Çapja: Me Egnatian është vendimtare, koha që titulli të rikthehet në Elbasan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2026 | 20:41

Çapja: Me Egnatian është vendimtare, koha që titulli të rikthehet në Elbasan

Elbasani po ecën me ritmin e kampionit në këto javët e fundit, teksa fitorja e fundit ndaj Teutës në Durrës i dha mundësinë të sigurojë përfundimisht pjesëmarrjen në “Final 4” për këtë edicion.

capja

Një objektiv i arritur me sukses katër javë nga fundi. Ish-futbollisti kampion në sezonin 2005-2006 me Elbasanin, Hetlen Çapja, analizon për “Panorama Sport” fitoren ndaj durrsakëve, duke evidentuar moralin e skuadrës dhe stabilitetin e treguar. ”Të them të drejtën, ekipi po tregon që ka forcë. Kjo, duke marrë shkas edhe nga një sfidë më herët, si ajo ndaj Partizanit. Ishte një ndeshje e luftuar dhe një nga më të mirat, duke parë që ishim edhe me një lojtar më pak. Tregoi se Elbasani ka forcë, karakter dhe stabilitet. Morali ishte shumë i lartë pas kësaj fitoreje dhe ndeshja në Durrës e konfirmoi këtë gjë”, u shpreh fillimisht ish-futbollisti i njohur i Elbasanit.

KUPA – Nuk ka kohë për festë, sepse nesër luhet gjysmëfinalja e kthimit për Kupë ndaj Egnatias. Ja si analizon Çapja këtë duel të rëndësishëm: ”Do të jetë një ndeshje e luftuar fort, duke marrë shkas edhe nga përballja e parë që është luajtur në Rrogozhinë. Objektivat i kanë njësoj si Elbasani edhe Egnatia për të luftuar në të dyja frontet. Do të jetë e fortë, por duke parë edhe ecurinë, Elbasani mund të dalë fitimtar”, vijoi më tej Hetlen Çapja.

TIFOZËT – Përveç lojtarëve në fushë, me interes pritet ajo që do të tregojnë edhe tifozët në tribuna. Për Çapjan, prezenca e tyre do të jetë maksimale. ”Dihet që Elbasani është një qytet sportdashës, ndaj i bëj thirrje që të jenë të shumtë në numër dhe besoj se kështu do të ndodhë. Nëse ekipi i Elbasanit do të jetë në rritje, e tillë do të jetë edhe në aspektin e tifozërisë”, u shpreh ish-futbollisti i verdhebluve.

KAMPIONATI – Sa i përket duelit në kampionat me Vllazninë, ai pohon se fokusi duhet të mbetet për momentin tek Egnatia. ”Mendoj se ndeshjet duhen marrë një e nga një. Është shumë e rëndësishme ndeshja e Kupës, sepse shkon në finale nëse fiton. Më pas, duke fituar ndeshjen me Egnatian, rritet akoma më shumë morali, sepse cilësinë ne e kemi dhe do të luftojmë fort në të dyja frontet. Mirëpo, për momentin fokusi i skuadrës duhet të jetë vetëm Egnatia në Kupë”, theksoi Hetlen Çapja.

TROFEU – Në fund, ai ndalet tek trofeu i kampionit dhe e thotë shkurt: ka ardhur koha të rikthehet në Elbasan. ”Më duket sikur ka ardhur koha, pas 20 vitesh, që të rikthehet titulli. Mendoj që është koha e duhur për Elbasanin që të ngrejë trofe, si Kupën edhe kampionatin. Në të dyja frontet jemi në rrugën e duhur dhe koha për t’u shpallur kampion është tani”, mbylli prononcimin e tij për gazetën ish-futbollisti i Elbasanit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL