Bylisi “kopjon” Tiranën, nis stërvitjen pa…
Bylisi ka qenë i plotë dje dhe ka zhvilluar seancën stërvitore në fushën me bar natyral të stadiumit “Adush Muçaj”. Ora 18:30 e ka gjetur skuadrën të rreshtuar dhe me uniformat e reja stërvitore njëngjyrëshe, ndërsa nuk munguan edhe dhjetëra tifozë kureshtarë për të parë ndonjë afrim të ri apo dhe drejtuesit më të lartë të skuadrës, presidenti Besnik Kapllanaj.

Një përshëndetje me stafin dhe lojtarët me njëri-tjetrin dhe më pas ushtrime aerobike kryesisht. Skuadra do të stërvitet nga stafi i akademisë (ndihmësit e Mezanit), pasi së shpejti pritet që të mbërrijë trajneri i ri, që me shumë gjasa do të jetë i huaj. Ranë në sy lojtarët e huaj: Kamara, Malomo, Kane, Ofori apo dhe Akibu, Buraneli, etj.
Mallakastriotët kanë kohën e duhur për t’u përgatitur për sezonin e ri 2025-2026, pasi do të kenë në dispozicion plot rreth 45 ditë për t’u përgatitur për të qenë sa më gati për sezonin e ri në elitë. Mallakastriotët tashmë që janë me grup më të plotë do të stërviten me dy seanca në ditë, teksa do të zhvillojnë këto ditë deri në fundjavë “doza” më të lehta, ndërsa nga java që vjen ato të jenë më të forta dhe skuadra ka nisur nga dje një grumbullim dhe regjim absolut, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë nga kjo fazë.
MERKATO – Indio Oliveira është i pari i afruar, por do të ketë edhe disa afrime të tjera, madje nga sa bëhet e ditur do të jenë lojtarë vendas dhe të huaj. Synohet një portier, një mbrojtës, mesfushor dhe sulmues, që janë afrime imediate. Ndërsa për të plotësuar ekipin b do të synohen elementë të rinj që t’i shërbejnë pse jo edhe skuadrës së parë. Pritet që të ketë zhvillime në merkaton e ballshiotëve, të cilët synojnë që të përforcohen duke rritur cilësinë por edhe shtuar konkurrencën brenda grupit, teksa synimet do të jenë madhore.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













