk grumbullohet. Një direktivë e vullnetarëve të Komitetit të Partisë së Rrethit Lezhë, pa asnjë motiv, kishte vendosur largimin e tij. Më i habituri ndër ta ka qenë zv/trajneri i Besëlidhjes në atë sezon, Qemal Veseli, i cili, duke lexuar listën, vëren se emri i Shaqir Xhabirit ishte hequr me urdhër nga lart. “Kam ngelur i habitur në atë moment, pasi do na mungonte shtylla kryesore e ekipit, një futbollist i stabilizuar me të gjitha cilësitë që i duhen”, ka deklaruar Veseli. Të gjithë i mundonte një pyetje, cila ishte arsyeja që e detyroi Xhabirin që vetëm 25 vjeç të hiqte dorë nga futbolli? Kjo ishte e imponuar dhe kundër vullnetit e dëshirës së tij. I mohuan të gjithë djersën dhe talentin e shprehur deri në atë periudhë, vetëm me një urdhër nga lart. Në atë moshë, ai dashuronte mbesën e Sekretarit të Komitetit të Partisë së Rrethit të Lezhës dhe kjo ishte edhe arsyeja që e penalizoi për të vazhduar karrierën. Emrin e funksionarit të lartë Xhabiri nuk dëshiron ta përmendë. Pavarësisht debateve dhe diskutimeve të shumta që ngjalli kjo histori në atë kohë, vetë Shaqiri nuk dëshiron t’i përmendë, edhe pse kanë kaluar rreth 34 vjet nga ajo kohë. Edhe pas largimit nga Besëlidhja, ai ka pasur kërkesa për t’u bashkuar me ekipe të ndryshme, por nuk ka dëshiruar të largohej nga qyteti i vendlindjes, Lezha, ku më të shumtën në vendimin e tij ka ndikuar i ati që nuk e lejoi.
Karriera si trajner
Kështu, nga ajo periudhë e vitit 1981 e deri në vitin 1997, ai ka qenë i detyruar të largohej përkohësisht nga futbolli. Pikërisht, në vitin e mbrapshtë kur po shkërmoqej shteti shqiptar, më 1997, ka qenë ndihmesa e ish-trajnerit të tij, i madhi Isuf Pelingu duke e zgjedhur në stafin e tij si ndihmëstrajner në ekipet e moshave. Pas vdekjes së profesorit, Xhabiri nuk i braktisi fëmijët, por me përkushtim dhe ndoshta edhe pa asnjë ndihmë financiare, ai vazhdoi punën vullnetarisht duke ndërtuar një ekip pretendent dhe duke nxjerrë talentet e para nga dora e tij. Për të nisi karriera e re si drejtues teknik. Ndërkohë që në vitin 2000 ai do të shpallej kampion në U-15, me talentet e dala prej tij, si: Gjidoda, Marku, Molla, Meksi e shumë e shumë të tjerë, të cilët vazhdojnë të jenë ende edhe sot në ekipe të ndryshme si titullarë. Të njëjtën gjë e përsërit në sezonin 2003-2004 kur për moshat U-13, skuadra e tij shpallet kampione, ku një grup talentesh të reja si T.Marku, F.Kraja, V.Ndoka, B.Met’hasani, E.Doda etj., dhe prej kësaj plejade do të grumbulloheshin me ekipin kombëtar U-15, Redian Idrizi dhe Realt Sokoli. Kështu, falë punës, vullnetit, pasionit, këmbënguljes dhe përkushtimit të tij, ai rifillon një jetë të lidhur me fushën e blertë, ku me të ai lidhi rininë e tij të dikurshme.















