Boksieri shqiptar, Prenga nuk trembet: Pas Xhoshuas e ka radhën Furi, mund të rrëzoj çdo rival
Në fillim të muajit maj, boksieri i peshave të rënda Kristian Prenga mori një telefonatë që mund t’i ndryshojë jetën. Menaxheri i tij, Keith Sullivan, e njoftoi se i ishte ofruar një duel me ish-kampionin e dyfishtë të botës në peshat e rënda, Antoni Xhoshua, më 25 korrik në Xhedah të Arabisë Saudite.

“Isha i shtangur kur më telefonoi dhe më tha se kishte një mundësi për të luftuar me Xhoshuan”, deklaroi Prenga (20 fitore, 1 humbje, 20 fitore me nokaut) për revistën “The Ring”. “Po bëhesha gati të shkoja në palestër për stërvitjen e orës 18:30. I thashë atë që i kam thënë gjithmonë: ‘Jam gati të përballem me këdo, por nuk ka kuptim të marr duele me rrezik të madh nëse nuk ka shpërblim, qoftë financiar apo në aspektin e mundësive që krijon një ndeshje e tillë’.
Ai më siguroi se nuk do të ndërmerrte një hap të pamenduar. Ende po negocionte kushtet financiare, ndaj gjithçka nuk ishte përcaktuar. Pas disa minutash diskutimi i thashë se kjo ishte mundësia që kam pritur prej kohësh dhe se Zoti ma kishte sjellë në jetë. I thashë: ‘Le ta bëjmë’”, rrëfen boksieri shqiptar. 35-vjeçari nuk e lejoi emocionin ta shpërqendronte dhe, pasi mbylli bisedën me Sullivan, shkoi normalisht në stërvitje.
“Pa stërvitje nuk jam asgjë si boksier”, tha Prenga, i cili më pas vijoi: “Unë, Keith dhe miku im, njëherazi përkthyesi Sammy Lushaj, folëm deri vonë atë natë dhe të gjithë ramë dakord se ishte një mundësi shumë e mirë. Keith vazhdoi negociatat për të siguruar marrëveshjen më të mirë. Të jem i sinqertë, unë e kisha vendosur tashmë në zemër ta pranoja këtë sfidë, pavarësisht se si do të përfundonin negociatat. Pas disa ditësh të tjera, marrëveshja u arrit dhe u firmos”. Megjithëse kuoton si favorit absolut Xhoshuan, me Prengën që konsiderohet një “outsider”, shqiptari beson se është gati të bëjë surprizën e madhe.
“E kam parë Xhoshuan të boksojë dhe kam qenë gjithmonë i gatshëm të përballem me emrat më të mëdhenj të peshave të rënda për t’u bërë pretendent për titullin botëror”, u shpreh ai. “Fuqia ime në goditje, përmasat fizike dhe atletizmi janë armët e mia më të forta. Kam goditje shumë të rënda dhe mund të lëndoj çdo kundërshtar. Nuk kam frikë nga askush dhe kjo ka shumë rëndësi në ring. Pasi ta nokautoj Xhoshuan, do të jem i renditur mes më të mirëve dhe emri im do të njihet shumë më tepër në botën e boksit”, shprehet boksieri nga Mirdita.
Kjo ndeshje konsiderohet gjerësisht si një duel përgatitor për Xhoshuan përpara një përballjeje të shumëpritur me Tajson Furin, i cili do të boksojë një natë më parë kundër ish-pretendentit për titull bote, polakut Marius Vah, në Pataja të Tajlandës. Pas më shumë se një dekade pritjeje, Xhoshua dhe Furi pritet të përballen më në fund në një superduel britanik në fund të viti. Megjithatë, Prenga nuk ndihet i nënvlerësuar nga ky skenar. “Nuk ndihem i fyer. E kuptoj situatën, por Xhoshua bëri një gabim të madh që më zgjodhi mua”, deklaron Prenga. “Pasi ta ndal Xhoshuan, ndoshta unë do ta zë vendin e tij për t’u përballur me Furin. Kjo është ndeshja që do të më ndryshojë jetën, kur të trondit botën”
PANORAMASPORT.AL













