“Challenge Cup”, Studenti sfidon hungarezët e Fino Kaposvar
Studenti, kampioni i Shqipërisë në volejboll për meshkuj, ka mësuar ditën e djeshme emrin e sfidantit në Kupat e Europës, të vlefshme për “Challenge Cup”. Në shortin e hedhur në Luksemburg, goglat e përzgjedhura e përballën skuadrën shqiptare me hungarezët e Fino Kaposvar SE, pjesëmarrëse e rregullt në Kupat e Europës. Të besuarit e trajnerit Ylli Tomorri janë shortuar direkt në raundin e dytë eliminator. Ndeshja e parë do të luhet në datat 4-6 nëntor, ndërsa ajo e kthimit më datat 18-20 nëntor. Në rast kualifikimi në 1/16-at Studenti do të ndeshet me fituesin e çiftit Crvena Zvezda (Serbi)- Hapoel MATE-ASHER AKKO (Izrael). E themeluar në vitin 1953, Fino Kaposvar SE është një nga skuadrat elitare në kampionatin hungarez. Në gjithë historinë e saj numëron 15 tituj kampionë të fituar (7 herë radhazi në sezonet 2007, 2008, 2009, 2010, 2011, 2012, 2013); 5 herë është renditur në vend të dytë; 9 herë ka fituar Kupën e Hungarisë, ndërsa katër herë është kualifikuar në finalen e kupës. Kontingjenti aktual i hungarezëve është i gjithi vendës. Në historinë e klubit interesant është fakti se prej themelimit të saj dhe në vijim e ka ndërruar emrin plot 10 herë, përkatësisht Kaposvari Dozsa (1953), Kaposvari Somogy SC (1992), Kaposvári Sports Club (1995), Kaposvari Balatel Sports Club (1996), Pini Kaposvar Sports Club (1997), Comet Kaposvar (2000), Diamant Kaposvar (2009), Kaposvari Roplabda SE (2010) dhe së fundi Fino Kaposvar. Studenti ishte skuadra e vetme nga Shqipëria që konfirmoi pjesëmarrjen në Kupat e Europës pas tërheqjes së UMB Volej e Partizani (kampione e nënkampione për femra) dhe Tirana (nënkampione për meshkuj) për shkak të financave të pamjaftueshme.













