Bilal Agalliu, çiklisti rekordmen që mblidhte pambuk me kinezët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2016 | 19:45

Bilal Agalliu, çiklisti rekordmen që mblidhte pambuk me kinezët

Si në filma është historia e Bilal Agalliut, njeriu mit i çiklizmit shqiptar, triumfues e spektakolar, por jo vetëm: Aventurat, dredhitë, truket, shkëputjet, sekretet e prapaskenat, grumbullimet, gjithçka të lidhura me garat dhe protagonistët e Rretheve në mesvitet e shekullit të kaluar.

Nga rivaliteti me vëllezërit Murriqi, te “Maja Agalliu” në Qafë-Krrabë, ashtu si “Cima Copi” në Itali, cila është karriera e “luanit” të ngjitjeve. Jeta, pasionet dhe çfarë bën sot ai që solli çiklizmin modern për kohën? Si në një serial është edhe pjesa tjetër e jetës, ajo e trajnerit. Bilal Agalliu ishte simboli, aty ku bashkohet shpirti me trupin i një sportisti!

Agalliu 1 trajner

Pasioni për një biçikletë, dhuratë e Xhikut

Bilal Agalliu, i dyti midis 4 vëllezërve, ka lindur në vitin 1935. Nga i vogli Pëllumbi, një balerin i njohur shqiptar, te Petriti mundësi dhe trajner me SK Tiranën, shkas që Bilali të merrej me çiklizëm ishte vëllai i madh Xhiku. Pronar i një dyqani për riparim biçikletash te Pazari i Ri, në vitet 1945-’50, Bilalit i pëlqente të shkonte te Xhiku, pasi kishte qejf biçikletat.

Fillimisht Xhiku e largonte, por një ditë i sajoi një biçikletë të vogël për trupin e tij, me të cilën ai mori pjesë në një garë që organizohej me shkollat shtatëvjeçare. Duke e parë si një talent, e afrojnë te Partizani, ndonëse nuk ishte më shumë se 15-16 vjeç. Mobilizimi ushtarak do të vinte pak vite më vonë dhe, në përfundim të tij, do të qëndronte te Partizani si sportist, pastaj trajner. Me këtë klub është e lidhur e gjithë karriera e tij.

Cili ishte “Miti Agalliu?

I gjatë vetëm 1.61 m, shumë shpejt do të jetë figura qendrore e çiklizmit shqiptar, jo vetëm në vitet ’50-’60, por edhe më vonë më triumfues dhe shumë popullor. Më shumë se një kampion, një luan i ngjitjeve, me ego, pasion, vullnet, por edhe me një talent dhuratë e Zotit, ai dominoi për 11 sezone pa rivalë mjedisin, duke krijuar “Mitin Agalliu”. I jashtëzakonshëm dhe pa rivalë në malore, nga ku shkëputej duke realizuar dhe krijuar diferenca të thella me ndjekësit.

Mjafton t’i referohesh shtypit të kohës, për të kuptuar çfarë kolosi ka qenë Bilal Agalliu. Njeri shumë impulsiv, me nr. 1 në fanellë, nuk njihte lodhje, pushime, as kohë të keqe. Të ftohtit apo dielli i nxehtë nuk e frenonin. Aspak “diplomat” kur pedalonte, nuk kishte miq në garë dhe biçikleta ishte miku i vetëm i besuar i tij. Një robot mbi dy rrota, ambicioz si një kompresor e kishte potencialin. I lehtë në peshë, edhe defektet e gomave i kishte më të pakta.

Agalliu 3 ne gare

Plurifitues i Rretheve

E kanë quajtur Kampionati Kombëtar i Çiklizmit, pastaj Rrethi Çiklistik i Shqipërisë. I filluar më 1925 me Jonuz Gjylbegun, fituesi e parë, ky tur kombëtar ka disa plurifitues. I pari është Bilal Agalliu me 11 herë, ndër të cilat dhjetë radhazi, një rekord që vështirë ta gjesh në analet sportive të historive botërore në këtë disiplinë. Është Partizani i kohës me çiklistët Agalliu, Dervishi, Fuga, Gazheli, Mujo, Kurti, Vath e Met Musta etj.

Pas tij, Agim Tafili (Partizani-Vllaznia), i ndarë fatkeqësisht nga jeta, dhe Besnik Musaj (Sk Tirana-Bylis), ky i fundit shtatë trofe pa shkëputje. Katër ka Ruzhdi Murriqi (Vllaznia) në vitet ’50 dhe tre tituj Agron Tafilica, i talentuari dinamovit në fund të viteve ’70. Fitues edhe 6 herë i “Anketës së 10- sportistëve me të mirë”, “Libri i Rrethit”, nuk ka një të dytë si Agalliu, një Mjeshtër i Madh autentik i Sportit.

Një Anketil apo Fente për kohën

Faza çiklistike botërore paslufte karakterizohet nga gara të vështira, rrugë jo të përshtatshme, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë. Gjithsesi, duelet ishin plot rivalitete historike të jashtëzakonshme. Në “Xhiron e Italisë” janë vitet e Kopi-Bartali, ndërsa dhjetëvjeçari ’55-’65 dominohet nga francezi Zhak Anketil, një malorist i fortë dhe fitues pesë herë i “Tour de Francë”.

Pastaj janë vitet ’60- ’70 shumë të ndjekur e pasionantë me kampionë të famshëm, kur shpërthejnë Edi Merks, Felice Xhimondi, por edhe i vogli spanjolli Jose Emanuel Fente. Ky i fundit ishte shumë i fortë dhe i famshëm në garat e pafundme me Merks në ngjitjet e vështira të Alpeve të ndjekura nga transmetime televizive, por që në Shqipëri një mjet i tillë informues “live” mungonte për kohën.

Nga rivaliteti me Murriqin tek e fundit

E filloi kur ishte vetëm 16 vjeç, madje në Rrethin e parë renditet në vendin e 4-ët duke rivalizuar Murriqin e famshëm, të kësaj familje shkodrane, absolute të fillimviteve ’50, fitues të rretheve çiklistike, të paslufte me Fadil Murriqin katër herë kampion (1950- 1953). Por gjithçka do të ndërpritet, kur i dyti në vitet 1952 e 1953, viti 1954 do të shënojë një fazë të re, shpërthimin e një tiranasi me emrin Bilal Agalliu që fiton Rrethin, duke thyer edhe rekordet e gjashtë etapave më të vështira të tij.

Bëhet fjalë për një çiklist të ri, por autoritar dhe me perspektivë, për të cilin koha nuk gaboi për ta konfirmuar si të tillë. Edhe në garat individuale, siç ishin ato Tiranë-Elbasan dhe Labinot-Elbasan etapa e dytë, apo Tiranë-Durrës e kthim, ishte i fortë.

Agalliu 6 malore

Si një luan në ngjitje

I tillë ka qenë, i paparë në etapat malore, pasi aty e kishte forcën kryesore. Si një makinë humane, pa aleanca, nuk sulmonte në etapat fushore duke pritur ato të kategorive të larta në ngjitje. Rrallëherë në krizë, asnjëherë në spital apo i sëmurë. Asnjëherë nuk rrëzohej, me një sistem shëndetësor në perfeksion, e merrte kryesimin e rrethit dhe nuk e lëshonte më. Nuk është parë një çiklist si ai në maloret e forta si ato të Qafë-Krrabës e Qafë Thanës, klasiket e njohura të Rrethit, por edhe ato si e Qafë-Plloçës, ngjitjet në kthesat e Burrelit etj.

Për t’u lëshuar në zbritje pa frena. Të gjithë e dinin se, pas çdo ngacmimi, provokim, më shumë nxehej dhe më i egër ishte në garë. Shpesh i ka takuar të garojë i vetëm pa ndihmën e “gregarëve”, jo se nuk kishte. Nuk aplikonte strategji, pasi i punonin këmbët, mushkëritë, mbi të gjitha karakteri që kishte, si një profesionist i vërtetë për kohën.

Gara e Paqes, pjesëmarrje në tri edicione

E konsideruar si gara më e madhe e çiklistëve amatorë, ajo zhvillohej në muajin maj, me itinerarin Pragë-Varshavë-Berlin. Për herë të parë, me një itinerar prej 872 km të ndarë në 5 etapa, u zhvillua vetëm në territorin e Çekosllovakisë e Polonisë, pastaj edhe të RD Gjermane. Por, nga viti në vit, distanca erdhi në rritje e me shumë etapa, si dhe pjesëmarrje më të gjerë të çiklistëve nga vendet europiane, aziatike dhe afrikane.

Shqipëria debuton në vitin 1949 dhe, në total, ka katër pjesëmarrje në këtë eveniment me çiklistët P. Angelin, M. Cicon, K. Sterjon, N. Koten, G. Laçej, R. Çermën, F. Murriqin, B. Shabanin, A. Aliajn, G. Dervishin, E. Shabën, ndërsa Bilal Agalliu garon vetëm në edicionin e vitit 1956. Një e tillë si Gara e Paqes organizohej edhe në Shqipëri në vitet ’60 me iniciativën e Komitetit Shqiptar të Mbrojtjes, ajo zhvillohej në tri ditë: Tiranë-Hidrocentrali “Karl Marks”-Shkodër-Tiranë, e gjatë 300 km.

Agalliu 7 Berlin

E gjithë Shqipëria në ndjekje të tij

Favorit dhe pretendent, e tillë ka qenë prag atmosfera para startit të çdo evenimenti të rëndësishëm kombëtar. I sigurt në fitore, “Xhiro e Shqipërisë” ishte nën shenjën “Agalliu”. Nuk kishte miq, as strategji apo plane A ose B. Duke qenë trajner i vetvetes janë vitet kur dominimi dhe triumfet e tij janë konstante, sistematike dhe fama e tij bashkon të gjithë Shqipërinë çiklistike, e cila është vënë në ndjekje të tij.

Për një dekadë fiton Rrethe, gara të miqësisë, të gazetave, për nder të festave, kongreseve, gjithçka që organizohej në ato vite. Me stilin që solli, revolucionarizoi çiklizmin shqiptar, duke i dhënë hov e ndryshim këtij sporti, madje ajo periudhë identifikohet me emrin Bilal Agalliu, duke krijuar një mit për shumë breza pas tij. “Ta mora në kthesë si Bilal Agalliu”, ishte slogani për shqiptarët pasionantë të biçikletave.

Agalliu 8 vitet 60

I pari në stadium

Për arsye të kushteve dhe gjendjes së rrugëve, garat zhvilloheshin paradite, duke planifikuar që dita e fundit dhe mbërritja të bëhej në fundjavë në “Qemal Stafa” gjatë zhvillimit të një ndeshje futbolli. Futja në stadium ishte spektakolare… Ndeshja ndërpritej dhe të gjithë prisnin me ankth zërin e Bellovës që nga altoparlanti njoftonte se “… Agalliu pritet të futet në stadium i pari…”. Ai që informonte ishte k/gjyqtari i garës që vinte para të gjithëve dhe përgatiste finishin e që jepte njëkohësisht se kush komandonte garën.

Nuk kishte komunikim me radio, çiklistët shoqëroheshin nga mjete jo moderne, me ato pak vetura, motorë privatë, ku qëndronin juria, gazetarë, shoqërues dhe policia rrugore që hapte rrugën. Vetëm “Radio Tirana” në lajmet e mbrëmjes jepte informacion lidhur me përfundimet e etapave. Nuk kishte asnjë fanellë tradicionale për kryesuesin apo fituesin e çdo etape. Shpërblimet për fituesit ishin simbolike, si: 2 metra copë për kostume me porosi, këmisha, deri te diplomat.

Deri në Qafë Thanë pa u zbardhur dita

Ka qenë i jashtëzakonshëm dhe mjeshtër në përgatitjen individuale, pasi ishte trajner i vetvetes. Besim kishte te një mik, Sami Kotorri, çiklist elbasanas, ushtar te Partizani, me të cilin projektonte stërvitjen duke u nisur herët në mëngjes, ende pa gdhirë mirë, Tiranë – Qafë-Thanë e kthim. Pa i thënë askujt, madje nuk donte që ta dinte asnjë nga çiklistët e tjerë, merrte rrugën për Qafë Thanë.

Me Kotorrin shkonte deri në Librazhd e ndërsa vetë vazhdonte për në Qafë Thanë, shokun e urdhëronte të kthehej e ta priste në Qafë-Krrabë. Në mesditë, bashkë me çiklistët e tjerë, nisej për stërvitje pa i thënë që kishte qenë në Qafë Thanë paradite. Besim kishte edhe te Theollos Duron, një mik i tij.

Agalliu 4 stadium

Gomat tubolarë dhe pompa e dorës

Mungesa e gomave tubolarë ka qenë një ndër vështirësitë e mëdha të kohës për çiklistët. Para fillimit të Rrethit, duke qenë se numri i tyre ishte i limituar dhe nuk kishte për të gjithë, klubet pajiseshin me pak të tilla, ndërsa për vetë çiklistët ishte e pamundur ndarja në mënyrë racionale, pasi ishin në total 12 copë për 6 çiklistë, 10 prej të cilave të reja dhe dy të përdorua. Për këtë arsye, Bilal Agalliu, bashkë me çiklistët e tjerë të Partizanit, improvizonin një short se si do të shpërndaheshin tubolarët.

Biçikletat ishin polake në ato fillime pastaj “Favorit” dhe prodhim çek. Kapele në kokë, mjete të pakta shoqëruese me Estrefi Bejlerin, shoferin historik gjithmonë pas tij, pa harruar edhe pompën e dorës në trupin e biçikletës që shërbente për të fryrë tubolarët në rast zëvendë- simi dhe vendosja e tyre në formë tetshi në trup, pasi atë rezervë e mbanin nën shalë.

Fundi i “perandorisë”, vjen Sali Hima

Nuk do të dorëzohej asnjëherë, pasi dëshira, pasioni, vullneti nuk i mungonte, por mosha ka limitet e saj. Në veçanti për këtë sport, të jesh në elitë është shumë e vështirë. Pasi ka fituar edhe rrethin e vitit 1965, ka humbur atë pas një viti, tërhiqet, pasi një brez i ri ka shpërthyer. Dinamo do të dominojë në dy sezone, madje Sali Hima (që fatkeqësisht është ndarë nga jeta pak vite më parë), një talent dhe kampion edhe ky shumë i veçantë për stilin që demonstroi, solli ndryshimin duke bërë ndarjen me “perandorinë” e Bilal Agalliut.

Janë vitet kur bie miti i tij, edhe për faktin e ardhjes së kësaj plejade të shkëlqyer të çiklizmit me Berishën, Zinon, Ramën, Ahmetin etj., ndaj të cilëve Agalliu e ka të vështirë të konkurrojë. E gjykon se nuk mund t’i përballojë, duke u tërhequr. Ishte mbi 30 vjeç…

Dhe sfida vazhdon…

E ka lënë biçikletën, por jo garat. Këtu fillon pjesa e dytë e karrierës së tij, ajo e trajnerit të Partizanit dhe kombëtares së famshme si e para. I ka mjaftuar fillimisht një triçikël, pastaj një motor “Java”, ndonëse ka kundërshtarë të gjithë ata që pat lënë mbrapa në 11 vitet triumfuese dhe “hakmarrja” e tyre tashmë kishte filluar.

Nisje jo e mirë, pasi në klub ka çiklistë të rinj, por me ardhjen ushtarë të kampionëve durrsakë D. Rama e L. Zino si dhe vlonjati M. Ahmeti, ai krijon një Partizan të fortë dhe ambicioz. Vitet ’70-’80 përshkohen nga një rivalitet i madh me Lokomotivën e Dinamon, kjo e lidhur edhe me periudhën kur talente si Tafilica, Huqi, përmbi të gjithë Agim Tafili, shkodrani i jashtëzakonshëm dhe i paharruar, do të jenë protagonistë në asfaltin e rrugëve të Shqipërisë.

Agalliu 10 pambuk

Kur mblidhte pambuk me kinezët

Vitet ’50-’60 janë shoqëruar me shumë gara që zhvilloheshin në Shqipëri, në të cilat ishin të pranishëm edhe çiklistë nga vendet lindore, siç ka qenë pjesëmarrja e klubit “Dukla” e Pragës. Pastaj garat me kinezët dhe titulli i humbur në sezonin 1967, që nuk kaloi pa polemika. Në përfundim, Rrethi u fitua nga një çiklist kinez, por duke qenë se nuk mund të shpallej zyrtarisht kampion, titulli iu dha Shefqet Dervishit, i klasifikuar i dyti, ndërsa Agalliu i treti.

Por, kinezët nuk iu ndanë edhe gjatë një turi miqësor në Kinë, ku siç veprohej në ato vite të miqë- sisë, krahas garave e stërvitjeve të përbashkëta, një pjesë të qëndrimit e kalonin me vizita në muze, “Murin e Madh”, por edhe në ndihmë të bujqësisë. Në një aksion të tillë, edhe Agalliut dhe pjesëtarëve të delegacionit shqiptar i ka takuar të mbledhë pambuk në një nga plantacionet në periferi të Pekinit.

Sheqer me kaush letre që habiti holandezët

Në Kampionatin Botëror të Çiklizmit, në garën ekipore zhvilluar në Holandë në gusht 1979, merr pjesë edhe ekipi shqiptar me çiklistët: A. Tafili, A. Tafilica, M. Ahmeti, P. Sheshi, trajner është Bilal Agalliu dhe Eqrem Shaba si përfaqësues i federatës. Të paorientuar me rrugë e finishe moderne, aq më shumë me pajisjet, gjithçka përbënte kuriozitet dhe habi për kundërshtarët dhe organizatorët, në veçanti holandezët kur shikonin përdorimin e sheqerit me kaushë të bërë sipas mënyrës së vjetër, si dhe veshja.

Ndërsa të gjithë përdorin ato aerodinamike, vetëm çiklistët shqiptarë mbanin bluzat me xhepa mbrapa, ku vendosnin kaushët e sheqerit që i përdornin në çdo 25 km një të tillë: “Ju përdorni sheqerin që është një helm i bardhë”, i thoshin organizatorët.

Agalliu 9 Berlin

Frika nga ushqimet, truket që përdorte

Çiklizmi është sporti që i ka të gjitha: forcën, egon, spektaklin, emocionet, por edhe dredhitë, dyshimet, truket, madje shumë të njohura e që kanë bërë historitë e kampionëve botërorë. Bilal Agalliu ka qenë i veçantë edhe në këto drejtime: I ka mjaftuar një çast dyshimi që të ndryshojë strategji në prag të nisjes, gjatë garës, por edhe një natë më parë në hotele, trajtime ushqimore etj. Kur garonte vetë, përgatitjen e ushqimit ia besonte vetëm gruas ose një miku të njohur kuzhinier.

Edhe trajner nuk i besonte askujt, madje dyshonte kur sportistët e tij kishin probleme në jashtëqitje. Sidomos kur shkonte në qytetet ku çiklistët e klubit vendës ishin rivalë. Kështu në Shkodër, jo në pak raste, ndërsa darka përgatitej dhe e prisnin në Hotel Turizmi, ai në heshtje kishte njoftuar kuzhinën e Turizmit të Vjetër dhe pa i thënë askujt e dërgonte grupin e çiklistëve atje.

Një katalizator në grup ka qenë Xhevdet Qafmolla, “Çindra”, kështu e thërriste ndihmësin e tij, gjithmonë paqësor dhe zbutës i situatave të tensionuar midis tij, çiklistëve apo gjyqtarive. Nuk kishte shumë besim te finishi manual, ose kishte frikë nga ndonjë truk i gjyqtarisë dhe çiklistëve u bërtiste gjithmonë: “Krijo diferencë në kohë e distancë, lëri larg kundërshtarët, mos i beso kronometrit në finish”.

Familja, gruaja, ajo që i ka shërbyer

Drita, edhe kjo sportiste, ish-atlete me Tiranën, ka vite që është ndarë nga jeta, madje vdekja e saj ishte momenti i parë që e trishtoi dhe e goditi moralisht. Shumë impulsiv në garë, në jetë e familje, nuk ka qenë e lehtë të komandoje një personazh të tillë. Vetëm gruaja, Drita, ka qenë ajo që ka mundur ta administrojë.

Kërkonte një trajtim të veçantë, që vetëm ajo mund t’ia përgatiste, pasi vetëm ajo ia dinte shijet, huqet, preferencat dhe e njihte mirë regjimin rigoroz të tij. Asnjëherë cigare, pije alkoolike, por nga mëngjesi në darkë, në klub, pastaj në shtë- pi e familje. Edhe Theollos Duron e ka pasur shumë mik.

Agalliu 2 me miq

Çfarë bën sot Bilal Agalliu?

Jeton në Tiranë, në apartamentin që i dha Ministria e Mbrojtjes shumë vite më parë. Fëmijët, djali Roland Agalliu, nuk e ndoqi, pasi u bë futbollist i njohur, kampion me Labinotin, Partizanin e Dinamon, pastaj me Universitatean në Rumani dhe prej vitesh ndodhet në Austri ashtu si edhe vajza që jeton jashtë Shqipërisë.

Një mit sportiv autentik spontan, jo i fryrë nga publiciteti, siç ndodh në kohët moderne me famën e shpejtë që ndërtohet rreth personazheve sportivë, Bilal Agalliu, sot 80-vjecar, qëndron i shtrirë, i goditur nga një ishemi cerebrale, çka nuk e lejon të dalë pasi ka vështirësi në lëvizje e komunikim. Por, zemra i rreh dhe as që ka ndër mend t’i ndalojë…

Agalliu 5 maja

Në Krrabë, “Lartësia Agalliu” si “Cima Copi” në Itali

Në turet e famshme botërore ka lartësi, pika, vende që janë të lidhura me histori individuale të atyre çiklistëve që kanë zotëruar lartësitë duke qenë protagonistë në garat e njohura e me famë të etapave malore. Një e tillë është në Alpet italiane me emrin “Cima Copi”, e njohur si pika më e lartë e arritur nga çiklistët, 2758 m, kjo e vendosur në vitin 1965 me rastin e pesëvjetorit të vdekjes së kampionit Fausto Copi.

Por, edhe në Shqipëri ka një të tillë që ndodhet në kilometrin e 29- të të Qafë Krrabës, me emrin “Maja Agalliu”. Ka qenë një ide e Skënder Hanxhakut, presidentit aktual të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, që në mermer ka projektuar një simbolikë me foton e madhe të Agalliut, të cilën e ka vendosur në kilometrin e 29-të kur nisesh nga Tirana për në Qafë Krrabë, pikërisht në vendin ku çiklisti malorist më i famshëm shqiptar fillonte shkëputjen, vuloste fitoret, shkruante historinë. Një histori ndryshe, si askush tjetër!

Nga UVIL ZAJMI