Bylisi i sezonit të ri do të jetë ndryshe, trafik këtë verë me hyrje-dalje
Tashmë që ballshiotët janë me pushime është radha e merkatos. Lajm është fakti që dy nga lojtarët e talentuar, anësorët Aurel Marku dhe Fabjan Përndreca, pritet që të jenë në listat e ekipit Shpresa U-21, pas pak ditësh.

Bylisi mund të jetë e vetmja skuadër në Superiore që ka më shumë lojtarë nën kontratë. Te ballshiotët garancia vjen edhe nga akademia, apo ekipi “B” dhe U-21, pasi krahas disa lojtarëve të ekipit të parë që janë ende nën kontratë, janë jo pak por 35 lojtarë që do të jenë pjesë e klubit mallakastriot, edhe në vijim. Ashtu si në vitet e shkuara, gjatë merkatos së verës, është e sigurt që kjo verë do të ketë hyrje dhe dalje në Ballsh.
MERKATO – Mallakastriotët e nisin sezonin e ri me baza të sigurta, ndonëse duhet pranuar fakti që kanë nisur edhe ofertat prej kohësh në adresë të shumë lojtarëve të ekipit të parë, vendës dhe të huaj, sidomos ata që kanë spikatur në sezonet e fundit me skuadrën bardhekuqe dhe që janë nën kontratë.
Ndaj edhe Bylisi duket se do të jetë një treg i rëndësishëm për ekipet e kreut të Superiores, ndonëse presidenca po punon që t’i shesë jashtë, kjo edhe në dobi të lojtarëve që të tregojnë vlerat në kampionate të njohura të Europës, apo në Ballkan. Bylisi ka shitur çdo verë, në vitet e fundit nga 3-4 lojtarë, madje duke bërë bujë. Kështu që ballshiotët do të synojnë që të mbushin arkat këtë verë duke përfituar nga “xhevahirët” e tyre, pa thënë se edhe mund të shpenzojnë në blerjen e ndonjë elementi që vlen, me shumë gjasa nga jashtë vendit.
Por, gjithçka do të varet nga merkato në dalje, megjithatë, një gjë është e sigurt, me ata që janë larguar dhe ndonjë që pritet të shitet, në Ballsh do të synojnë së paku 5-6 lojtarë për të konsoliduar ekipin për sezonin e ri. Lista e ekipeve që duan titullarë te Bylisi është shtuar sepse krahas Partizanit, Elbasanit, Dinamos, duket se edhe Shkëndija apo klube të tjera po tentojnë elementë cilësorë nga ballshiotët.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













