Bylisi e harron Dinamon, tani e presin dy sfida vendimtare
Barazimi me Dinamon nuk ka lënë shije të mirë në Ballsh, sidomos në aspektin e pikëve, sepse skuadra e Mirel Josës kërkoi fitoren. Në fakt, Bylisi dominoi sidomos mbajtjen e topit, por edhe me rastet flagrante të krijuara.

Megjithatë menjëherë kjo sfidën është “harruar”, sepse kalendari ka rezervuar dy sfida delikate dhe brenda një harku kohor shumë të shkurtër. Bylisi nesër do të luajë me Partizanin në “Arenën e Demave”, ndërsa në fundjavë pret Teutën në “Adush Muçaj”. Praktikisht janë dy kundërshtarë që synojnë zonën e “Final Four”, por ballshiotët kanë shanse qe të marrin pikët maksimale, nëse tregojnë të njëjtën dëshirë dhe ritëm si ndaj Dinamos.
Dy duele mjaft të vështira, por jo të pamundur që të kalohen, duke përforcuar edhe nga situata e skuadrës së Mirel Josës që duket në formë të mirë dhe dëshirë për suksese. Madje, stafi ditën e diel ka punuar me një grup lojtarësh, teksa një pjesë kanë marrë minuta në sfidën e luajtur në Peqin, mes ekipit B dhe vendasve të Shkumbinit. Që nga Beqaj, Abqazaj, Pjeshka, Uankeuai, Emini, Almeida, Sulovari, Buraneli, Gabi, Idrisu, Animashun, Hodo, Abdullahi e Gjuzi. Një pjesë e tyre u aktivizuan si zëvendësues ndaj Dinamos, ndërsa po i jepet minuta sulmuesit Runi Uankeuai, por edhe togolezit Idrisu.
Tashmë mbetet për t’u parë se cilët do të jenë të përzgjedhurit e Josës për sfidën që do të luhet nesër në kryeqytet, ku mallakastriotët do të kërkojnë rezultat pozitiv për më tepër qe me të miqtë kanë pozita thuajse të barabarta në këtë periudhë të garës. 6 pikë nga vendi i fundit, që aktualisht mbahet nga Tirana dhe 3 nga vendi i parafundit, ku aktualisht ndodhet Flamurtari, ndërsa një vend më sipër kanë Partizanin me 1pikë më shumë se mallakastriotët, pozitat nuk janë optimale.
Ndryshimet në formacion ndaj bluve sollën rezultat pozitiv, ndërsa edhe ndaj Partizanit, mallakastriotët pritet që të bëjnë lëvizje në 11-she dhe do të shfrytëzojnë shansin për të bërë rokadë në renditje. Kjo do të mësohet sot në seancën e mesditës, e fundit përpara sfidës në transfertë me të kuqtë, pasi më pas “ekuipazhi” mallakastriot do të niset drejt Tiranës, për t’u përballur me të kuqtë në orën 16:30.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













