Bylisi do kthesën ndaj verdhebluve, kapiteni Marku beson te 3 pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2025 | 12:13

Bylisi do kthesën ndaj verdhebluve, kapiteni Marku beson te 3 pikët

Sot, në orën 13:30, Bylisi zbret në fushë për t’u përballur me Elbasanin, në një duel mjaft delikat, ku objektivi kryesor është marrja e tre pikëve. Edhe pse në Ballsh janë të vetëdijshëm për vështirësinë e këtij takimi, po aq e qartë është edhe rëndësia që ai mbart për ecurinë e skuadrës në kampionat.aurel markuBylisi ndodhet aktualisht në pozita jo komode, ndonëse është luajtur më pak se gjysma e garës, por ballshiotët kanë treguar deri tani se janë një ekip simpatik dhe konkurrues. Skuadra ka shfaqur një lojë pozitive dhe në përbërje ka elementë që spikatin, si futbollistë të rinj të talentuar, ashtu edhe lojtarë me eksperiencë, vendas dhe të huaj. Në krye të pankinës ndodhet një nga trajnerët më të spikatur të futbollit shqiptar, Mirel Josa, një emër me shumë përvojë dhe me një CV të pasur me trofe në Superiore.

Atmosfera në skuadër ka qenë e qetë gjatë ditëve të fundit dhe lojtarët duken të motivuar për të dhënë maksimumin dhe për të kërkuar pikët e plota përballë verdhebluve. Në prag të këtij takimi, në Ballsh ka folur kapiteni dhe një nga lojtarët më stabël të ekipit, Aurel Marku, i cili po zhvillon një sezon shumë të mirë. Marku po spikat jo vetëm për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në mbrojtje, ku është treguar shpeshherë i pakalueshëm, por edhe për daljet e rrezikshme në fazën sulmuese, duke i dhënë skuadrës një armë shtesë në lojën e saj.

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, pas seancës stërvitore të djeshme, Aurel Marku ka analizuar gjendjen e skuadrës dhe është shprehur optimist për përballjen e sotme.

“Ndeshja në Shkodër, me pak më shumë kujdes, mund të ishte fituar, por për nga mënyra se si shkoi takimi dhe duke parë kundërshtarin që kishim përballë, edhe ajo pikë nuk është keq. Tani kemi përpara një ndeshje shumë të fortë, siç është ajo me Elbasanin. Na duhet patjetër fitorja, edhe për shkak të pozicioneve ku ndodhemi, por edhe për t’u larguar sa më shumë nga zona e fundit e tabelës së renditjes,” ka deklaruar kapiteni.

Ai ka shtuar se skuadra ndodhet në një formë të mirë dhe ka treguar se mund të rivalizojë çdo kundërshtar.

“Kemi kërkuar fitoren edhe ndaj Teutës dhe Vllaznisë, madje në disa momente kemi bërë lojë më të mirë se ata. Kështu që kjo është ‘e treta e vërteta’ dhe ne duhet ta fitojmë patjetër këtë duel. Elbasanin e respektojmë dhe e vlerësojmë, por nuk na interesojnë ambiciet e tyre. Luajmë në fushën tonë dhe duhet të respektojmë fanellën që veshim dhe tifozët tanë, të cilët na kanë mbështetur edhe në Shkodër,” ka përfunduar Marku.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL