Besa likuidon Kukësin, tani në zonën “Euro”. 18 muaj që s’jep parà, bashkia injoron ekipin
BESA-KUKËSI 2-0
GOLAT: Mustafa 23′, Mancaku 86′
BESA: Bejte, Hoxha, Jashanica, Fejzullai, Ramadanaj, Haliti, Mustafa (Muça 77′), Guri (Mancaku 80′), Dita (Deliallisi 64′), Berisha, Muriqi; Trajner: A.Mërgjyshi
KUKËSI: Halili, Smajli, Malota, Brahja, Hallaçi, Shameti, Uçe (Peter 50′), Cikalleshi (Hysa 63′), Hoxha (Boja 46′), Progni, Izuçuku. Trajner: S.Starova
KARTONË TË VERDHË: Jashanica 73′, Mancaku 83′
DELEGAT: Hito Hitaj (Tiranë)
VËZHGUES: Arian Mali (Patos)
GJYQTARET: D.Jubica, D.Salaj, Gj.Bori (Shkodër)
MINUTAT
8′ Berisha shmang tre mbrojtës miq, futet me lehtësi në zonë, gjuan, por Halili pret edhe pse me vështirësi.
14′ Rast ideal për Besën, Muriqi i markuar nga mbrojtësit miq futet zonë, por nuk arrin që ta devijojë topin, ndonëse ishte i vetëm përballë portierit.
15′ Guri provon me kokë brenda zonës, por gjuajtja e tij përfundon jashtë kuadratit.
20′ Smajli për miqtë gjuan nga distanca, por s’gjen kuadratin.
23′ Eurogol i Argjend Mustafës. Kosovari, i ndodhur 25 metra larg porte, lëshon një predhë dhe shënon, portierit Halili s’i mbetet gjë tjetër veçse ta shoqërojë me sy topin derisa shkonte në rrjetë.
43′ Mustafa provon sërish nga distanca, por këtë herë topi përfundon jashtë.
56′ Berisha depërton nga e majta, hyn në zonë, godet fort, por Halili pret në dy kohë.
61′ Mustafa provon edhe një tjetër herë nga jashtë zone, por topi prek vetëm traversën.
86′ Krosim i Fejzullait në zonë, topi përplaset në shpinën e një mbrojtësi. Përfiton Mancaku nga kjo “dhuratë”, i cili i vetëm përballë portierit mik gjuan rrafshazi dhe shënon, 2-0.
Përpara startit të sfidës askush s’e kishte imagjinuar sa me lehtësi do të fitonte Besa përballë Kukësit. Një dominim total i verdhezinjve në të tri repartet. Aq sa miqtë asnjëherë nuk vunë në provë portierin Bejte përgjatë 90- minutëshit. Një Kukës i lodhur dhe i frikësuar sapo filloi loja, teksa dukej qartë se ishte futur në fushë me forca të shumta në mbrojtje. Ky fakt pa dyshim i dha shumë hapësirë Besës, e cila e fitoi mesfushën. Me këtë 3- pikësh, nga zona e ftohtë në të cilën ndodheshin gjatë javëve të fundit, tashmë kavajasit e shohin veten në vendin e 4-t. Bukuria e kësaj sfide ishte eurogoli i Mustafës, ndonëse vulën ia vuri edhe goli i sigurisë i shënuar nga Mancaku.
Pjesa e parë Të dy trajnerët, si Mërgjyshi ashtu edhe Starova, zbritën në fushë me skemën 4-2-3-1. Ndërsa moduli parashikonte lojë të barabartë, nuk ndodhi kështu. Që në minutat e para kavajasit hidhen të gjithë në sulm. Loja e shkëlqyer në krah e Berishës dhe Ditës, daljet në pozicion goditjeje të Mustafës e Gurit zmbrapsën Kukësin. Besa arrin shpejt që në 10 minutat e para të dominojë mesfushën e kështu të marrë frenat e lojës në dorë. Janë disa gjuajtje radhazi drejt portës së Halilit, që paralajmëron golin. Izuçuku ishte figurant në fushë, ndërsa Cikalleshi sapo kapte topin i afroheshin 3 futbollistë, duke e bllokuar manovrën e tij. Gjithashtu Progni nuk ishte shpërthyes. I vetmi që krosoi disa herë ishte kosovari Yll Hoxha. Kukësit i munguan totalisht pasimet diagonale apo krosimet në zonë. Kjo për bllokimin që Besa i bëri mesfushës, por edhe njëfarë tërheqjeje taktike të pakuptimtë të miqve. Me këtë epërsi vjen edhe eurogoli i Mustafës që realizon në minutën e 23- të. Pas golit, ndërsa pritej reagimi i mive, ata sërish preferuan që të qëndronin prapa me shumë forca.
Pjesa e dytë Sapo starton kjo pjesë, Starova fut në lojë Boyan, një sulmues nga i cili pritet shumë. Një lëvizje që, përveç ndonjë shkëndije të fillimit të pesë minutave të para, rezultoi pa vlera. Verdhezinjtë tashmë ua kishin marrë dorën miqve dhe vijojnë po atë epërsi loje e rastesh si në pjesën e parë. Starova, duke parë që Kukësi nuk po avanconte, fut në lojë Hysën dhe Susuam. Ndërrime këto që nuk dhanë asnjë rezultat. Sulmuesi Hysa u pa të luante shumë larg portës dhe ishte i parrezikshëm. Minutat kalonin dhe Kukësi dukej edhe më i dorëzuar. Mërgjyshi fut në lojë Deliallisin pas dëmtimit të Mustafës dhe më pas Muçën e Mancakun. Besa vazhdon të dominojë përballë miqve. Në minutën e 86-të mbyllet paniku që kishin miqtë, teksa gabojnë rëndë duke i dhuruar Mancakut një top të artë dhe sulmuesi dyfishon rezultatin. Me rezultatin 2-0, megjithëse gjyqtari i katër jep katër minuta shtesë, Kukësi duket i dorëzuar, aq sa lojtarët verdhezinj fillojnë të bëjnë pasime të pashqetësuar. Kështu Besa fiton një ndeshje të menduar të vështirë, por ashtu siç rrodhën ngjarjet, rezultati duhet dhe mund të ishte edhe më i thellë nëse kavajasit do të kërkonin të shënonin më shumë. Nga ana tjetër, Kukësi u largohet edhe më shumë vendeve të kreut.
“Fituam mesfushën, ky ishte çelësi i suksesit”
Artan Mërgjyshi është i lumtur pas kësaj fitoreje, ndonëse mundohet që t’i mbajë të tijtë me këmbë në tokë, pasi kampionati nuk ka mbaruar ende. “I patëm marrë masat për ta përballuar këtë ndeshje. Në fillim dominoi Kukësi, por ne nuk u dorëzuam deri në fund dhe për pasojë fituam terren. Kemi zhvilluar një lojë mjaft të bukur, të saktë në çdo repart, por duhet të veçoj faktin që arritëm të frenonim thuajse çdo aksion të skuadrës mike. Marrja e mesfushës nga ana jonë ishte kyçi i fitores. Falënderoj lojtarët për sakrificën dhe nivelin e lojës që na ofruan sot (dje) përballë Kukësit. Megjithatë asgjë nuk ka mbaruar për mbijetesën, jemi të katërtit momentalisht, por kanë mbetur edhe 14 javë të tjera për t’u luajtur. Kjo ishte vetëm një betejë, pasi lufta për ne vazhdon deri në javën e fundit”, – tha trajneri.
“Sulmi na zhgënjeu sot, skuadra nuk sakrifikoi”
Sulejman Starova është kritik në fund të ndeshjes, teksa merret veçanërisht me mesfushën dhe sulmin, reparte që nuk funksionuan. “E nisëm mirë lojën, por me kalimin e minutave mesfusha jonë nisi të çalonte, duke i dhënë kështu hapësirat e duhura Besës që të na rrezikonte. Më tej pësuam atë gol të Mustafës, i cili ishte tepër i bukur. Pas këtij episodi, pavarësisht dëshirës, nuk e patëm forcën të reagonim. Përveç mesfushës, edhe sulmi sot ishte në ditë të keqe. Nuk pashë atë grintë dhe sakrificë te lojtarët e mi në fushë. Atë që s’e bëmë ne, e realizoi kundërshtari, dhe rezultati dihet tashmë. Sa për pjesën e dytë, ajo ishte një lojë larg pritshmërive dhe me atë që duhet të japë Kukësi. Në vend që të reagonim, ekipi bëri të kundërtën, u dorëzua. Besa e meritoi plotësisht fitoren”, – përfundoi trajneri i skuadrës kuksiane.
Mustafa dhe Mancaku, gola me dedikim
Argjend Mustafa dhe Bledar Mancaku shprehen të lumtur që me golat e shënuar i dhanë tri pikë të qarta Besës. Fitore që e ngjit atë në vendin e katërt. “Jam i lumtur për fitoren mbi të gjitha, pasi na ngjit në vendin e katërt. Por, sigurisht, edhe për golin, të cilin ia dedikoj të fejuarës sime, tifozëve të mrekullueshëm verdhezinj, por nuk dua të harroj as tifozët dhe futbollistët e Llamkosit që më ndoqën sot (dje) në stadium”, – ka thënë kosovari Mustafa për “Panorama Sport”. Ndërsa Mancaku, i cili vulosi edhe rezultatin e kësaj ndeshjeje, ka deklaruar: “Golin ua dedikoj tifozëve verdhezinj, si dhe fansave të mi durrsakë që më ndjekin kudo që luaj”.
18 muaj që s’jep parà, bashkia injoron Besën
Bashkia e Kavajës vazhdon ta injorojë Besën, edhe pse kjo e fundit vijon të shkëlqejë javë pas jave, teksa nga zona e ftohtë është e katërta. Plot 18 muaj ka ky institucion që nuk derdh kontributet e veta, ndonëse i takon me ligj. Kujtojmë që bashkia është bashkëpronare, ndaj është e detyruar të japë kuotën e vet për klubin e futbollit. Mirëpo ka mbi një vit e gjysmë që kryebashkiaku Elvis Rroshi nuk ka dhënë para për skuadrën e futbollit. Një gjë të tillë e ka thënë edhe vetë presidenti Nexhat Bizhdili, teksa foli për gazetën pas fitores 4-1 me Flamurtarin: “Kjo fitore historike në Vlorë i dedikohet kryebashkiakut të Kavajës, i cili ka 18 muaj që nuk shlyen asnjë detyrim ndaj skuadrës. Interesimi i tij për ekipin, që është simboli i qytetit të Kavajës, ka qenë zero”, – deklaroi më 9 shkurt Bizhdili.
“Dënimi” për veriorët
Presidenti Safet Gjici nuk e ka kapërdirë dot humbjen e djeshme. Pas kësaj disfate është vendosur që lojtarët të vazhdojnë tashmë stërvitjen vetëm në Kukës dhe jo në Tiranë, siç ndodh zakonisht gjatë javës në kompleksin “Dinamo”. Të martën skuadra do të grumbullohet në qytetin verilindor dhe stërvitja do të mbikëqyret jo vetëm nga presidenti Gjici, por edhe nga kryetari i bashkisë Hasan Halili. “Ky nuk është dënim, por një ndihmë që i jepet ekipit. Ose unë, ose kryetari do të jemi përditë prezentë në stërvitje”.
Kukësi humb 20 mln lekë premio
Para fillimit të ndeshjes, drejtuesit e Kukësit premtuan për skuadrën 20 milionë lekë premio në rast fitoreje ndaj Besës. Mirëpo as motivimi i presidentit Safet Gjici nuk pati efekt, pasi ekipi verilindor zhgënjeu tërësisht në fushë. Humbja në Kavajë i ka shokuar drejtuesit e Kukësit. Afrimet e janarit vazhdojnë të zhgënjejnë dhe duket se në shënjestër janë vënë zgjedhjet e bëra nga ish-trajneri Naxhi Shensoji.
FERIZ FERIZAJ













