Bylisi, vjen një portier dhe një sulmues/ Tifozët ballshiotë kuriozë për trajnerin Josa
Bylisi në një muaj fazë përgatitore ka zhvilluar dy miqësore në kushtet e shtëpisë, teksa ka mundur Luftëtari dhe më pas ka barazuar me Lushnjën. Në të dyja sfidat e luajtura në Ballsh, duket se stafi mallakastriot ka pasur si qëllim që të shohë gjendjen e lojtarëve që janë në kontratë dhe konsiderohen boshti i skuadrës.

Ndryshe nga dy javët e para kur u afruan disa lojtarë nga ata që janë huzuar dhe që do të mbeten pjesë e ekipit B, me përjashtim të ndonjë elementi si Akibu apo Hodo, Rafael e David, të tjerët do të përfaqësojnë skuadrën e së Dytës. Po ashtu, do të huazohen edhe 3-4 elementë me shumë mundësi në Kategorinë e Parë, te Luftëtari.
Por në Ballsh tashmë duan që të matin forcat me ekipet e elitës, madje po shihet mundësia që takimi të luhet në mesjavë. Trajneri Mirel Josa dhe stafi i tij tashmë janë duke konturuar skuadrën e sezonit të ri në elitë, ku sigurisht që edhe ambiciet e mallakastriotëve nuk do të jenë thjesht mbijetesa. Madje, së shpejti pritet që të mbërrijë një portier që ka luajtur në Europë, por edhe mbrojtës qendre dhe sidomos me prioritet do të shihet një sulmues goli që të bëjë diferencën.
Presidenti Besnik Kapllanaj po shqyrton disa mundësi, madje duke studiuar tregun ballkanas, atë europian dhe afrikan, për të afruar lojtarin e duhur dhe që i përshtatet skemave të skuadrës së drejtuar nga Mirel Josa. Ekipi duket më i avantazhauar nga një sezon më parë, pasi ka një organikë prej 15 lojtarësh, ndërsa me afrimet që priten së shpejti të jenë nën urdhrat e stafit, do të jetë shumë më i fortë. Ballshiotët këtë sezon e kanë nisur mbarë dhe synimi i tyre është që investimi të përligjet, në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë.
AMBIENTI- Në Ballsh, me afrimin e trajnerit Mirel Josa, me një eksperiencë shumë të madhe, por edhe i suksesshëm në fitimin e trofeve, por sidomos me ruajtjen e grupit, janë mjaft optimistë. Madje, prezenca e tifozëve ka qenë e shtuar edhe në takimet testuese të skuadrës së tyre të zemrës. Ballshiotët, edhe pse barazuan ndaj Lushnjës, treguan një lojë me ritëm, me shumë raste të krijuara, por jo të shfrytëzuara, ndonëse duhet thënë se janë në kulmin e fazës përgatitore, me dy seanca stërvitore çdo ditë.
E. SALIU – PANORAMASPORT.AL













