Bylisi si “supermarket”, gati të shesë yjet e tij

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2025 | 20:07

Bylisi si “supermarket”, gati të shesë yjet e tij

Bylisi tashmë është duke vijuar stërvitjen, edhe pse vetëm me një grup lojtarësh. Kanë zgjedhur përgatitje në sallë force, por edhe ndeshje në grup, për të mbajtur trupin në formë.bylissBallshiotët pritet që të shesin disa lojtarë, të cilët kanë oferta këtë verë. Së shpejti, siç kanë pohuar edhe në klub, pritet që të shitet në elitën e futbollit spanjoll ganezi Ofori, ndërsa do të jenë edhe të tjerë emra. Madje, bëhet fjalë për shumë titullarë që janë pikasur edhe nga menaxherë të ndryshëm nga brenda dhe jashtë vendit në disa ndeshje të Bylisit gjatë sezonit të shkuar.

Ballshiotët pritet që të përdorin këtë variant jo vetëm për të mbushur arkat, pasi, siç dihet, klubi mbahet vetëm me financat e presidentin Besnik Kapllanaj dhe familjes së tij, por edhe për promovim siç ka ndodhur edhe me emra si: Olainka e Ristevski që kanë luajtur edhe me Kombëtaret e shteteve të tyre. Në Ballsh duket se janë të shumtë lojtarët që janë në moshë të re dhe që pritet të shpërthejnë e kjo mund të joshë klubet brenda dhe jashtë vendit.

Emra si: Beqaj, Marku, Abazaj, Bruno, Peralta, Rucci, Kamara, Ofori, Malomo, Përgjoni e Mustafa, tërheqin jo pak. Ndaj edhe ballshiotët tashmë janë në pritje të hapjes së merkatos, për të afruar lojtarë, por edhe për të shitur elementë nga gjiri i tyre. Sepse janë një “tjetër skuadër”, që kërkojnë shansin në elitë, në sezonin e ardhshëm, nga ata që kanë luajtur pak apo që vijnë nga ekipet “B” dhe U-21. Përndreca, Koxhi, Mahmuti, Sulovari, Dabani, Diallo, Akibu, Çelaj, Ualison e Igor apo dhe shtatë lojtarët që rikthehen nga huazimi në Berat.

Mallakastriotët siguruan mbijetesën direkt në elitë vetëm në javën e fundit. Sezonin e ardhshëm pritet që të jenë një skuadër më e fortë dhe me ambicie madhore në kampionat dhe Kupën e Shqipërisë. Gjithsesi, një gjë është e sigurt, konkurrenca do të jetë shumë e fortë, ndonëse Bylisi ka krijuar eksperiencën, duke qenë se është pjesë e futbollit elitar prej dekadash, në sajë të meritës së presidentit Besnik Kapllanaj, që nuk kursehet për të mbajtur lart emrin e futbollit mallakastriot.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL