Bie erë, ndaleni këtë maskaradë në Superiore! Teuta-Tirana, e vetmja ku vihej re ndershmëri në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2026 | 8:20

Bie erë, ndaleni këtë maskaradë në Superiore! Teuta-Tirana, e vetmja ku vihej re ndershmëri në fushë

“Ndal! Skenë krimi!”, ky është komenti që meriton java e 34-t e Kategorisë Superiore të futbollit shqiptar. Sigurisht, nuk është hera e parë që kampionati ynë ofron skena të tilla, por kësaj here, në mënyrë të paralajmëruar, u prek një tjetër dimension.TEUTA-TIRANAPër ditë me radhë, në çdo ambient sportiv në vend qarkullonin “parashikime” për rezultatet e javës, të cilat, mesa duket, nuk ishin thjesht zëra kafenesh, por diçka më shumë. Këto parashikime rezultatesh u “certifikuan” edhe nga kompanitë e basteve, ato të huaja, pasi, siç dihet, në Shqipëri bastet janë të ndaluara “de jure”. Ekipet e fundit të tabelës, përballë atyre të kreut, kishin koeficientë absurdë që zbrisnin në mënyrë të vazhdueshme sikur të mos kishte një të nesërme, duke bërë që skuadrat e mbijetesës të shndërroheshin, në bllok, në favoritë absolutë.

Gjithçka u konfirmua më pas në fushë, ku pjesa fundore e tabelës i dha “leksion” zonës së sipërme, duke koleksionuar çdo ekip, njëri pas tjetrit, nga 3 pikë. Por sa të besueshme janë këto rezultate? Në fakt, për tifozët, aspak. Publiku ia dha ndëshkimin kësaj maskarade sportive, duke zgjedhur të mos shkelë në stadium në një ditë të bukur me diell, të shtunën e 2 majit, duke bërë që ky “cirk” i shëmtuar të luhej me pak spektatorë.

Por, ndërsa tifozët zgjodhën ta braktisin këtë shfaqje, ata që nuk duhej të mungonin në stadiume këtë javë ishin institucionet e drejtësisë, pasi kishim të bënim dyshime të forta për një “krim sportiv” tëmundshëm dhe të paralajmëruar. Ndoshta ishte dita ideale që SPAK të ndërhynte në futbollin shqiptar, me verifikime në tribuna, në fushë dhe jo vetëm. Ndoshta, nëse edhe futbolli do të merrej seriozisht, mund të shihnim edhe pranga të tundura në stadiume, siç ndodhte në Itali në vitin 1980, gjatë skandalit të famshëm “Totonero”.

Me Kombëtaren që vetëm pak muaj më parë na bëri të ëndërrojmë për herë të parë në një “play-off” të Kupës së Botës, realiteti në Shqipëri nuk ka asnjë lidhje me një përfaqësim të tillë. Produkti vendas, pra pa ata lojtarë të formuar dhe rritur në Europë, nuk krahasohet as me kampionatet më të dobëta të kontinentit. Kjo vërtetohet më së miri edhe nga rezultatet e skuadrave tona në arenën ndërkombëtare.

Duke u kthyer sërish te produkti vendas, te Superiorja, ka ardhur momenti që dikush ta ndalë këtë maskaradë që po thellohet javë pas jave, duke e shndërruar sportin më të bukur në më të shëmtuarin. Tashmë kanë mbetur edhe dy javë deri në mbërritjen e fazës së famshme “Final Four”, ndërsa natyrshëm lind pyetja: a vendoset titulli në Shqipëri me “Final Four” apo me “Fake Futboll”? Por, mbi të gjitha, sa vlen një titull kampion në një kampionat të tillë?

A është një motiv krenarie për tifozët dhe klubet triumfi në këto kushte, apo ndoshta më shumë të njollos sesa të gëzon? Prandaj, ndaleni këtë maskaradë dhe rikthejuani futbollin tifozëve, të cilët duan të fitojnë dhe të humbasin, të gëzojnë dhe të mërziten, me ndeshje të vërteta, jo të shohin teatër sportiv.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL