Brilant Syla, përforcimi i fundit i Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2015 | 17:16

Brilant Syla, përforcimi i fundit i Elbasanit

sylaZbardhet identiteti i lojtarit nga Maqedonia që pritet të firmosë për Elbasanin. Bëhet fjalë për 23- vjeçarin Brilant Syla që vjen nga skuadra e Gostivarit në Maqedoni. Sulmuesi ka dalë në stërvitje ditën e djeshme me verdheblutë, ku me shumë gjasa do të firmosë me këtë skuadër në ditët në vijim, ndonëse më parë do t’i nënshtrohet një prove të shkurtër. Ka qenë vetë tekniku Dosti ai që e ka pranuar një ditë më parë për “Panorama Sport” se presin një futbollist nga kampionati maqedonas, i cili mendohet se do të zgjidhë edhe problemet e sulmit. Syla ka luajtur më parë edhe me Shkëndijën e Tetovës dhe Renovën në kampionatin fqinj, ndërsa këtë sezon ka qenë në radhët e skuadrës së Gostivarit, ku në fazën e parë ka shënuar edhe 9 gola. Mësohet se shqiptari që vjen nga qyteti i Tetovës në Maqedoni do të firmosë deri në fundin e sezonit me verdheblutë, me të drejtë rinovimi edhe për një vit tjetër ose më shumë. Në bazë të paraqitjeve të tij, do të rishikohen edhe termat e kontratës, por bëhet fjalë për një lojtar që premton shumë, të paktën nga sa thuhet brenda klubit verdheblu.
Të tjerët – Pas arritjes së akordit me Arbër Çyrben, një lojtar i Elbasanit mund të konsiderohet edhe kosovari Besart Veseli që luan në mesin e fushës. Burime zyrtare pranë klubit verdheblu, pohojnë për gazetën se po përpilohet kontrata dhe shumë shpejt do të hidhet edhe firma në kontratë nga ana e këtij futbollisti. Kështu, deri më tani zyrtarisht janë bërë dy afrime, Çyrbja dhe Veseli, si edhe pritet të bëhet zyrtar edhe afrimi i Sylës. Me tre futbollistë që luajnë në repartin e avancuar, mesin e fushës dhe sulm, si edhe duke parë kontingjentin që kanë aktualisht, në Elbasan e shohin veten të kompletuar, ndonëse deri në fundin e merkatos do të tentohet ndonjë goditje. Sigurisht që pista më e mundshme është ajo e huazimit nga kampet elitare të Superiores, por nuk ka rënë edhe pista e kolumbianëve, që ende nuk kanë mbaruar punë me procedurat e dokumenteve për të mbërritur në Shqipëri. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë deri në mbylljen zyrtare të merkatos.