Daja gjen skemën fituese, eksperimenti me “3” nuk bind më te Dinamo
Dinamo arriti më në fund të merrte një fi tore të madhe në kampionat, duke mundur me rezultatin e thellë 4-1 skuadrën e Elbasanit.

Kjo fitore e rikthen sërish në garë për një vend në “Final 4” skuadrën e Dinamos, duke qenë se diferenca me Partizanin tashmë është vetëm një pikë dhe kanë mbetur edhe 6 javë kampionat, nga të cilat ndeshja e fundit e sezonit është përballja direkte mes Dinamos dhe Partizanit.
Të besuarit e Dajës kanë për momentin edhe avantazhin e ndeshjeve direkte duke qenë se kanë fituar 2 ndeshje dhe janë mundur vetëm një herë megjithatë, sfidat e fundit të bluve kanë rikthyer besimin te skuadra se “Final 4” mund të arrihet dhe skuadra të jetë në garë për titullin kampion, teksa njëkohësisht luftohet edhe për Kupën.
SKEMAT- Trajneri Daja njihet si një nga trajnerët më besnikë të lojtarëve me eksperiencë duke mos i dhënë shumë hapësirë të rinjve, teksa është edhe besnik i formacionit dhe skemës së tij të preferuar. Por, situata dhe rezultatet negative të Dinamos, e kanë detyruar shpesh herë trajnerin Daja që të ndryshojë edhe skemë dhe disa herë e ka “tradhtuar” skemën e tij të preferuar, duke eksperimentuar disa herë me skuadrën e Dinamos. Së fundmi, Dinamo ka fituar ndaj Elbasanit me rezultatin 4-1, rezultat ky ndër më të thellët e këtij sezoni, vecc asaj 6-2 ndaj Tiranës në derbi. Vecc fitores, Dinamo bëri një paraqitje të mirë edhe në takimin kundër Vllaznisë në Shkodër, ku pavarësisht barazimit pa gola, skuadra blu zhvilloi një ndeshje shumë të mirë dhe dha sinjale të qarta se kriza kishte kaluar dhe se skuadra ishte duke u rikthyer në formën e dikurshme të kampionatit.
Në të dyja këto sfida, Daja ka përdorur të njëjtën vendosje, duke përdorur skemën 4-1-2- 3, me katër mbrojtës dhe një mesfushor para mbrojtjes. Ndërkohë, sa i përket pjesës së sulmit, dy anësorët dhe sulmuesi kryesor, kishin nga pas mbështetjen e dy mesfushorëve të tjerë dhe në këtë mënyrë, iu dha një prioritet më i madh pjesës së sulmit, aty ku cilësia për skuadrën e Dinamos është e madhe dhe janë lojtarë që dinë të shënojnë. Para këtyre dy takimeve të zhvilluara, Daja kishte luajtur me 3 mbrojtës në qendër, të ndihmuar edhe nga dy mesfushorët e krahut të cilët shpesh herë kthehshin mbrapa për të bërë mbrojtjen me 5 apo edhe ndihmonin në repartin e sulmit por kjo skemë nuk rezultoi shumë me fat për skuadrën e Dajës, e cila nuk arriti të rikthehej te suksesi.

FORMACIONI- Daja ka krijuar 11-shen e tij të preferuar edhe te Dinamo dhe ndryshimet në formacion janë me pikatore dhe shpesh herë të detyruara. Kështu, në sfidën e fundit, mbrojtja ishte e zakonshmja, me Nanin dhe Nezirin në krahët e mbrojtjes dhe Alijin e Teikseirën në qendër. Për herë të dytë këtë sezon, Daja preferoi të zhvendoste Ditën në mesfushë duke i dhënë pozicionin e “6-shit”, rol ky që Dita e ka bërë shpesh herë në karrierën e tij. Në pjesën më të avancuar të mesfushës, ishin Lorenco Vila dhe Malomo, të dy këta lojtarë që arritën të shënonin ndërkohë që në sulm, Bregu dhe Berisha ndihmuan Mustafan, sulmuesin e afruar nga Bylisi në merkaton e janarit.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













