Bilibashi: Falë Laçit unë mund të luaj në Europë
Mbajtja në shpinë e fanellës së Laçit i ka dhënë mundësinë Mishel Bilibashit që të prekë Europën. Mesfushori, i cili me kurbinasit vjet fitoi Kupën e Shqipërisë, është pranë firmës me një ekip bullgar. Bilibashi nuk ishte pjesë e bardhezinjve as në ndeshjet e Ligës së Europës, pasi qe larguar me lejen e klubit për t’u provuar në disa skuadra bullgare. Fakti që ai akoma nuk kishte marrë dokumentacionin, bëri të rikthehej në atdhe për të biseduar me presidentin Laska. Kalimin e tij në Bullgari ai e sheh si një trampolinë për karrierën, ndaj do japë maksimumin për t’u rritur edhe më shumë si futbollist. “Kam bërë disa prova në ekipe të ndryshme në Bullgari, ku kam marrë disa oferta të mira, por nuk mund të nënshkruaja dot pa marrë lejekalimin nga Laçi ku kisha edhe dy vite kontratë. Për këtë arsye udhëtova drejt Shqipërisë për të biseduar me presidentin Laska. Ai u tregua i gatshëm për të më lënë të lirë pa asnjë lloj kushti. Për mua kjo ishte vazhdim i asaj mbështetjeje të dhënë nga ana e tij gjatë gjithë sezonit të kaluar me Laçin, dhe i jam shumë mirënjohës”. Bilibashi thekson se sezoni i kaluar do të mbetet gjatë në memorien e tij, pasi u fitua Kupa e Shqipërisë. “Emocionet e asaj finaleje janë shtysa e çdo futbollisti për të punuar e ecur përpara. Dua ta vijoj aventurën time në Bullgari, e cila shpresoj të më shërbejë si trampolinë për ndonjë kampionat më të fortë”. Ndërsa në rast rikthimi në Superiore, mesfushori 24-vjeçar i ka qetësuar kurbinasit se Laçin nuk e ndërron me asnjë ekip tjetër në Shqipëri. Dhe kjo është e kuptueshme, nisur nga emocionet që lojtari ka përjetuar me fanellën bardhezi dhe sukseset e arritura.
Vladimir Prenga













