Caca: Shumë po premtohet, por ende nuk ka një trajner
Një pjesë e mirë e titullarëve të Kastriotit vijojnë përgatitjet individuale në ambientet e stadiumit. Një ndër ta është edhe Fatmir Caca, kapiteni 28- vjeçar, i cili është gati që të luajë sezonin e tij të 11-të me fanellën e krutanëve. Në një deklaratë dhënë për gazetën, ai zbulon se ka pasur disa oferta, por prioritet për të mbetet Kastrioti. “Është për të ardhur keq se si po rrjedhin gjërat në klubin e Kastriotit. Jemi në pritje të një telefonate nga drejtuesit, të cilët duhet të na njoftojnë për përgatitoren. Kampionati starton më 13 shtator, por që të pretendosh, duhet edhe që të punosh fort. Ndaj sa më shpejt të nisë stërvitja, aq më mirë do të ishte për ekipin. Ajo që ne kërkojmë është që të zgjidhet edhe ngërçi financiar. Pasi ekipi ra nga kategoria, gjithçka ndryshoi, shumë titullarë u larguan, nga ana tjetër ende nuk është emëruar trajneri. Ka shumë dilema dhe gjithçka duhet që të marrë zgjidhje. Gjatë këtyre ditëve drejtuesit janë shfaqur ambiciozë në deklarata, por për momentin situata ka mbetur në vend. Uroj që të ruhet grupi dhe zyrtarisht të mendojmë për sezonin e ardhshëm”, përfundoi 28-vjeçari.
Behar Sallaku













