Caca, kapiteni i Kastriotit: Jemi brenda objektivave
“Ndeshja ndaj Bylisit mund të konsiderohet si një pikë kthese. Ne jemi brenda objektivave që presidenca i ka vënë skuadrës për të luftuar në të dyja frontet”. Kështu e nis prononcimin e tij për “Panorama Sport” kapiteni i Kastriotit, Fatmir Caca, i cili pas fitores së arritur ndaj ballshiotëve është mjaft optimist për të ardhmen. “Na duhej kjo fitore edhe për moralin e të gjithë shokëve. Tashmë, me rikthimin e Malakarnes dhe të Ognjanoviç, kushtet tona përmirësohen, pasi janë lojtarë të rëndësishëm për ne”. Kapiteni i Kastriotit, Fatmir Caca, në takimin ndaj Bylisit u detyrua të bënte rolin e qendërmbrojtësit, pikërisht nga nevoja dhe mungesa e këtyre dy lojtarëve. Mirëpo me rikthimin e tyre, ai do të kthehet në vendin e tij, atë të mbrojtësit të djathë. “Rikthimi i tyre sigurisht që rrit konkurrencën për një vend në formacion. Por kjo i shërben cilësisë dhe është një gjë që nuk na shqetëson”. Me fitoren 4-2, Kastrioti ngjitet në pozitën e 4 pikëve në grup, duke qenë në garë për dy vendet e para në grup që të kualifikojnë për në fazën e mëtejshme të kupë. Ndërkohë që edhe në kampionat krutanët mbeten në vendet e para, ku edhe aty mund të bëjnë përpjekje për t’u kualifikuar për në Evropë. Megjithatë, për momentin, duhet të bëjnë përsëri një pushim të detyruar dhe të përgatiten për ndeshjen e ardhshme në kampionat që do ta zhvillojnë në transfertë ndaj Tiranës.
Murat Aruçi













