Bylisi, i fokusuar te sfida me Egnatian. Ballshiotët kërkojnë rezultat pozitiv në Rrogozhinë pas shumë vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2026 | 14:42

Bylisi, i fokusuar te sfida me Egnatian. Ballshiotët kërkojnë rezultat pozitiv në Rrogozhinë pas shumë vitesh

Bylisi është përqendruar totalisht te sfida me Egnatian, që do të zhvillohet të shtunën pasdite në qytetin e Rrogozhinës. Mallakastriotët shkojnë në këtë duel me skuadrën e plotë, ndërsa përgatitjet vijojnë gradualisht, duke rikuperuar formën optimale.

bylis

Edhe lojtarët Bruno dhe Koxhi, të cilët luajtën në testet miqësore të fundjavës së kaluar, janë pjesë e ekipit. Trajneri Mirel Josa pritet që në këtë transfertë të ketë të gjithë lojtarët në dispozicion, përfshirë edhe ata që ishin të grumbulluar me përfaqësuesen. Josa planifikon të zhvillojë nesër një test kontrolli për të parë gjendjen e ekipit dhe mund të përzgjedhë një 11-she të improvizuar, duke marrë parasysh formën e secilit lojtar.

Ballshiotët shkojnë pas triumfit me 3 pikë ndaj Flamurtarit dhe synojnë rezultat pozitiv, megjithëse e kanë të qartë se përballen me një nga skuadrat më të forta të elitës. Në sulm, mund të ketë ndryshime, madje trajneri mund ta nisë nga minuta e parë sulmuesin me përvojë Olavio, nëse ai është në formën më të mirë, ose ta përdorë si alternativë. Braziliani u aktivizua gjatë merkatos së janarit për të ndihmuar Bylisin, duke zëvendësuar Mstafanë, i cili u transferua te Dinamo, por shpesh ka bërë rotacion me Fokam.

Ofensiva do të varet edhe nga forma e Kamarasë, që pritet të rikthehet nga grumbullimi me Nigerinë. Seanca e nesërme do të jetë vendimtare për të vendosur edhe më shumë rreth skuadrës që Josa do të hedhë në fushë në Rrogozhinë. Mallakastriotët kanë filluar të bëjnë llogaritë e mbijetesës dhe synojnë të grumbullojnë sa më shumë pikë edhe jashtë fushe. Me vetëm 7 ndeshje dhe 21 pikë të mbetura, gara për mbijetesë është më e hapur se kurrë. Bylisi ka shansin të përmirësojë sezonin e shkuar, duke mbijetuar direkt në elitë.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL